Shqipëri, parlamenti pro privatizimit të hidrocentraleve, opozita mungon

Shqipëri, parlamenti pro privatizimit të hidrocentraleve, opozita mungon

Parlamenti miratoi sot brenda pak minutash pa debate thelbësore raportin vjetor të Bankës së Shqipërisë dhe ligjin për privatizimin e 4 hidrocentraleve të vegjël, ndërsa deputetët e opozitës bojkotuan edhe sot senacën plenare.

Guvernatori i Bankës Qendrore, Ardian Fullani, tha se “gjatë vitit të kaluar ekonomia shqiptare shënoi rritje dhe inflacion brenda parashikimeve, ndërsa treguesit kryesorë makroekonomikë u mbajtën me kujdes nën kontroll”.

Guvernatori Fullani tha se fuqia kredituese e sistemit bankar ishte rritur dhe në këtë mënyrë bankat mbështetën më shumë investime në sektorët e shërbimit dhe prodhimeve të ndryshme.

Guvernatori tha se deficiti buxhetor u përgjysmua gjatë 2010, ndonëse ai mbetet sërish problem kryesor, krahas edhe presioneve inflacioniste që vijnë nga jashtë vendit. Sipas tij, monedha kombëtare ruajti një qëndrueshmëri të dukshme, dhe kjo mbështeti bizneset vendase; ku ndër kryesoret janë shërbimet dhe ndërtimi.

Nga ana tjetër, parlamenti miratoi ligjin për privatizimin e katër hidrocentraleve të vegjël, me synim që të përmirësohet, si thanë zyrtarët, prodhimi dhe ecuria teknologjike e tyre.

Disa deputetë demokratë dhe ministri i ekonomisë, energjisë dhe privatizimeve, Nasip Naço, replikuan në mungesë me deputetët e opozitës për kritikat që ata kanë shprehur për këtë proces.

Ministri Naço tha se gjatë viteve të diktaturës, ekonomia shqiptare u traumatizua disa herë me konfiskime dhe shtetëzime masive të pronave të qytetarëve, ndërsa tani në demokraci qytetarëve u shërbehet me privatizime transparente dhe të frytshme.

Sipas zotit Naço, “Korporata Elektro-Energjitike Shqiptare KESH po i privatizon këto katër hidrocentrale të vegjël që të ulë kostot e mirëmbajtjes së tyre dhe të kujdeset më mirë për hidrocentralet e mëdhenj në veri të vendit”.

Kjo masë, tha ministri i energjisë, do të rritë prodhimin energjitik, do të liberalizojë tregun energjitik dhe i hap rrugën investuesve të huaj, ndërsa paratë nga këto privatizime do të përdoren për investime të tjera publike gjatë 2011.

Partia Socialiste ka deklaruar se kur të vijë në pushtet do të anullojë këto privatizime, që sipas drejtuesve të saj, qeveria Berisha po i bën për të mbuluar abuzimet dhe shpenzimet e pajustifikuara.

Opozita vazhdimisht i ka parë me dyshim proceset privatizuese të ndjekura nga qeveria për objekte të vogla e të mëdha, ndërsa qeveria është përgjigjur me masa për thellim e garanci për transparencë.