Stigma ndaj viktimave të dhunës seksuale, është diçka e njohur dhe debatuar në pothuajse çdo vend të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Tani imagjinoni traumën e shkaktuar prej saj, të njëqind fishuar nga përdorimi i saj si armë lufte nga armiku dhe nga patriarkalizmi i një shoqërie që turpin e vendos tek shpirti i vrarë njëherë i viktimave.
Kjo temë trajtohet në filmin e dhimbshëm nga Kosova “Tri Dritare dhe një Varje” që debuton në Shtetet e Bashkuara me një premierë nesër në Uashington në kuadrin e Festivalit të Filmit të Pavarur të kryeqytetit amerikan.
Your browser doesn’t support HTML5
Filmi me skenar të Zymber Kelmendit dhe regji të Isa Qoses, ishte i pari prodhim nga Kosova që u dorëzua për konkurrim për Oscars dhe fitoi çmimin Kinemaja për Paqe dhe Drejtësi që organizohet në Berlin prej vitit 2002.
Stigma ka ndjekur që nga përfundimi i luftës gratë dhe vajzat që ishin viktima të përdhunimeve dhe producenti i filmit, Shkumbin Istrefi thotë për një intervistë për Zërin e Amerikës tha se për autorët është e pritshme që ky debati për këtë temë të ngacmohej nga filmi.
“Meqenëse ende nuk është hapur kjo si çështje por ende qëndron si një temë e pabiseduar, kemi ndjerë nevojën që t’i qasemi edhe si kinematografi kësaj teme dhe ta shqyrtojmë këtë problem social që ende është aktual në shoqërinë kosovare”.
Ai përmend faktin që kohët e fundit disa shoqata të grave me nismën e Presidentes Atifete Jahjaga, kanë nisur një nxitje të mbështetjes dhe dialogut për këtë çështje.
Zoti Istrefi i referohet peticionit me anë të të cilit kërkohet drejtësi ndërkombëtare për mijëra viktima të përdhunimeve gjatë luftës.
Peticioni synon të nxisë sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon që të hartojë një raport ndërkombëtar për këtë formë krimi në Kosovë.
“Tri Dritare dhe një Varje” flet për Lushen, mësuese fshati, e cila thyen heshtjen duke deklaruar para një gazetareje të huaj se ajo dhe tri gra tjera të fshatit ishin viktima të përdhunimeve nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
Kjo deklaratë, e cila konsiderohet si turp në mjedisin ku ajo jeton, shkakton shqetësim tek burrat e fshatit, të cilët nën udhëheqjen e Ukës, fillojnë stigmatizimin e saj dhe kërkojnë largimin e saj nga fshati.
Trajtimi i kësaj teme nuk është thjesht një koncept artistic abstrakt, duke pasur parasysh që për shumë njerëz bëhej fjalë për të afërmet, fqinjat madje edhe nënat dhe motrat e tyre që kanë vuajtur nga kjo plagë e luftës. Producenti Istrefi e pranon që hulumtimi i kësaj teme ka qenë i vështirë, veçanërisht për skenaristin Kelmendi, regjisorin Qosja dhe aktores që luan rolin e protagonistes, Irena Cahani.
“Kemi pasur materiale nga organizatat joqeveritare, kemi pasur intervista të grave që kanë qenë viktima të kësaj dhune. Kemi parë ndjenjat me të cilat ballafaqohen dhe problemet me të cilat ballafaqohen në shoqërinë kosovare, kështuqë në një aspekt me pak material , por me shumë imagjinatë kemi mund të afrojmë një gjendje shpirtërore në të cilën gjenden këto gra”.
Vetë aktorja Cahani ka takuar një grua që ka folur edhe publikisht dhe ka biseduar me të për të përgatitur rolin megjithatë thotë producenti Istrefi…
“Gratë, viktimat e dhunës, ende janë të fshehura dhe ende nuk dalin publikisht për t’u njohur nga rrethi”.
Fakti që krijuesit kryesorë të filmit, regjisori, skenaristi dhe producenti janë të tre burra, mund të jetë një shenjë që arti ecën përpara shoqërisë siç ndodh në shumë vende, por a është edhe një tregues i vështirësisë së kësaj teme nga artistet gra?
“E veçanta e këtij filmi është që e sheh këtë ngjarje nga këndvështrimi i burrave. Do të thotë, nuk është thelbi i ngjarjes tek vuajtjet e viktimës por thelbi është se si mentaliteti patriarkal ballkanik e përjeton një ngjarje të tillë. Në këtë aspekt mendoj se më së miri kemi mundur ne burrat ta shohim këtë ngjarje”, thotë zoti Istrefi.
Por ai shton se personazhi kryesor është Lushja dhe autorët kanë shkuar në funksion të këtij personazhi.
Për një film që po shfaqet edhe në aktivitete ndërkombëtare, filmi ka pasur një buxhet jo shumë të lartë, rreth 570 mijë Euro, ndër të cilat 250 mijë nga Qendra Kinematografike Kosovare dhe sponsorizime të tjera.
Megjithëse kinematografia e Kosovës është zhvilluar 4-5 vitet e fundit, zoti Istrefi e pranon që mungesa e liberalizimit të vizave është një pengesë jo thjesht për të marrë pjesë në aktivitete por edhe për kontakteve, mundësive dhe partneriteteve, si edhe investimeve të ardhshme në kinematografinë e Kosovës.
Kohët e fundit filmat me prodhues dhe bashkëprodhues nga Kosova, kanë tërhequr vëmendjen e kritikës. Përveç filmit “Tre Dritare dhe një Varje” që shfaqet të dielën në Uashington, filmi “Burrneshat” një bashkëpunim Italisë, Zvicrës, Gjermanisë, Shqipërisë dhe Kosovës, mbështetur në romanin e shkrimtares Elvira Dones, u vlerësua pozitivisht në Festivalin e Berlinit. Ndërsa filmi “Heroi” me regji dhe skenar të Luan Kryeziut, u prezantua vitin që kaloi në premierën në Festivalin prestigjoz të Montrealit dhe ishte fituesi i Festivalit të Filmit Shqiptar në Nju Jork.