KQZ vazhdon numërimin e votave në kutitë e gabuara

  • Armand Mero

KQZ vazhdon numërimin e votave në kutitë e gabuara

Në Shqipëri Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisi sot verifikimin e fletëve të votimit për kryetarin e bashkisë së Tiranës të cilat ishin hedhur gabimisht në kuti të tjera. KQZ-ja i ka quajtur ato fletë të vlefshme dhe po i përfshin në rezultatin për kryeqytetin. Gjatë ditës, përpara godinës së komisioni ka patur tension si dhe përleshje mes deputetëve socialistë dhe forcave të shumta policore, të cilat nuk lejuan që deputetët të hynin në mbledhjen e komisionit.

KQZ-ja po vazhdon me procedurat e nisura që paradite duke vlerësuar fletët e votimit që janë hedhur në kutitë e gabuara dhe duke modifikuar kështu edhe rezultatin për Tiranën, i cili deri para ditës së sotme nxirrte me një diferencë prej 10 votash kryetarin aktual të bashkisë dhe kryetarin e opozitës Edi Rama kundrejt rivalit të tij të Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Deri tani (ora 22:00) 29 fletëvotime ishin në favor të kandidatit Lulzim Basha dhe 10 në favor të kandidatit Edi Rama, gjë që e çon rezultatin e përgjithshëm në 9 vota diferencë në favor të zotit Basha pas 17 kutive të hapura.

Komisioni po vazhdon punën me debate të forta brenda sallës. Gjithë mjedisi jashtë është rrethuar nga forca të shumta policie dhe forcave të njësive speciale.

Ndërkohë që para hyrjes së godinës së komisionit prej disa orësh po qëndrojnë deputetë socialistë dhe përkrahës të opozitës.

Ende nuk dihet se deri kur do ta vazhdojë KQZ-ja punën për verifikimin e këtyre fletëve të votimit. Sipas vendimit të tij, janë të paktën 7 komisione zonale që janë kontestuar sepse janë gjetur fletëvotimet për kryetarin e bashkisë në kutitë e gabuara.

Ndërkohë nuk ka munguar reagimi ndërkombëtar dhe ai i drejtuesve të dy forcave më të mëdha politike. Kryeministri Sali Berisha përsëriti sot se fletëvotimet e hedhura në kutitë e gabuara janë plotësisht të vlefshme dhe e quajti një akt mjaft të rëndë rrethimin e godinës së KQZ-së nga deputetët dhe simpatizantët e opozitës.

Ndërkohë opozita ka reaguar mjaft ashpër dhe grupi parlamentar i partisë socialiste vendosi që të hidhet në protesta masive, gjë që u konfirmua edhe nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama i cili gjithashtu ftoi popullin të hidhet në revoltë dhe të dalë në rrugë për të përmbysur këtë regjim, siç u shpreh ai, i cili po vjedh votat dhe po vjedh të ardhmen e Shqipërisë.