Në SHBA, republikanët e Senatit po bëhen gati të përdorin taktikën e fjalimeve të zgjatura të quajtur “filibuster”, për të bllokuar një komision hetimor rreth sulmit të 6 janarit kundër Kapitolit.
Ky hap i vë në pikëpyetje shpresat për një hetim dypartiak ndaj incidentit të dhunshëm në kryeqytetin amerikan, që rezultoi me vdekjen e disa personave.
Votimi i sotëm do të ishte përdorimi i parë i suksesshëm i një taktike të tillë proceduriale këtë vit për të mos e lejuar Senatin të veprojë. Shumica e republikanëve e kundërshtojnë projektligjin, i cili do të krijonte një komision për të hetuar sulmin e mbështetësve të ish-Presidentit Donald Trump lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit.
"Turma mori nën kontroll Kapitolin dhe ne nuk jemi në gjendje t’i bëjmë republikanët të bashkohen me ne për ta shënuar atë ngjarje në librat e historisë. Kjo është trishtuese,” tha senatori demokrat Dick Durbin. "Kjo ju tregon se çfarë nuk shkon në Senat, çfarë nuk shkon me taktikën filibuster," tha ai.
Filibusteri është një taktikë tradicionale që përdoret në Senat, për të vonuar votimin e një projektligji deri në mosmiratimin e tij. Për ndërprerjen e debateve dhe avancimin e një projektligji kërkohet që 60 nga 100 senatorët të votojnë pro. Në kushtet kur Senati është i ndarë në mënyrë të barabartë 50-50, demokratët do të kishin nevojë për mbështetjen e 10 republikanëve për miratimin e projektligjit.
Dhoma e Përfaqësuesve tashmë e ka miratuar atë me mbështetjen edhe të disa republikanëve, por taktika e filibusterit në Senat po ndez debate të reja nëse ka ardhur koha që demokratët të ndryshojnë rregullat dhe ta ulin pragun në 51 vota, në mënyrë që legjislacioni për komisionin e 6 janarit të mund të avancojë.
Ish-Presidenti Trump e ka bërë të qartë se ai është kundër formimin të çdo lloj komisioni për të hetuar ngjarjet e 6 janarit, kur mbështetësit e tij ndërmorën një sulm ndaj Kapitolit, në një përpjekje të dështuar për të përmbysur fitoren e Joe Bidenit në zgjedhje.
Një numër i vogël republikanësh, përfshirë senatorët Mitt Romney dhe Lisa Murkowski, kanë thënë se shpresojnë ta mbështesin projektligjin. Të tjerë, si Senatorja Susan Collins, kanë propozuar ndryshime të legjislacionit në përpjekje për të tërhequr më shumë vota. Por deri tani përpjekjet e tyre nuk kanë patur sukses për të tërhequr vota të tjera republikane.