Shpërthim i fuqishëm pranë ndërtesës së Qeverisë së Maqedonisë

Një shpërthim i fuqishëm, dhjetë metra afër ndërtesës së qeverisë së Maqedonisë, që ka ndodhur natën e së premtes, ka kaluar pa dëme materiale. Autoritetet thanë se po i analizojnë copëzat e gjetura të mjetit shpërthyes për të zbuluar llojin e lëndës shpërthyese, ndërkohë që aktualisht nuk dihen motivet dhe nuk ka persona të dyshimtë.
Organet e rendit po shikojnë filmimet nga kamerat e sigurisë për të parë nëse mund të ketë ndonjë lëvizje të dyshimtë, njofton policia.
Qeveria e Maqedonisë, vetëm para pak muajsh ishte në shënjestër të një sulmi me armë, me ç’rast u dëmtua vetëm një pjesë e fasadës, ndërsa organet hetuese nuk arritën të zbulojnë autorët.
Në një zhvillim tjetër, po mbrëmë në një kafene në Tetovë ka mbetur i vrarë një i ri 21 vjeç dhe të paktën tetë të tjerë janë plagosur pasi një person hapi zjarr brenda kafenesë në qendër të qytetit. Gjashtë nga të plagosurit janë dërguar për të marrë ndihmë mjekësore në spitalin shtetëror të Shkupit, ndërsa të tjerët janë ndalur në spitalin e Tetovës.Sipas njoftimeve, të gjithë të përfshirët në këtë ngjarje janë shqiptarë, ndërkohë që ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë.