Puna e shkencëtares Rosalind Franklin, kontribut madhor në gjenetikë

  • Debërah Bllok

Puna e shkencëtares Rosalind Franklin, kontribut madhor në gjenetikë

Shumë njerëz nuk ia kanë dëgjuar ndonjëherë emrin shkencëtares Rosalind Franklin. Kërkimet e saj ndihmuan në zbulimin e mistereve të strukturës së ADN-së. Në vitin 1952 ajo bëri radiografinë e një molekule që tregonte se ADN-ja kishte formën e dy fijeve që mbështilleshin rreth njëra-tjetrës duke marrë trajtën e një shkalle spirale. Imazhi i marrë nga radiografia, i njohur si fotografia numër 51, u dha mundësi shkencëtarëve të krijojnë modelin e ADN-së. Në muajin e historisë së gruas, në Qendrën e Komunitetit Hebraik në Uashington është vënë në skenë një dramë mbi punën e shkencëtares Franklin në një kohë kur shkenca ishte terren ekskluziv i burrave:

Është momenti magjik i Fotografisë 51. Shkencëtarja Rosalind Franklin sheh formën e ADN-së së një molekule.

Ajo ishte me profesion kimiste, e diplomuar me gradën e doktores së shkencave nga Universiteti i Kembrixhit. Rosalind Franklin ishte në të 30-at kur po bënte kërkime mbi AND-së. Ishte fillimi i viteve 1950.

Drama tregon punën e saj të palodhur dhe përgjithësisht të pavarur shkencore. Ajo shpesh kishte konflikte me kolegët e saj që e trajtonin me mospërfillje për shkak se ishte grua. Daniella Topol është regjisore e dramës:

“Nuk e thërrisnin Dr. Franklin, por Zonjusha Franklin. Nuk e lejonin të hante në dhomën e shkencëtarëve, ku lejoheshin gjithë kolegët e saj meshkuj. Ata kishin krijuar për të një mjedis ku ajo s’mund t’i besonte askujt”.

Zonja Franklin u përpoq të kuptonte si funksiononte ADN-ja, por nuk kishte mundësi. Pa lejen e saj, kolegu Maurice Wilkins ia tregoi fotografitë e saj shkencëtarit amerikan James Watson. Së bashku me kolegun britanik Francis Crick, ata arritën të ndërtojnë modelin e ADN-së. Kur shkencëtari Watson pa fotografitë, ai e kuptoi se AND-ja kishte formën e një shkalle spirale, të krijuar nga dy fije, duke arritur kështu të ndërtojë modelin.

Në vitin 1962, Crick, Watson dhe Wilkins morën Çmimin Nobel në Mjekësi, katër vjet pas vdekjes së Rosalind Franklin nga kanceri në moshën 37 vjeç. Çmimi u jepet vetëm personave që janë gjallë. Gjatë ceremonisë, nuk u përmend kontributi i shkencëtares Franklin. Kolegu i saj Watson e kishte mohuar në një masë të madhe kontributin e saj. Por Francis Crick, i cili vdiq në vitin 2004, ka thënë se zonja Franklin ishte vetëm “dy hapa larg” zgjidhjes së misterit të ADN-së.

Daniella Topol shpreson që drama jo vetëm t’u japë njerëzve fakte për shkencëtaren, por edhe një mënyrë për të kuptuar botën e saj:

“Dua që njerëzit të kuptojnë sa shumë arriti Rosalind Franklin dhe sa më shumë mund të kishte arritur nëse nuk do ta kishin izoluar, veçuar dhe diskriminuar”.

Rosalind Franklin hapi shtegun e parë në kërkimet mbi ADN-në. Fotografia e saj ndihmoi për të ndryshuar përjetësisht fushën e gjenetikës.