Mbarë bota këto ditë është duke uruar e përshëndetur Zërin e Amerikës me rastin e 70 vjetorit të saj, duke pasur parasysh që është një nga mediat, zëri më i fuqishëm, i pashoq në botë i fjalës së lirë, i mendimit të lirë, një mesazher i pashoq i fjalës së lirë, i lirisë, i demokracisë, një simbol dhe sinonim i së vërtetës, i të drejtave universale. Me të gjitha kualifikimet, metaforat, cilësimet, bashkohem edhe unë si gjithë shqiptarët. Por në mënyrë të veçantë me këtë rast do të më pëlqente që t’u drejtoja përshëndetjet e mia në mënyrë të veçantë shërbimit shqiptar dhe stafit shqiptar të Zërit të Amerikës të cilët kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për të lidhur dhe miqësuar popullin shqiptar, dëgjuesin shqiptar me median më të madhe të botës së lirë, më Zërin e Amerikës.
Tek ne shqiptarët ky 70 vjetor i Zërit të Amerikës ka një gjë të veçantë sepse, për vetë kushtet e rrethanat tona historike të veçanta, Zëri i Amerikës për ne është njëzet, njëzet e ca vjeçar. Në ato vite ne filluam që të njihemi, të dëgjojmë Zërin e Amerikës, që të mësojmë prej Zërit të Amerikës dhe për ne mosha e Zërit të Amerikës është sa mosha e demokracisë shqiptare. Në këtë gjë një rol të jashtëzakonshëm ka pasur dhe ka shërbimi shqiptar, shembullor në çdo pikpamje, profesionale e atdhetare.
Unë mbaj mend vitet ’90 dhe ’91 që i kemi jetuar në mënyrë të veçantë, mbaj mend ato mbrëmjet e Tiranës kur zbrazej gjithçka, sheshe dhe rrugë, sepse vinte ora 6:00, vinte ora kur Elez Biberaj me atë zërin e tij drithërues jo vetëm na sillte fjalën dhe mesazhet e Amerikës, por arritën të trokisnin në shtëpitë e shqiptarëve, për herë të parë në historinë e dekadave ndoshte që të trokitej, të hyej në familjet shqiptare, të flitej dhe të merrej e të dëgjohej zëri i shqiptarëve direkt nga Shqipëria, nga shtëpitë apo zyrat e tyre në Zërin e Amerikës, gjë që ishte një lloj çudie, një çudi për atë kohë, po thyheshin tabu…ishte një çudi që shpaloste në fund të fundit gjënë më të thjeshtë dhe më të bukur, lirinë, demokracinë. Kjo gjë u mundësua në ato vite dhe ishte një mesazh i madh për zhvillimet: si do të zhvillohej, si do të ecnin proceset demokratike në Shqipëri.
Tek ne në Shqipëri janë shumë të nderuar si pishtarë të demokracisë, si martirë të demokracisë, të cilët e meritojnë, por për mua dhe jo vetëm për mua në ndërgjegjen e popullit shqiptar pishtari që ndezi Zëri i Amerikës dhe që diti ta vazhdonte dhe e vazhdon edhe sot e kësaj dite qoftë për fillimet, qoftë për vijueshmërinë e proceseve demokratike në Shqipëri, ashtu edhe në çështjen e Kosovës dhe në çështjen kombëtare shqiptare, ka qenë një pishtar i pazëvendësueshëm dhe në vendin e nderit në memorien e popullit shqiptar.
Në këtë mes unë bashkë me Zërin e Amerikës si një familje e madhe siç e quajnë, gjej vendin që të përgëzoj stafin dhe shërbimin shqiptar, i cili është shembullor qoftë në punën që bën dhe në problematikën që trajton, ashtu edhe në profesionalizëm. Vështirë të gjesh media shqiptare të shkruar ose të folur që të flasë me atë pastërti të gjuhës shqipe siç flet Zëri i Amerikës, me atë korrektësi siç i trajton problemet Zëri i Amerikës.
Ju uroj!