E ardhmja e Shengenit në dyshim

Sulmet terroriste në Paris e kanë vënë në dyshim të ardhmen e zonës Shengen të udhëtimit pa pasaporta në Evropë.

Disa nga autorët e sulmeve ishin të njohur për agjencitë e zbulimit, por nuk ishin kapur. Kjo është bërë shkak që ministrat evropianë të zhvillojë të premten një takim urgjent në Bruksel për të shqyrtuar rrugët e përmirësimit të sigurisë.

Zona Shengen lejon njerëzit të udhëtojnë pa kontrolle pasaportash nëpër 26 vende. Ky është një gur themeli i Bashkimit Evropian, por tashmë është bërë e qartë se sistemi ka probleme, thotë specialist i sigurisë kufitare Calum Jeffray i Institutit Royal United Services të Britanisë.

Holanda ka propozuar krijimin e një të ashtu-quajturi "mini-Shengen" nga i cili të përjashtohen vende si Greqia dhe Italia, ku mbërrijnë një numër i madh i emigrantësh pa dokumente; por, Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maiziere e hodhi poshtë planin të enjten.

Një nga ata që kryen sulm vetëvrasës në Paris, Ahmad Al-Mohammad, duket se ishte maskuar si refugjat për të udhëtuar nga Siria për në Greqi, nëpërmjet Turqisë.

Organizatori kryesor i sulmeve, Abdelhamid Abaaoud – i vrarë në një sulm të policisë në periferi të Parisit të mërkurën – mburrej në mediat sociale se ishte i aftë për të kaluar nga Evropa për në rajonet e ISIS-it në Siri dhe anasjelltas.