Ministri i Financave i Shqipërisë, Shkëlqim Cani tha të shtunën se reforma në sektorin e energjisë nuk ka synim rritjen e çmimeve për qytetarët, por eliminimin e mundësisë së vjedhjeve. Zoti Cani, që ndodhet në Uashington për të marrë pjesë në takimet e vjeshtës së FMN-së, tha në një intervistë për Zërin e Amerikps, se çmimi i energjisë nuk ishte pjesë e këtyre bisedimeve. Ministri i Financave tha se temat e bisedimeve për takimin e vjeshtës ku bëhen parashikimet për vitin e ardhshëm, përfshinin përveç energjisë edhe paketën fiskale dhe buxhetin e vitit 2015. Ai theksoi se pas 5-6 viteve të vështira, kur borxhi ka pasur tendencën në rritje, për herë të parë ai ndërron krah për vitin 2015 dhe fillon ulja. Në intervistën që i dha koleges Keida Kostreci tha se fakti që FMN-ja u largua në shtator pa përfunduar rishikimin e radhës dhe pa lëvruar këstin e parashikuar, i detyrohej pikërisht kompleksitetit të çështjeve financiare për të cilat ai diskutoi këtë radhë në Uashington.
Your browser doesn’t support HTML5
Zëri i Amerikës: Zoti Cani, përpara se të kalojmë tek temat që u diskutuan tek takimet, do të flasim për një lajm të mirë për Shqipërinë. Standard & Poor e ndryshoi vlerësimin për Shqipërinë nga “i qëndrueshëm” në “pozitiv”. Por, çfarë do të thotë kjo për banorin e zakonshëm të Shqipërisë?
Shkëlqim Cani: Për banorin e zakonshëm të Shqipërisë, ndoshta është pak e vështirë për ta shpjeguar, por ajo që ndoshta i vlen çdo banori shqiptar është që edhe një institucion tjetër privat, i pavarur, me reputacion të padiskutuar ndërkombëtar, që pas FMN-së, Bankës Botërore, po kështu çertifikon atë që në vazhdimësi qeveria ka komunikuar me publikun; që ekonomia shqiptare, financat shqiptare janë në rrugën e përparimit, në rrugën e progresit. Dhe doemos, që e tregon dhe vetë ky vlerësim i Standard & Poors.
Zëri i Amerikës: Bisedat që juve keni bërë këto ditë kanë lidhje me paketën fiskale dhe buxhetin e vitit të ardhshëm. Më konkretisht, a mund të na flisni ju lutem për këto zhvillime?
Shkëlqim Cani: Janë dy takime që zhvillohen në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore. Një është takimi i pranverës, dhe ky i dyti është takimi vjetor, takimi i vjeshtës. Të dy takimet kanë vlerën e tyre. I pranverës, si të thuash, çertifikon deri diku për hapat që ka bërë qeveria, kurse ky i vjeshtës më shumë është që vendos se çfarë do të bëhet gjatë vitit të ardhshëm. Dhe përkon mjaft mirë dhe me paketën fiskale. Përkon edhe me hartimin e buxhetit për vitin 2015.
Zëri i Amerikës: Cilat janë pikat kryesore ku do të mbështetet zhvillimi ekonomik i vendit për vitin e ardhshëm?
Shkëlqim Cani: Duke qenë që përkon me këtë, natyrisht që e gjithë vëmendja e të gjithë bisedimeve ka qenë për këto të dy çështjet, plus energjinë. Kryesisht është biseduar në këtë drejtim: të ketë një paketë fiskale fleksibël, në ndihmë të biznesit, në ndihmë të popullatës, dhe kuptohet dhe në ndihmë të buxhetit. Ndërsa për sa i përket buxhetit, është vendosur si parësore që të ndihmohet rritja ekonomike, ndërkohë që të shihet mundësia e uljes së borxhit për vitin 2015. Pra, nga vite të vështira, kur borxhi nga 5-6 vite rrjesht ka patur tendencën në rritje, për herë të parë ndërron krahun për vitin 2015 dhe fillon ulja. Në shifra relativisht të vogla, por ajo që ka rëndësi, që ka peshë, është kthimi i kahut të lëvizjes së borxhit, pra drejt uljes së borxhit. Natyrisht që brenda buxhetit do të ketë objektiv të tij edhe ruajtjen e stabilitetit makro-ekonomik të ekonomisë shqiptare.
Zëri i Amerikës: FMN-ja e shikon si rrezik për këtë stabilitet, për stabilitetin financiar, sektorin e energjisë në Shqipëri. Ndërkohë thuhet se do të rritet pagesa për qytetarët në Shqipëri për të përballuar këto shpenzime. Mendoni që është kjo e drejtë ndërkohë që ka shumë qytetarë që nuk i paguajnë këto detyrime për energjinë dhe mendohet që kjo ngarkesë do t’u bjerë atyre që janë më të rregullt, qytetarëve më të rregullt? A ka një rrugëzgjidhje për këtë?
Shkëlqim Cani: Nuk është e para herë që unë them që reforma në sektorin e energjitikës është një reformë shumë e ndërlikuar, një reformë shumë e thellë, një reformë gjithëpërfshirëse, dhe një reformë që kërkon mbështetje të gjithanshme nga të gjithë institucionet në Shqipëri. Natyrisht që udhëhiqet nga Ministria e Energjisë, por në fakt bashkërendohet me të gjithë instituticionet e tjera dhe ministritë e tjera. Dhe kuptohet, për nga pesha, është ndër reformat më të komplikuara, më të vështira për t’u realizuar. Dhe për këtë dhe është një periudhë të paktën intensive për tremujorin e fundit ku vetë Kryeministri në mënyrë të përjavshme është i angazhuar, është në krye të grupit. Kështu që, ka marrë vlerësimin e duhur. Pyetja juaj duket sikur po anon për nga një kënd i çështjes së çmimit të energjisë, pra duket sikur është e mirëqenë që do të rritet çmimi i energjisë. Qeveria ka bërë kujdesin e duhur. Ne, gjatë tërë bisedimeve, kemi bërë kujdesin e duhur që nuk do të preken çmimet e energjisë. Pra, kjo është një e thënë, e stërthënë, e artikuluar nga ministra të ndryshëm; kuptohet që natyrisht nga ministri i linjës, zoti Gjiknuri, por kuptohet, edhe nga Kryeministri. Tani më bie radha përsëri që ta rikonfirmoj që ne nuk kemi patur pjesë të bisedimeve çështjen e rritjes së çmimit. Pra, ne nuk negociojmë.
Zëri i Amerikës: Atëherë, nga do dali kjo shumë?
Shkëlqim Cani: Natyrisht që duke thënë që është një reformë gjithëpërfshirëse, e thellë, kuptohet që reforma do të ketë elementët e vet ku do të përfshihet. Dhe një nga elementët të cilët ne kemi diskutuar gjatë këtyre ditëve me FMN-në, por edhe më përpara, ose që është pjesë e paketës së reformës që ne pothuajse e kemi në përfundim dhe do të fillojë zbatimi i saj, është edhe çështja e heqjes së bllokut prej 300 kilovat/orë. Këtu përse bëhet? Nuk është edhe këtu faktor çmimi. Pra, nuk është gjëkundi përqëndrimi i qeverisë për të rritur çmimin e energjisë. Në të kundërtën. Kjo fashë prej 300 kilovat/orësh, e cila është me një çmim më të reduktuar në krahasim me përtej kësaj fashe, ka qenë objekt i vazhdueshëm spekullimi, objekt i vazhdueshëm reagimi nga popullsia; me CEZ-in dikur, dhe me OSHE-në tani, pra që njerëzit janë të pakënaqur sepse gjithnjë, me të drejtë apo jo, kujtojnë që, dhe ndoshta nuk e heq që edhe mund të kenë të drejtë, që ata faturuesit spekullojnë me ta dhe i mbifaturojnë. Po kështu, është një objektiv vjedhjeje, e thënë copë në shqip, nga elementë të ndryshëm. Pra, heqja e kësaj, nuk ka parasysh të rrisë çmimin, por ka parasysh që të heqë mundësinë e vjedhjes së këtij grupi njerëzish dhe të sistemimit të ankesave të popullatës. Tani, çmimi këtu do të vendoset si një çmimi mesatar, një çmim i cili asnjëherë nuk do të godasë familjet shqiptare. Qeveria ka bërë, dhe po bën, përkujdesjet dhe llogaritjet e duhura që familja shqiptare të mos pësojë asgjë nga kjo masë që është pjesë e një serie të tërë masash që po merren në sektorin e energjisë.
Zëri i Amerikës: Le të kalojmë në një temë tjetër. Misioni i FMN-së në shtator u largua pa bërë rishikimin dhe si pasojë nuk u lëvrua kësti. A kishte kjo lidhje me faktin e zhvillimeve që kanë rrethuar Bankën e Shqipërisë dhe kur pritet që të lëvrohet ky këst?
Shkëlqim Cani: Me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar në fakt ne si Ministri i Financave kemi patur diskutime të përqëndruara në të tre drejtimet që fola. Pra, si në paketën fiskale, si në buxhet, ashtu dhe në reformën në sektorin e energjisë. Për arsye se kur flasim për reformë në sektorin e energjisë gjithnjë nënkuptojmë pasoja në buxhetin e shtetit dhe në ekonomitë familjare. Kështu që, në këtë drejtim kanë qenë përqëndruar bisedimet. Natyrisht ngjarja ndodhi dhe ishte jashtë parashikimit dhe jashtë mundësive të qeverisë. Kështu që nuk është që është trajtuar në këtë drejtim siç thoni ju, që FMN-ja u largua për këtë arsye.
Zëri i Amerikës: Jo u largua, por thjesht që u vonua lëvrimi i këstit.
Shkëlqim Cani: Me FMN-në unë jam një negociator i hershëm. Kam shumë e shumë kohë që kam negociuar me FMN-në. Do ta quaja si një lëvizje të radhës, për arsye se FMN-ja në atë kohë erdhi pikërisht për të identifikuar këto momente. Pra, nuk kishte vetëm qëllim atë vlerësimin e ekonomisë shqiptare, por kishte një kërkesë të përsëritur dhe të rënë dakort mes palëve që ajo të vinte të na ndihmonte për një ecuri, një përshpejtim të proçesit, si të paketës fiskale ashtu edhe të buxhetit, dhe të sektorit të energjisë. Kuptohet që duke qenë që të treja këto nuk janë probleme që zgjidhen me një të rënë të lapsit, por janë shumë komplekse, ne si qeveri dhe misioni i FMN-së kërkuam kohën e nevojshme për të gjetur më racionalen dhe më optimalen në këto reforma. Mund t’ju them që paketa nuk është thjesht paketë ‘do rritet një taksë apo du ulet një tjetër’. Është një paketë e cila në kompleksin e vet prek një mori taksash dhe disa i sheh në rritje, disa i sheh në ulje. Dhe kuptohet, bën rregullimet e veta, siç bën çdo qeveri çdo vit. Ndërkohë buxheti është shumë i komplikuar për arsye se kërkon që për vitin 2015 të mbartë një kompleksitet të tërë fenomenesh që kanë ndodhur me energjitikën. Për arsye se energjia në 20 vjet ka patur një hap para, dy hapa pas, dhe në kompleks na është dashur që të reflektojmë. Kështu që të dyja palët i vijuan bisedimet edhe pas largimit të Misionit, edhe në këto ditë. Dhe Misioni do të vijë në Shqipëri për të bërë vlerësimin e radhës dhe për të parë këstin e radhës.