Ambasadori i Shteteve të Bashkuara pranë misonit amerikan në Organizatën për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, Ian Kelli, shprehu dje mbështetjen amerikane për përparimin e bërë nga Shqipëria dhe populli shqiptar gjatë 20 vjetëve të fundit.
Përsa i përket gjendjes së tanishme, tha ambasador Kelli, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë evropianë janë shprehur me një zë në mesazhet dërguar qeverisë shqiptare dhe Partisë Socialiste, si dhe popullit shqiptar. Të gjithë duhet t’i përmbahen kushtetutës, të zbatojnë ligjin, të respektojnë institucionet e pavarura dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe plotësisht në procesin zgjedhor.
Në valën e ngjarjeve të 21 janarit, komuniteti ndërkombëtar ka punuar intensivisht me të dy palët për një atmosferë që t’i shërbejë dialogut normal politik, tha ambasador Kelli. Provokimet, përfshirë edhe retorikën e ashpër, nuk u shërbejnë interesave të Shqipërisë, theksoi ai.
Hetimet e Prokurores së Përgjithëshme për ngjarjet e 21 janarit, tha më tej diplomati amerikan pranë OSBE-së, duhet të jenë në gjithëanëshme, të thella dhe të besueshme. Shtetet e Bashkuara, tha ambasador Kelli, i kanë bërë thirrje qeverisë shqiptare dhe Partisë Socialiste të shprehin publikisht mbështetjen për autoritetin e Prokurores së Përgjithëshme për të kryer hetime të paanëshme.
Zgjedhjet e 8 majit, tha zoti Kelli, janë një forum i ligjshëm për diskutimin dhe efektin e ndryshimeve politike. Shtetet e Bashkuara, krahas ODIHR-it do të vazhdojnë të ndjkin përgatitjet për zgjedhjet dhe janë gati të ndihmojnë për të siguruar një proces të lirë, të drejtë dhe të besueshëm, tha ambasadori i Shteteve të Bashkuara pranë misonit amerikan në Organizatën për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, Ian Kelli.