Shqipëri: Vazhdojnë debatet mbi vendimin e Kolegjit Zgjedhor

  • Armand Mero
    Tiranë

Shqipëri: Vazhdojnë debatet mbi vendimin e Kolegjit Zgjedhor

Një ditë pasi shefja e njësisë për Shqipërinë në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Europian, Marta Garcia Fidalgo, tha në Bruksel se shqetësimi për votat e hedhura ne kutitë e gabuara do të jetë kyç në vlerësimin e zgjedhjeve vendore të mbajtura në Shqipëri më 8 maj, kryeministri Sali Berisha dhe kryetari socialist Edi Rama iu rikthyen debatit për Tiranën duke mbajtur të njejtat pozicione mbi këtë çështje.

Në mbledhjen e komitetit ndërministror për Integrimin, kryeministri Sali Berisha deklaroi se rezultati i ngushtë në Tiranë është një test për shtetin ligjor dhe se shumica në vend të zgjidhjes politike kishte preferuar atë përmes shtetit ligjor.

Parimi i numërimit të çdo vote ku qëllimi i qytetarit është shprehur, është parimi më themelor i çdo sistemi zgjedhor, një parim që ekziston në çdo demokraci, tha kryeminisri. Ky qëndrim shtoi ai, gjeti sanksionim të plotë edhe në vendimin e kolegjit zgjedhor të premten e shkuar, një vendim që siç u shpreh zoti Berisha, ishte në mbështetje të kushtetutës.

Por nga ana e tij kryetari i opozitës Edi Rama tha se komentet e djeshme nga Brukseli janë një këmbanë alarmi se gjërat në Shqipëri sipas tij, nuk po shkojnë në drejtimin e duhur. Ai ripërsëriti se nga vendimi i ardhshëm i Kolegjit Zgjedhor për ankesën e dytë të opozitës, do të varet edhe rruga që do të ndjekë më pas vendi, duke deklaruar se procesi i integrimit të vendit është i rrezikuar, tha zoti Rama.