Your browser doesn’t support HTML5
Qeveria dhe opozita shkëmbyen sot sërish replika mbi gjendjen e ekonomisë së vendit, në 100 ditët e para të punës së shumicës së re socialiste. Qeveria zhvilloi një takim të hapur ku renditi rezultatet e punës së vet në 3 muajt e parë të ardhjes në detyrë. Ministrat përshkruan rezultatet e para dhe vështirësitë që po ndeshin në reformat e saponisura në arsim, shëndetësi, drejtësi, polici etj.
Kryeministri Rama tha se në ekonomi Shqipëria ka trashëguar një model titpik tranzicioni, ku rritja ekonomike vjen pa punësim nga burime si të ardhurat e emigrantëve. Ai tha se qeveria po ndërton një model te ri ekonomik ku shifrat e rritjes ekonomike do të rriten njëkohësisht me shifrat e punësimit. Duke folur paketën e re fiskale, zoti Rama, tha se taska e sheshtë është hequr.
Zoti Rama shpjegoi taksat për kompanitë, dhe i ftoi ato të luftojnë së bashku informalitetin dhe korrupsionin, duke i paguar shtetit taksat në rregull pa dhënë rryshfet. Qeveritarët thanë se mbi të gjitha reformat dhe rezultatet do të jenë transparente, dhe për projektet e reja do të pyeten grupet e interesit dhe idetë e tyre do të shqyrtohen me kujdes.
Pak pas takimit të kryeministrit, opozita dha nga selia e saj komentet më negative për 100 ditët e para të punës së qeverisë. Kryetari i PD, Lulëzim Basha, deklaroi se këto 3 muaj qeveria nuk ka ndërtuar, por vetëm ka zhbërë arritjet e qeverisë paraardhëse. Ai tha se, si shumë fusha të tjera edhe ekonomia është ditët e saj më të errëta. Zoti Basha përmendi si rezultate negative shkarkimin e nëpunësve nga administrata, gjendjen e rendit publik, dhe shtyrjen e statusit kandidat nga BE për Shqipërinë.
Një tjetër përplasje politike nis nesër në parlament, ku pritet të shqyrtohet projekt-buxheti i shtetit dhe paketa e re fiskale. Mospajtimet mes pozitës dhe opozitës janë të thella sidomos për sistemin e ri të taksave dhe tatimeve. Ajo që për qeverinë është një taksim i ndershëm për opozitën është një rrezik për varfëri dhe papunësi më të madhe.