Akullnajat e Perusë po shkrihen, duke rrezikuar furnizimin me ujë të shkretëtirave bregdetare, ku jetojnë 70 përqind e qytetarëve të saj.
Shkrirja e tyre po kërcënon edhe sigurinë hidroenergjetike dhe ushqimore të vendit. Një grup studiuesish nga Universiteti Shtetëror i Ohajos, që nga mesi i viteve 1970, ka mbledhur të dhëna mbi shkrirjen e akullnajave në Andet e Perusë. Në korrik, ata shkuan përsëri në Peru për të vlerësuar gjendjen e akullnajave.
Akullnaja madhështore Quelccaya ndodhet në lartësinë e maleve Ande të Perusë dhe është një nga akullnajat më të studiuara në botë.
Dr. Lonnie Thompson dhe ekipi i tij nga Universiteti Shtetëror i Ohajos kanë bërë studime këtu që nga mesi i viteve 1970.
"Kjo është lugina e akullnajës Kori Qalis që ju mund të shihni në distancë. Atje ndodhet një liqen shumë i madh që është formuar që nga viti 1991. Pra i gjithë akulli në këtë zonë është shkrirë që nga viti 1991, duke krijuar një rrezik të ri për njerëzit që jetojnë poshtë luginës", thotë Dr. Thompson.
Fotografi të marra gjatë një periudhe 33-vjeçare, ilustrojnë tërheqjen e saj të konsiderueshme.
Sipas Qendrës Kombëtare të Borës dhe Akullit, Qori Kalis është tërhequr 1,1 kilometra, ose pothuajse 50 përqind, që nga viti 1963 kur filluan matjet e saj.
Ndryshimet klimatike rrezikojnë të shkaktojnë zhdukjen e plotë të akullnajave në vendet tropikale të Andeve brenda 20 viteve të ardhshme, duke vënë në rrezik burimet e ujit, të energjisë dhe ushqimit, thuhet në një raport të Bankës Botërore të vitit 2009.
Dr. Thompson dhe ekipi i tij janë kthyer në rajon për të vlerësuar situatën.
"Ky shkëmb është shtyrë nga akulli në vitin 1977. Në fakt këtu ka qenë një mur akulli dhe ne e kemi dokumentuar tërheqjen e kësaj akullnaje dhe formimin e këtij liqeni që nga viti 1977. Akullnaja tani ka filluar tërheqjen jashtë liqenit, duke vazhduar në pikat më të larta. Nga vit 2014 deri më 2015 ka patur një tërheqje prej 10 metrash ", thotë Dr. Thompson.
Shkrirja e akullnajës ka zbuluar mbetjet e bimëve të fosilizuara.
Në vitin 2011 ekipi gjeti bimë të fosilizuar të zbuluara nga shkrirja e akullit, të cilat janë më të vjetra se 6300 vjet.
Zoti Thompson thotë se kjo tregon se akullnaja nuk ka qenë më e vogël në më shumë se 63 shekuj.
Puna e Dr. Thomspon në bimët e fosilizuara në Qori Kalis është cituar në Senatin amerikan si dëshmi e qartë e ndryshimeve të shpejta që po ndodhin në Andet tropikale.
Ekipi ka mbledhur 17 mostra bimësh në këtë udhëtim, të cilat do të dërgohen në një laborator në Ohajo për studim më të hollësishëm.
Don Kenny, është një nga pjesëtarët e ekipit.
"Bimët janë marrë në distanca të ndryshme nga akullnaja, kështu që shpresojmë që përmes studimit të tyre, moshës së tyre, do të mësojmë datën e mbulimit të tyre me akull".
Peruja është ndër vendet më të prekura nga ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu.
Në këtë vend të Andeve ndodhen 70 përqind e akullnajave tropikale të botës, të cilat kanë humbur më shumë se një të pestën e madhësisë së tyre në vetëm tre dekada.
Si rezultat i kësaj shkrirjeje masive, 300.000 njerëzit që jetojnë në lartësi do të përballen me vështirësi ndërkohë që bari dhe bimët fillojnë të thahen, cikli i mbjelljeve çrregullohet dhe valët e të ftohtit bëhen më të shpeshta dhe më të ashpra.
Lima është kryeqyteti i dytë më i madh në botë i ndërtuar në shkretëtirë, pas Kajros. 10 milionë banorët e saj varen nga uji i akullnajave për hidrocentrale dhe ujitje.