Policia e Teksasit tha se numri i të vdekurve nga një incident me armë zjarri në pjesën perëndimore të këtij shteti ka shkuar në të paktën shtatë.
Personi i armatosur që shtiu ndaj njerëzve po ashtu u vra.
Shefi i policisë në Odessa të Teksasit, Michael Gerke quajti të shtunën një "ditë të tmerrshme" pas humbjes së jetëve në qytetin Odessa dhe në Midland aty pranë.
Policia tha se incidenti filloi kur një i dyshuar rrëmbeu një automjet të Shërbimit Postar dhe nisi të hapë zjarr pa dallim ndaj njerëzve që i dilnin në rrugë.
Personi, i përshkruar nga policia si një i bardhë në të 30-tat, u qëllua dhe u vra pasi u bllokua nga policia në parkimin e një kinemaje, thanë autoritetet. Ata nuk dhanë ndonjë motiv për sulmin, në të cilin u plagosën edhe tre oficerë policie.
Ngjarja e së shtunës vjen pas një vrasjeje masive në fillim të gushtit në El Paso të Teksasit, ku shumë nga 22 viktimat ishin hispanikë.
Vetëm disa orë para kësaj, një person i armatosur në Dejton të Ohajos vrau nëntë njerëz. Dy ngjarjet që ndodhën brenda pak orëve nga njëra-tjetra çuan në thirrje për më shumë kontrolle armësh në Shtetet e Bashkuara.