Një ditë pas vizitës në Tiranë të komisionerit europian për Zgjerimin Stefan Fyle, analistët vendas janë përsëri skeptikë nëse politikanët shqiptarë i kanë kuptuar qartë mesazhet e tij. Analisti i njohur, Fatos Lubonja, thotë se politikanët shqiptarë kujdesen vetëm për fasaden demokratike që u tregojnë diplomatëve ndërkombëtarë. Por prapa kësaj fasade - thotë zoti Lubonja - ata fshehin një luftë të ethshme për pushtet, përpjekje jodemokratike kundër rivalëve politikë dhe interesa korruptive.
Zëri i Amerikës: Zoti Lubonja! Zgjedhjet vendore janë në 8 maj. Cili është parashikimi juaj për ecurinë e fushatës dhe ditën pas zgjedhjeve? A ka shenja optimiste që do të jetë një ecuri e mbarë dhe zgjedhjet do të jenë të mbara për politikën shqiptare, apo mendoni se prapë ka pikëpyetje pas gjithë kësaj atmosfere?
Fatos Lubonja: Këto janë zgjedhjet më të vështira që ka Shqipëria qysh prej shumë kohësh, ndoshta qysh prej 1996-ës. Janë të mbarsura me tension, sepse konsiderohen nga palët si luftë finale, se kush do të asgjësojë tjetrin për kontroll total të territorit, politikës dhe të ekonomisë. Gjykoj që vështirë se do të jenë zgjedhje të pranuara nga opozita, në qoftë se i humbet ato. Ka një strategji të opozitës për të kontestuar dhe për të vënë në dyshim zgjedhjet. Është logjika e përdorimit të çdo mjeti për të eliminuar kundërshtarin. Nuk di se sa populli që voton mund të imponojë një zgjidhje dhe vullnetin e tij në këto kushte, sepse është shumë e pakontrollueshme situata, e pasigurt, e mbushur me mosbesim të ndërsjelltë, e mbushur me kërcënime. Janë zgjedhje që unë e kam shumë të vështirë të them se do të jenë zgjedhje të qeta, të suksesshme, me rezultat bindës, që do të jenë një hap përpara në demokracinë shqiptare. Uroj që të mos jetë kështu, por kam shumë dyshime.
Zëri i Amerikës: Zoti Lubonja, si e komentoni deklaratën e djeshme të komisionerit europian për zgjerimin Stefan Fyle për situatën politike gjatë vizitës në Tiranë, se politikanët duhet të dialogojnë dhe të zgjidhin çështjet me konsensus, nëse duan që Shqipëria të ecë përpara drejt integrimit në Bashkimit Europian?
Fatos Lubonja: Kjo duhet parë në rrafshin se ai tërheq vëmendjen që… pse ne, kur e dimë se është kaq i rëndësishëm dialogu, bashkëpunimi dhe pranimi i diversitetit, megjithatë kemi prirjen e eliminimit të tjetrit? Kjo na çon në 20 vjet prapa; jo vetëm në pasojat e komunizmit që akoma nuk i kemi kapërcyer, por edhe në pyetjen se çfarë kemi ndërtuar në këto 20 vjet. Ky është një problem i madh. Unë mendoj që kriminalizimi i politikës, kthimi i politikës në mjet fitimi dhe kthimi i politikës në luftë për kontroll ekonomik, territorial për përfitime të klaneve të ndryshme është një nga arësyet kryesore, përtej komunizmit, që neve na çon në këtë intolerancë dhe që e bën dialogun dhe thirrjet për dialog thjesht si fasadë për t’ua shitur të huajve, por prapa fasadës është kjo luftë e egër.
Zëri i Amerikës: Zoti Lubonja! Në këtë fushatë kandidatët për bashkiakë vendorë janë dhe do të duhet të jenë shumë pranë njerëvzve? Ky fakt a nuk e bën fushatën zgjedhore më konkrete se sa zgjedhjet parlamentare, më me këmbë në tokë?
Fatos Lubonja: Rëndom shohim se ata vërtet shfaqen pranë njerëzve, siç shihet nga kronikat televizive, dhe flasin për njerëzit dhe u premtojnë njerëzve se do t’u bëjnë njerëzve gjëra të ndryshme… pra është gjithmonë kjo fasada… por pjesa prapa fasadës janë interesat e grupeve të fuqishme ekonomike, oligarkët që mbështesin këto parti. Mendoj që lufta ndaj këtij dyzimi të politikës është e nevojshme, sepse pas premtimeve realizohen gjëra të kundërta me premtimet; në vend të gjelbërimit, të pemëve të kopshteve, siç flitet përditë, shohim të lulëzojë çimentoja që është edhe pastrim parash, ka thënë edhe vetë Berisha dikur… problem i madh është se si të kontrollohen këto parti nga qytetarët. Rrugët dihen dhe janë disa; funksionimi i drejtësisë, kontrolli shoqëror, ndikimi i mediave… Mirëpo të gjitha këto nuk funksionojnë në shoqërinë tonë.
Zëri i Amerikës: Pra, jeni skeptik nëse kjo do të jetë një stinë e re për politikën, apo jo?
Fatos Lubonja: Nuk është e mundur të jetë një stinë e re për politikën. Zgjedhjet janë një test i demokracisë. Është njëlloj sikur dikush të kryejë disa analiza gjaku për trupin e tij të mbushur me sëmundje. Ai nuk mund të presë që analizat e tij të dalin korrekt, si një njeri i shëndoshë; do të dalin analizat e një të sëmuri. Demokracia shqiptare është e sëmurë, ekonomia shqiptare është e sëmurë dhe prandaj jam shumë skeptik.