Shqipëri: Kërkohet shtyrja e regjistrimit të popullsisë

  • Raimond Kola

Shqipëri: Kërkohet shtyrja e regjistrimit të popullsisë

Në Shqipëri janë shtuar zërat për shtyrjen e procesit të regjistrimit të popullsisë, i njoftuar gati një vit më parë nga qeveria shqiptare. Procesi, i pritshëm për të nisur gjatë muajit prill të këtij viti, ka ngjallur debate të forta në opinionin publik shqiptar.

Ndërkohë në fillim të majit në Shqipëri mbahen zgjedhjet vendore dhe nëse regjistrimi i popullsisë do të zhvillohej paralelisht do të ndeshej me mjaft sfida, vërejnë analistët e çështjeve vendore.

Debatet më të ndezura në opinionin shqiptar lidhen me përfshirjen në regjistrim të deklarimit të kombësisë dhe të fesë. Faktorë politikë, historianë dhe intelektualë të njohur shqiptarë kanë shprehur shqetësimin se deklarimi i fesë dhe kombësisë do të rriste në mënyrë fiktive numrin e minoriteteve në vend duke u bërë shkak për spekulime.

Është i njohur tashmë fakti se disa mijëra emigrantë shqiptarë në Greqi gjatë viteve të tranzicionit kanë ndryshuar emrat dhe madje mjaft prej tyre kanë bërë përpjekje edhe për të ndryshuar dokumentet e identitetit. Kjo për shkak të përfitimit të vizave për në Greqi apo presionit që u bëhej për punësimin apo integrimin në shoqërinë greke.

Por organizatat e pakicave dhe subjekte politike si Partia e të Drejtave të Njeriut e kanë përkrahur përfshirjen e deklarimit të fesë dhe etnisë në regjistrimin e popullsisë.

Në diskutime u përfshi pak ditë më parë edhe një diplomat grek në Konsullatën e Përgjithshme në Korçë, i cili pak muaj para përfundimit të mandatit u thirr nga Ministria e Jashtme greke në Athinë për tejkalim të fjalorit diplomatik pas shqetësimit të paraqitur tek autoritet greke nga autoritetet shqiptare.

Tonet e debateve janë bërë më të forta ditë e fundit pasi Këshilli i Lartë i Drejtësisë evidentoi një numër të lartë të pranimit nga gjykatat të rasteve të ndërrimit të kombësisë së shtetasve shqiptare. Inspektimet treguan se vetëm në Gjykatën e Faktit të Gjirokastrës janë rreth 1600 raste të ndërrimit të kombësisë ndërkohë që edhe në gjykatat e tjera të rretheve jugore ky numër është i lartë.

Gjatë inspektimeve parapake janë vërejtur shkelje të shumta, ndërkohë që i mbetet Këshillit të Lartë të Drejtësisë të analizojë edhe shqetësimet në opinion se ky proçes i pranimit të ndërrimit të kombësisë ishte i shoqëruar me akte korruptive ne gjykata. Evidentimi i rasteve është shoqëruar nga ana tjetër me kërkesën për rishikimin e Ligjit për Gjendjen Civile, i miratuar në Shqipëri pak vite më parë.

Me emra të njohur të drejtësisë u bashkua dje edhe ish-presidenti Alfred Moisiu, i cili e cilësoi anti-kushtetues ligjin për gjendjen civile, i cili përcakton kombësinë e shtetasve. Zoti Moisiu tha se mbështetur mbi këtë ligj, që bie ndesh sipas tij dhe me konventat ndërkombëtare, po mundësohet ndryshimi i kombësisë nga shqiptare në greke, pa u mbështetur në prova dhe fakte.

Ish-presidenti u shpreh edhe kundër nismës së qeverisë për regjistrimin e popullsisë mbi bazë etnie, duke e cilësuar edhe atë si anti-kushtetues. Zoti Moisiu tha se Kushtetuta si ligji themeltar i shtetit nuk e njeh kombësinë, por ka të shkruar në dispozitat e saj vetëm mbi shtetësinë.