Policia njoftoi se si pasojë e një aksidenti të rëndë të linjës së autobuzëve Tiranë-Athinë të paktën 9 persona humbën jetën dhe rreth 41 të tjerë u plagosën, disa prej të cilëve ende në gjendje të rëndë.
Dhjetëra trupa të policisë dhe reparteve zjarrfikëse i nxorrën viktimat nga skeleti i autobuzit që rrëshqiti në humnerë në segmentin që lidh Ballshin me Tepelenën në rreth 100 metër thellësi nga aksi rrugor.
Policia po heton dëshmitë e disa prej udhëtareve të cilët pohuan se shoferi, një shtetas grek, në momentin e aksidentit ishte duke folur në telefon. Dëshmi të tjera e lidhën aksidentin me drejtimin pa kujdes të mjetit duke hedhur dyshime se shoferi kishte konsumuar pije alkolike.
Rezultatet e ekspertizes pritet të dalin sot nga policia e qarkullimit rrugor te Fierit. Burime paraprake thanë se drejtuesi i mjetit i mbijetoi aksidentit dhe po merr ndihmë spitalore.
Operacioni i shpëtimit të udhëtarëve që zgjati mbi katër orë u krye në një terren mjaft të vështirë dhe me reshje ndërkohë që të plagosurit morën ndihmën e parë në spitale të ndryshme si atë të Gjirokastrës, Tepelenës dhe Fierit.
Policia tha se rreth orës 23.30 nga autobuzi është bërë e mundur të nxirren të gjithë udhëtarët dhe pritet që bilanci përfundimtar i aksidentit të mësohet gjatë ditës së sotme pasi të plagosurit janë shpërndarë në spitale të ndryshme .
Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili dhe Zv. Ministri I Brendshëm Avenir Peka kanë ndjekur nga afër operacionin duke kordinuar edhe të gjithë ndihmën për të plagosurit.
Aksidenti është nga më të rëndit e këtyre viteve të fundit në aksin rrugor që lidh Fierin me Tepelenën. Shumica e të plagosurve dhe viktimave janë të rinj të grupmoshave të ndryshme dhe nga zona të ndryshme të Shqipërisë. Që të gjithë udhëtonin në drejtim të qyteteve të ndryshme të Greqisë.