Shqipëri: Vazhdojnë debatet për rezultatin e Tiranës

  • Armand Mero

Shqipëri: Vazhdojnë debatet për rezultatin e Tiranës

Në Shqipëri Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përsëriti sot se do të bëjë verifikimin e të gjitha tabelave të rezultateve për Tiranë përpara se të nxjerrë rezultatin përfundimtar të garës për Tiranën. Kryetari aktual Edi Rama shpalli dje fitore ndaj rivalit të tij demokrat Lulzim Basha. Por sërish kryeministri Sali Berisha u shpreh sot se sipas të dhënave të partisë së tij zoti Basha ka në të vërtetë më shumë vota. Partia Demokratike njoftoi se ajo do të kërkojë shqyrtimin e të gjitha fletëve të konsideruara si të kontestuara gjatë procesit.

Duket se fituesi për Tiranën do të mbetet peng i një procesi të gjatë që nuk do të mbyllet vetëm me shpalljen e rezultatit nga Komisioni qendror i zgjedhjeve. Ky i fundit u shpreh sot përmes kryetarit Arben Ristani se do të bëjë verifikimin e të gjithë tabelave të komisioneve përpara se të nxjerrë rezultatin:

"KQZ merr tabelat e rezultateve nga te gjitha Komisionet Zonale te Tiranës, do t’i bëjë nje verifikim atyre per mënyrën se si është pasqyruar rezultati dhe brenda 48 orëve nga momenti që do të mbledhë të gjIthë tabelat do të ketë një tabelë përmbledhëse për rezultatin e Tiranës".

Deri më tani në komision janë dorëzuar pak më shumë se gjysma e dokumentacionit dhe 48 orëshi nis pasi komisioni ka në dorë edhe procesverbalin e fundit. Por shpallja e rezultatit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk është hallka e fundit. Sot sërish Kryeministri Sali Berisha tha se nga të dhënat në dispozicion kandidati demokrat Lulzim Basha ka marrë më shumë vota:

"Ky rezultat është absolutisht sipas të gjitha të dhënave që kemi ne, dhe, ne disponojmë të dhëna të pakundërshtueshme se janë disa herë më shumë se 10-ta e Rames, vota të hedhura nga qytetarët e Tiranës për zotin Basha. Dhe me gjithë këtë, ajo çka unë garantoj, është se ne do pranojmë cdo rezultat të paraqitur nga institucionet demokratike të këtij vendi".

Kryeministri paralajmëroi qartë se do të kërkohet vlerësimi i të gjithë votave të konsideruara të kontestuara. Dhe ndërkaq, në të vërtetë ka nisur një debat lidhur me disa fletë votimi për kryetarin e Bashkisë së Tiranës që janë gjetur në kutitë e tjera të votimit. Por socialistët nga ana e tyre përmes deputetit Pandeli Majko kërkuan sot nga komisioni qëndror i zgjedhjeve të mos vonojë me nxjerrjen e rezultatit:

"PS sot zotëron një dokumentacion të plotë të firmosur jo vetëm nga socialistët por edhe nga demokratët në respekt të ligjit. Këto dokumenta flasin qartë, unë këtu kam në dorën e majtë, të gjithë statistikat që flasin qartazi, të gjitha tabelat përmbledhëse, të cilat shpresojmë se KQZ, në respekt të ligjit do të marrë një vendim sa më të shpejtë. Koha nuk pret, besoj se si të majtët ashtu dhe të djathtët jemi të lodhur për disa arsye të cilat nuk janë të reja, por mendoj se ka ardhur koha ti jepet fund lodrave të fjalëve".

Sytë për momentin janë drejtuar në komisionin qendror të zgjedhjeve. Gjatë paradites ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian, Etore Sekui, zhvilloi një takim me kryetarin Arben Ristani. Ambasadori Sekui vuri edhe një herë theksin te rëndësia që ka procesi zgjedhor në të ardhmen e procesit të integrimit europian, duke shprehur besimin të profesionalizimi i institucioneve shqiptare.