Withers: Shqipëria nuk po ndjek rrugën e demokracive perëndimore

  • Keida Kostreci

Withers: Shqipëria nuk po ndjek rrugën e demokracive perëndimore

Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, John L. Withers II jep intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës

Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri John L. Withers II, në një intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës shpreh shqetësimin për gjendjen e demokracisë në Shqipëri. Ambasadori Withers thotë se i duket se ajo nuk po ndjek rrugën e demokracive perëndimore. dhe se sistemi politik po dështon. Në intervistën e parë që kur përfundoi mandatin në Shqipëri, thuajse dy vjet më parë, zoti Withers vlerëson lart popullin shqiptar dhe dëshirën e tij për të ecur përpara. Por ai shton sistemi politik po dështon dhe nuk është në gjendje të identifikojë atë që do publiku.

Zëri i Amerikës: Ambasador Withers mirëseerdhët. Le të flasim pak për mendimet tuaja për Shqipërinë sot pothuajse dy vjet pasi ju jeni larguar...

Ambasador Withers: Unë e kujtoj vazhdimisht Shqipërinë. Jam i kënaqur që jam kthyer në vendin tim, por me merr malli për Shqipërinë, më merr malli për shumë gjëra sidomos të lidhura me miqtë e shumtë atje. Si ta shpreh me pak fjalë: më merr malli të pi një kafe, një kafe me gjithë kuptimin që ka ky ritual në Shqipëri, përfshirë bisedat dhe miqësitë. Më merr malli për malet, për qiellin e Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Si e shihni vendin sot, për aq sa e keni ndjekur këto kohë?

Ambasador Withers: Është e vështirë ta ndjek aq afër sa ç’e ndiqja më parë. Tani unë nuk kam më pozitë zyrtare, jam thjesht një qytetar amerikan, por jam i shqetësuar për Shqipërinë, jo përsa i takon energjisë dhe talentit, apo vullnetit të mirë të popullit shqiptar. Unë kam besim të plotë në gjenialitetin e popullit shqiptar, por shqetësohem për mënyrën sesi po shkon demokracia në Shqipëri. Shqetësohem se më duket se Shqipëria nuk po ndjek rrugën e demokracive perëndimore, por po shkon në drejtimin që po shkon Hungaria e cila po merr masa shtypëse ndaj medias, apo në drejtimin e Ukrainës, që përdor gjykatat për të sulmuar udhëheqës të opozitës apo për të mbrojtur aleatë politikë dhe miq. Mendoj se po ndjek drejtimin e Rusisë, ku zgjedhjet nuk janë në standardet ndërkombëtare, ashtu siç ne presim që t’i ketë një demokraci e zhvilluar. Këto gjëra më shqetësojnë.

Zëri i Amerikës: Në kabllogramet që ju dërgonit nga Shqipëria në Departamentin e Shtetit, ju ngrinit pikërisht këto shqetësime, për gjendjen në të cilën ndodhet drejtësia, për korrupsionin në vend, problemet të tilla të rrënjosura në shoqërinë dhe politikën shqiptare. Pse mendoni se nuk ka qenë në gjendje Shqipëria t’i zgjidhë këto probleme?

Amabasador Withers: Më vjen keq ta them, por mendoj se ky është problem i udhëheqjes politike. Për Shqipërinë kjo është diçka për të ardhur keq, por edhe ironike njëkohësisht sepse Shqipëria ka një nga shembujt më të mëdhenj të udhëheqjes në gjithë historinë, që ishte Skënderbeu. Mjafton t’i hedhësh një sy modelit që ai ka lënë pas: ai ishte një udhëheqës që solli bashkimin, në Besëlidhjen e Lezhës në vitin 1444. Ai i bashkoi të gjitha palët rivale për interesin kombëtar. Udhëheqësit e sotëm nuk janë bashkues, janë përçarës. A përfaqësojnë ata interesin kombëtar? Mua më duket se ata përfaqësojnë interesat e fraksioneve dhe partive, përfaqësojnë interesin e ngushtë të mbajtjes së pushtetit, jo të qeverisjes në shërbim të popullit. Shqipërisë i duhet një Skënderbe sot, më shumë se kurrë ndonjëherë më parë. Por në Shqipërinë e sotme nuk ka Skënderbegë dhe mua më vjen keq për një gjë të tillë.

Zëri i Amerikës: A mendoni se udhëheqësit që ka Shqipëria nuk janë në gjendje ta çojnë vendin përpara, apo është mjedisi që ushqen këtë lloj fryme?

Ambasador Withers: Nga ajo që kam parë unë, nuk besoj se është mjedisi. Ajo që pashë unë në Shqipëri, ishte një dinamizëm i madh, aftësi krijuese, njerëz që përpiqen për shanse dhe mundësi të shumta, për mënyra për përmirësimin e tyre. Unë mendoj se sistemi politik – ta them shumë hapur – po dështon. Nuk është në gjendje të krijojë konsensus, nuk është në gjendje të identifikojë atë që do publiku dhe të punojnë për publikun. Më lejoni përsëri t’ju sjell një shembull të historisë. Një nga shprehjet më të famshme të Skënderbeut ishte: “Lirinë nuk ua solla unë, atë e gjeta në mesin tuaj”. Ai i kuptonte aspiratat e publikut dhe këtij synimi ju përkushtua për ta arritur. Në Shqipërinë e sotme, një frymë e tillë është ende e pranishme: aspiratat e shqiptarëve për liri, për përparim. Pyetja ime është: Pse ata që janë në pushtet nuk e përqafojnë këtë frymë dhe ta çojnë përpara, pse pothuajse në çdo veprim që bëjnë, ata e thyejnë këtë frymë, që është kaq e qartë mes shqiptarëve në përgjithësi.

Zëri i Amerikës: Cila mendoni ju se është përgjigjia ndaj kësaj pyetjeje?

Ambasador Withers: Mendoj se bëhet fjalë për polarizim, për udhëheqës që thjesht nuk kanë në vetvete instinktin demokratik, për ta demokracia është diçka jashtë tyre, është diçka që nuk u vjen për shtat, diçka që ata duhet ta manipulojnë për botën e jashtme, por jo që ata vetë ta praktikojnë, demokracia nuk u vjen nga zemra. Mendoj se ky është problemi më i madh. Abraham Lincolni ka bërë përkufizimin më të thjeshtë dhe të përmbledhur për demokracinë: “Demokracia është qeveria e popullit, që buron nga populli dhe për popullin”. Dhe pyetja që i drejtoj popullit shqiptar është: “A e shihni ju një gjë të tillë tek udhëheqja juaj? A shihni një qeveri të popullit, apo shihni një qeveri të grupeve të vogla klanore, që votohet për të mbajtur vetveten në pushtet? A shihni një qeveri të dalë nga populli, apo një qeveri që është e shkëputur nga populli, që ndjek interesat e veta, apo të partisë së vet dhe jo të gjithë popullit? Dhe a shihni një qeveri për popullin, një qeveri që punon për çfarëdo partie që përfaqëson një udhëheqës politik, apo një qeveri që thjesht i dedikohet ruajtjes së pareshtur të pushtetit dhe jo një angazhim të fortë dhe të përkushtuar ndaj qeverisjes?”

Zëri i Amerikës: Nuk është sekret që gjatë mandatit tuaj, ju e keni kritikuar qeverinë dhe kryeministrin e saj zotin Berisha. Çfarë mendoni për stilin e tij të udhëheqjes?

Ambasador Withers: Më lejoni të them në fillim se kam dëgjuar që kryeministri ka pasur një rast kur nuk është ndjerë mirë me shëndet kohët e fundit dhe dua të përfitoj nga rasti t’i uroj të jetë mirë. Shpresoj që ta marrë veten shpejt dhe plotësisht. Ai ka një përgjegjësi të madhe dhe duhet të ketë të gjitha forcat për t’i kryer ato.

Do ta riformuloja pyetjen tuaj. Nga këndvështrimi im nuk ishin kritika ndaj kryeministrit, apo ndaj udhëheqësit të opozitës, apo ndaj ndonjë personaliteti tjetër në Shqipëri. Bëhej fjalë për politikat e tyre, bëhej fjalë për temën më të gjerë të parimeve të demokracisë, kjo ka rëndësi. Dhe nuk bëhet fjalë për të veçuar një individ as andej as këtej, sepse nuk është asgjë personale. Bëhet fjalë për të analizuar veprimet që nuk janë në përputhje me parimet e demokracisë. Mbështetja ime është për parimet demokratike në Shqipëri, gjë që mendoj se pasqyron si interesat e popullit shqiptar, ashtu edhe atij amerikan. Ne duam të shohim një demokraci të shëndetshme në Shqipëri. Pra nuk është fjala tek individë të caktuar, por tek strukturat, parimet, është fjala për krijimin e institucioneve të shëndetshme.

Zëri i Amerikës: Por dikush është në krye të qeverisë dhe dikush është në krye të opozitës, dhe mënyra sesi dikush e drejton një qeveri, apo parti politike ka ndikim në drejtimin që marrin gjërat?

Ambasador Withers: E kuptoj por doja ta bëja të qartë dallimin që dikush mund të mos jetë dakord me një mendim dhe një qëndrim, pa a humbur respektin për personin që e ka këtë mendim apo qëndrim. Përsa i takon qëndrimit të qeverisë aktuale, unë do ta këshilloja që ta mendonte edhe një herë se Shqipëria ka mundësi dhe nevoja, një të ardhme për të cilën duhet menduar, jo vetëm për qytetarët e sotëm të Shqipërisë por për fëmijët e tyre. Kur qeveria sulmon institucionet e demokracisë dhe kur injoron parimet e demokracisë, kjo është diçka që më shqetëson thellësisht. Më lejoni t’ju jap një shembull: Jemi shumë pranë një vjetorit të ngjarjeve të 21 janarit. Katër vetë vdiqën, u derdh gjak në rrugët e Tiranës, gjak i çmuar shqiptarësh. Të shkon mendja që në rrethana të tilla, qeveria do të ishte e para që do të donte të zbulonte se çfarë ndodhi në të vërtetë, që do të donte t’u jepte gjithë mbështetjen e mundshme hetuesit dhe prokurorëve për të zbuluar të vërtetën e asaj që ndodhi atë ditë. Por në vend që të bënte këtë, qeveria i sulmoi prokurorët dhe në këtë rast kryeministri përdori një gjuhë të tmerrshme kundër Prokurores së Përgjithshme, një gjuhë, e cila që të flasim hapur ishte e padenjë. Ishte turpëruese për vendin. Një kryeministër nuk duhet t’i bëjë gjëra të tilla. Por çka është më e rëndësishme pse duhet të sulmonte kryeministri ata që kishte emëruar dhe u kishte dhënë forcë, në vend që të përpiqej t’i ndihmonte për të zbuluar të vërtetën. Kush i dha ato urdhra? Në gjithë botën policisë i jepet fuqi e madhe. Kush e dha urdhrin për të hapur zjarr? A po i mbahet ndonjë gjë e fshehtë publikut shqiptar lidhur me arsyet që e bëjnë qeverinë që të sulmojë ata që mund ta zbulojnë të vërtetën në vend që të bëjnë të kundërtën?

Presidenti i Francës (Nicolas) Sarkozy foli për këtë. Ai po fliste për veprimet e qeverisë siriane ndaj popullit të vet dhe kur u pyet për ndryshimin mes sirianëve dhe shqiptarëve, përsa i takon incidentit të hapjes së zjarrit, ai tha se nuk ka asnjë ndryshim. Një jetë shqiptare është po aq e vlefshme sa edhe një jetë siriane, apo çdo jetë tjetër. Pse është Presidenti i Francës më i shqetësuar për gjakun e shqiptarëve sesa udhëheqja e Shqipërisë?

Zëri i Amerikës: Kryeministri ju ka akuzuar për qëndrime të personalizuara. Cila është përgjigjia juaj?

Ambasador Withers: Kjo është absurde. Pasi dola në pension, Sekretarja Clinton më dërgoi një certifikatë vlerësimi për punën time dhe vetëm para disa ditësh, në një ceremoni për diplomatët, që sapo kanë dalë në pension, shtrënguam duart dhe ajo më falenderoi për shërbimin tim. Mendoj se është gabim kur udhëheqësit përpiqen të bllokojnë mendimet e ndryshme dhe kritikat duke bërë lojra, ose manipulojnë të vërtetën për mënyrën sesi funksionon qeveria amerikane. Në gjithë botën qeveria amerikane punon në të njëjtën mënyrë, në gjithë botën ambasadorët amerikanë funksionojnë njëlloj. Ne përfaqësojmë Presidentin e Shteteve të Bashkuara, ne jemi përfaqësuesit e tij personalë dhe përfaqësojmë interesin e popullit amerikan, pavarësisht se cila parti është në pushtet.

Zëri i Amerikës: Por toni i pasuesit tuaj, ka qenë i ndryshëm përsa i takon qeverisë dhe megjithë kritikat tuaja nga qeverisë, ka pasur një mospërputhje mes qëndrimit tuaj të fortë dhe mënyrës sesi Departamenti i Shtetit është shprehur për Shqipërinë si mike dhe jo vetëm ndaj vendit, por edhe qeverisë që ka bashkëpunuar me qeverinë amerikane...

Ambasador Withers: Kjo është dicka tjetër, shumë e ndryshme. Çdo ambasador ka personalitetin e vet, mënyrën e vet të të shprehurit...

Zëri i Amerikës: Pra personaliteti ka rëndësi...

Ambasador Withers: Po ka rëndësi kur bëhet fjalë për formën e të shprehurit. Kryeministra të mëparshëm të Shqipërisë kanë qenë shumë të afërt me Shtetet e Bashkuara, mënyra e tyre e të shprehurit ishte shumë e ndryshme nga ajo e tanishmja. Ambasadorja Ries, që ishte para meje, një ambasadore e mrekullueshme, kishte mënyrë të ndryshme të shprehuri nga unë dhe ambasador Arvizu, që po bën një punë të mrekullueshme, që është një ambasador shumë i mirë, toni i tij, mënyra e tij të shprehurit është shumë e ndryshme nga e imja dhe ai që do të vijë pas tij do të jetë ndryshe, por pika themelore është kjo: nëse ambasadorët Ries dhe Arvizu do të ishin këtu pranë meje tani, ne do të ishim absolutisht në një zë për mbrojtjen e parimeve demokratike dhe sjelljes demokratike në Shqipëri. Nuk do të kishte asnjë mospërputhje në këtë drejtim. Pra cilado qoftë mënyra jonë e të shprehurit, politika është njëlloj dhe nuk ka ndryshuar.

Zëri i Amerikës: Por nëse ju jeni aq i shqetësuar për nivelin e demokracisë, korrupsionin, siç jeni shprehur edhe për njerëz që janë afër kryeministrit Berisha, për nepotizëm në qeveri, nuk mendoni që nga këto shqetësime kaq të mëdha qeveria amerikane do të kishte marrë masa, por nuk duket se ka pasur ndonjë gjë të tillë.

Ambasador Withers: Më besoni, qeveria ka shumë mënyra për të shprehur këndvështrimet dhe opinionet e veta. Megjithëse Wikileaks ishte diçka negative, sepse diplomacia nuk mund të funksionojë pa besimin e ndërsjelltë të shkëmbimeve tona diplomatike, një gjë që treguan shumë qartë dokumentat e bëra publike. Si kur unë isha atje, apo kur ambasadorja Ries ishte atje dhe tani që është ambasadori Arvizu – të jeni të sigurt që ne themi të vërtetën, ashtu siç e shohim. Ne nuk kemi njerëz të preferuar, ne nuk lejojmë çështje personale që të ndërhyjnë tek ajo që shohim në realitetin e vendeve për të cilët jemi përgjegjës. Dhe përsa i takon marrëdhënieve me kryeministrin, ajo që tregojnë (këto dokumenta) është se kishte plot mosmarrëveshje edhe me udhëheqës të tjerë, me udhëheqësin e opozitës, me ata të partive të vogla...

Zëri i Amerikës: Ku konsistonin këto mosmarrëveshje? Ju u larguat sapo filluan mosmarrëveshjet për zgjedhjet lokale. A patët atëherë bisedime me udhëheqësin e opozitës për klimën e konflikteve të vazhdueshme politike?

Ambasador Withers: Diskutimet që unë kisha me opozitën për strategjinë e tyre për bojkot të përhershëm, ishin shumë të hapura. Këto nuk janë aq të njohura, thjesht sepse natyra e opozitës është e ndryshme nga ajo e qeverisë, por të jeni të sigurt që unë nuk jam ndryshe kur flas me këto për ato që unë i konsideroj praktika dhe sjellje themelore në demokraci.

Zëri i Amerikës: A pati një transformim në qëndrimin tuaj pas ngjarjes së Gërdecit, sepse vetë kryeministri e ka pranuar që më parë marrëdhëniet ishin të mrekullueshme dhe diçka ndryshoi pas kësaj ngjarjeje. Si do ta karakterizonit këtë ndryshim?

Ambasador Withers: Pa dyshim që diçka ndryshoi, por nuk isha unë që ndryshova. Mendoj se ai incident ishte një pikë kthese për këtë qeveri, sepse deri atëherë, ndoshta ngaqë anëtarësimi në NATO nuk kishte marrë fund, por deri atëherë qëndrimi i qeverisë ndaj institucioneve, veçanërisht atij të drejtësisë, kishte qenë shumë më pozitiv. Menjëherë pasi ndodhën shpërthimet e Gërdecit, qeveria ndryshoi qëndrim. Sulmet ndaj gjykatave, ndaj prokurorëve, kundër medias u bënë dominuese dhe për një person si unë, që nuk isha mësuar me një gjë të tillë, të pamundura për ta kuptuar. Letrat që Kryetarja e Parlamentit i dërgonte Prokurores së Përgjithshme, shkelnin në mënyrë flagrante kufirin mes dy pushteteve: atij legjislativ dhe gjyqësor, që në thelb, ishte një përpjekje për të imponuar se ç’duhet të bënte prokuroria. Sulme si ato ndaj Prokurores së Përgjithshme nuk i kisha parë kurrë. Dhe që nga ai moment përpjekjet për të kontrolluar se kush do të bëhej anëtar i gjykatës së lartë, sulmet ndaj asaj pjese të medias që thjesht po përpiqej të bënte punën e vet për të zbuluar se çfarë kishte ndodhur. Pastaj ishte situata e pazakontë që ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, për të cilin u gjykua që duhet të linte postin, u risoll në qeveri me një portofol tjetër. Pra përsëri mendja të shkon që këto veprime bien ndesh me mënyrën sesi funksionon demokracia. Po pse duhet ta bëjë një qeveri një gjë të tillë, pse nuk duhet të jetë organizmi kryesor, që të jetë i interesuar të zbulojë se çfarë ndodhi. Ne të gjithë pamë me tmerr pamjet, ambulancat, njerëzit, të mbuluar me gjak, të rinj, të moshuar u transportuan në spital, me ato plagë të tmerrshme dhe të gjithë shtruan pyetjes: Si ka mundësi që të ndodhë një gjë e tillë? Por në vend që të fillonte një përpjekje të pareshtur për të zbuluar të vërtetën, qeveria u kthye kundër institucioneve që kishin detyrën të zbulonin të vërtetën. Dhe të lind pyetja: Çfarë nuk donin ata të zbulonte publiku?

Kur vizitova Gërdecin, unë takova një grua që mbante një varëse me një medalion ku kishte vënë fotografinë e të birit që kishte humbur jetën nga shpërthimi dhe më tha: “Zoti Ambasador, a do ta shoh drejtësinë të vënë në vend?” Dhe unë i detyrohem asaj një ndjesë të thellë dhe nëse do të mund ta takoja, do t’i kërkoja falje sepse unë i thashë: “Po, drejtësia do të vihet në vend”. Por kaq vjet më pas, nuk ka pasur drejtësi për këtë zonjë, apo për të tjerët që u dëmtuan, apo u plagosën dhe kjo është diçka shumë e trishtueshme. Më vjen keq që i premtova një gjë të tillë. Kisha më shumë besim tek qeveria dhe institucionet, sesa ishte e justifikueshme.

Zëri i Amerikës: Gjykata e lartë mori vendimin për pafajësi për ish-kryeministrin Ilir Meta. Keni ndonjë koment?

Zëri i Amerikës: Nuk e kam parë vendimin dhe tani këtu po e dëgjoj prandaj nuk mund të komentoj konkretisht. Por ajo që mund të them është se përtej anës ligjore, është e rëndësishme që perceptimi për politikanët në udhëheqje të jetë në një standard më të lartë se gjithkush tjetër dhe shpresoj që perceptimi për këtë përfundim të mos jetë negativ as për veprimet e zotit Meta, dhe as për gjykatën. Parimi që duhet aspiruar është: a janë udhëheqësit vërtet të angazhuar ndaj demokracisë. A është ajo pjesë integrale e tyre? Një provë e kësaj do të jetë votimi për presidentin. Sipas Kushtetutës, kjo mund të bëhet me një shumicë të thjeshtë. Por me shpirtin e demokracisë, një udhëheqës nuk do të fshihej pas anës ligjore, por do të ishte i pari që të dilte dhe të thoshte se në një kohë kur Bashkimi Evropian dhe miqtë tanë amerikanë janë aq të shqetësuar për ndasitë e thella politike, unë do të jem i pari që të këmbëngul për një president konsensual. Kjo do të ishte udhëheqje.