Një zyrtar i rëndësishëm ushtarak amerikan paralajmëroi udhëheqësit botërorë që të mos e keqkuptojnë për fitore përparimin e arritur kundër Shtetit Islamik dhe grupeve të tjera terroriste.
Kreu i Shefave të Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Joseph Dunford, e quajti përparimin në luftën kundër ISIS-it në Irak dhe Siri "mjaft inkurajues", por u kërkoi aleatëve të SHBA ta mbajnë presionin ndaj Shtetit Islamik si dhe al Kaidës në të gjithë Lindjen e Mesme dhe më gjerë.
"Ndoshta sfida më e madhe me të cilën ndeshemi sot është rreziku i vetëkënaqësisë", u tha Dunford shefave të Konferencës së Mbrojtjes për Luftën kundër Organizatave të Ekstremizmit të Dhunshëm që u hap të martën pranë Uashingtonit.
"Një keqkuptim i progresit të arritur deri më sot dhe i karakterit të kërcënimit mund të bëjë që udhëheqësit politikë të humbin vëmendjen ndaj ekstremizmit të dhunshëm, për t’u marrë me sfida të tjera, tha Dunford. "Ka shumë shembuj gjatë disa viteve të fundit kur ne kemi zbutur presionin dhe ata janë bërë më të dhunshëm.”
Zyrtarët e SH.B.A. kanë folur mjaft për fitoret kundër ISIS-it dhe grupeve të tjera terroriste, duke vënë në dukje se numri i sulmeve terroriste në mbarë botën dhe vdekjet si rezultat i këtyre sulmeve, kanë rënë për tre vjet me radhë.
Sulmet e ISIS-it kanë rënë 23 për qind nga viti 2016 deri në 2017 dhe prodhimet e tyre mediatike janë pakësuar. Ndërkaq, grupi ka humbur thuajse të gjithë territorit të mbajtur më parë në Irak dhe Siri në kulmin e kalifatit të vetëdeklaruar. Tani mban vetëm 2 përqind.
Megjithatë, zyrtarët ushtarakë dhe të inteligjencës paralajmërojnë se ISIS po bën një rezistencë të ashpër, veçanërisht në Luginën e Eufratit të Mesëm në Siri, ku forcat e mbështetura nga koalicioni po luftojnë prej muajsh për të nxjerrë luftëtarët e ISIS-it nga territori i tyre i fundit.
Pavarësisht nga rënia e Kalifatit të vetëshpallur të grupit, zyrtarët e SHBA besojnë se luftëtarët e huaj ende shkojnë në Siri dhe Irak dhe se çdo muaj atje hyjnë rreth 100 prej tyre.
Vlerësimet e fundit të Pentagonit tregojnë gjithashtu se numri i përgjithshëm i luftëtarëve të ISIS-it në të gjithë Sirinë dhe Irakun mbetet i lartë, me rreth 32,000 akoma të gatshëm për të luftuar.