Në Shqipëri, kolegji zgjedhor përcaktoi sot trupën e gjykatësve të cilët do të shqyrtojnë kërkesë padinë e re të paraqitur dje pasdite nga partia socialiste.
Seanca do të zhvillohet të hënën e ardhshme, më 13 qershor.
Te premten e kaluar kolegji rrëzoi kërkesën e opozitës për të konsideruar të paligjshëm vendimin e Komisionit qëndror të zgjedhjeve i cili i hapi rrugë rinumërimit të fletëve të votimit të hedhura në kutitë e gabuara, pas të cilit u shpall fitues në garën për Bashkinë e Tiranës kandidati demokrat Lulzim Basha.
Këtë herë socialistët kërkojnë gjykimin ne themel të cështjes që lidhte me fletët e votimit të hedhura në kutitë e gabuara.
Në tekstin e ankimimit socialistët shprehen ndër të tjera se Komisioni qëndror i Zgjedhjeve, me hapjen e kutive për numërimin e fletëve të votimit që ndodheshin në kutitë e gabuara ka ndryshuar tabelat e grupeve të numërimit në kundhërshtim flagrant me ligjin sipas tyre.
Ata ankohen edhe për faktin se në fund të procesit të rinumërimit dhe ndryshimit të tabelave, rezultojnë 357 fletë votimi më shumë se sa votues, ndërkohë që edhe konsiderimi si të vlefshme të fletëve të hedhura në kutitë e gabuara bie në kundërshtim me përcaktimet e kodit zgjedhor, sipas opozites.