SHBA: Si zgjidhen kandidatët presidencialë

  • Jeffrey Young

Kandidatët që marrin pjesë në garën presidenciale këtu në Shtetet e Bashkuara, më parë bëjnë fushatë në secilin shtet, për të fituar mbështetjen e partive përkatëse. Në materialin në vazhdim njihemi me mënyrën se si funksionon përzgjedhja e delegatëve për në konventat kombëtare të partive në Shtetet e Bashkuara, dhe se si kryhet më tej votimi për të zgjedhur kandidatin përfundimtar.

Për të marrë pjesë si kandidat për president i Shteteve të Bashkuara në nëntor, rivalët duhet të fitojnë garën brenda partisë së tyre. Vendimi merret nga delegatët e partive.

Votimet për zgjedhjet paraprake, faktikisht përzgjedhin delegatët që mbështesin njërin prej kandidatëve në garë. Konkurrenti që merr shumicën e votës së delegatëve në konventën partiake, merr dhe kandididimin e partisë së tij.

Kur konventa republikane të zhvillohet në Tampa të Floridës në 27 gusht të këtij viti, aty duhet të jenë të pranishëm 2,268 delegatë. Për një kandidat do të duhen 1,144 delagatë që të marrë kandidimin republikan për garën presidenciale të nëntorit.

Konventa demokrate hapet në 3 shtator në Sharlot të Karolinës së Veriut, ku duhet të jenë pjesmarrës 5,554 delegatë. Do të duhen 2,778 delegatë për të kandiduar për herë të dytë zotin Obama për president, i cili nuk ka rivalë brenda partisë.

Dy partitë kanë formula të ndryshme për ndarjen dhe angazhimin e delegatëve për kandidatët presidencialë. Procesi i partisë demokratike shpjegohet nga sekretarja për shtypin e Komisionit Kombëtar Demokrat Melanie Rousell.

“Përfaqësia e partisë demokrate në çdo shtet organizon ose zgjedhjet paraprake qeveritare, ose partiake ose zgjedhje për të përcaktuar se sa delegatë do të përzgjidhen nga shteti, për një kandidat që do të marrë pjesë në konventë”.

Zonja Rousell thotë se në të tëra shtetet, delegatët lejohen të kandidojnë proporcionalisht. Nëse dikush merr 35% të votave në zgjedhjet paraprake të një shteti, kandidati do të marrë 35% të delegatëve që ka ky shtet.

Këta delegatë janë të angazhuar që të votojnë për kandidatin që është përzgjedhur nga shteti në konventën kombëtare. Por jo të 5,554 delegatët në Konventën e Partisë Demokratike janë të detyruar të votojnë për një kandidat në veçanti. 727 prej tyre, të quajtur “ superdelegatët”, janë zyrtarë të partisë në shtetet apo në rang kombëtar, si guvernatorë, senatorë apo anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve. Këta 727 delegatë mund të mbështesin cilin kandidat që duan.

Në partinë Republikane, disa shtete i ndajnë delegatët në mënyrë proporcionale siç ndodh edhe me partinë demokrate. Por në shtetet e tjera votohet bazuar në parimin “fituesi i merr të gjitha”. Kjo ka të bëjë me kohën e zhvillimit të zgjedhjeve.

“Ne kemi një sistem në bazë të të cilit nëse zgjedhjet paraprake mbahen përpara ose gjatë muajit mars, pra përpara 1 prillit - në këto shtete përzgjedhja e delegatëve bëhet me sistemin proporcional. Kjo garanton që kandidati të mos ketë fitore të shpejta, dhe me anë të tyre të sigurojë kandidimin”.

Delegatët janë të detyruar të votojnë kandidatin e përzgjedhur në shtetin e tyre në raundin e parë të votimeve në konventë. Por nëse njëri nga kandidatët nuk arrin kuorumin e nevojshëm, konventa zhvillon atë që quhet “votim i ndërmjetëm” , ku dy fraksione bashkohen për të nxjerrë kandidatin presidencial. Por kjo nuk ka ndodhur që nga viti 1952.