Shqipëri, debatohet projekt-buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm

Shqipëri, debatohet projekt-buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm

Parlamenti shqiptar shqyrtoi sot projekt-buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm, në qendër të të cilit janë disa investime të konsiderueshme në infrastrukturën rrugore, arsimore e spitalore të vendit, si edhe shkurtime të shpenzimeve administrative, krahas rritjes së re të zakonshme të pagave dhe pensioneve.

Kryeministri Sali Berisha tha se ky është projekt-buxheti më i madh që vendi ka hartuar deri më sot. Investimet në rrjetin rrugor janë përqendruar në hapjen e një tuneli në autostradën Tiranë-Elbasan dhe vazhdimi i ndërtimit të autostradës së jugut. Ai u bëri thirrje deputetëve të opozitës që të votojnë pro këtij projekt-buxheti, dhe të vëzhgojnë zbatimin e plotë të tij…

“Ta ndiqni këtë buxhet, monitorojeni këtë buxhet qindarkë për qindarkë, se kjo është detyra juaj si opozitë, të qëndroni si garant të zbatimit të tij të përpiktë, dhe të transparencës së plotë në përdorimin e tij. Është e vërtetë që buxheti miratohet edhe vetëm me votat e shumicës, por ju ftoj, të nderuar deputetë, që të votoni këtë buxhet. Mos e humbni shansin për t’u bërë me votën tuaj bashkautorë në buxhetin më të madh që ka njohur vendi në historinë e tij, i cili do të sjellë transformimet më të mëdha në një vit se çdo buxhet tjetër” - iu drejtua kryeministri Berisha deputetëve të opozitës.

Por opozita shprehu skepticizmin e vet për këtë projekt-buxhet, i cili sipas saj nuk mbështetet në llogaritje realiste. Opozita socialiste e kritikoi projekt-buxhetin për llogaritje euforike të investimeve publike për vitin e ardhshëm. Sipas saj, projekt-buxheti nuk është realist në parashikimin e investimeve, as në parashikimin e mbledhjes së taksave dhe as për rritjen ekonomike.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, deklaroi se projekt-buxheti nuk është transparent dhe madje shifrat janë më të ulta se një vit më parë.

“Të ardhurat nga tatimet në buxhetin 2011 janë më të vogla se buxheti fillestar i 2010. Të ardhurat nga taksat dhe doganat po ashtu janë më të vogla se buxheti fillestar i 2010. Të ardhurat për pushtetin vendor në parashikimet 2011 janë më të ulta se buxheti i vitit të kaluar. Të ardhurat për sigurimet shoqërore 2011 janë më të vogla se buxheti i 2010. Po e njëjta gjë reflekton edhe tek shpenzimet” - tha zoti Ruçi.

Fondi Monetar Ndërkombëtar i kërkoi Shqipërisë “të ulë deficitin buxhetor dhe borxhin e brendshëm gjatë hartimit të projekt-buxhetit, për të rritur qëndrueshmërinë dhe normalitetin e ekonomisë së vendit”. Një mision i FMN vizitoi Shqipërinë në kohën kur qeveria hartoi projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm, dhe deklaroi se “ulja e borxhit dhe e deficitit duhen bërë me masa dhe parashikime realiste”.