Në Shtetet e Bashkuara pati gjatë vitit 2020 mesatarisht 10 vdekje në orë nga mbidoza, ndërkohë që vazhdon vala e narkotikëve të paligjshëm, shumica të futura kontrabandë në vend nga Amerika Qendrore. Korrespondentja e Zërit të Amerikës për Pentagonin, Carla Babb, udhëtoi drejt këtij rajoni së bashku me admiralin kryesor amerikan për Amerikën Latine, ku ndër sfidat e mëdha është edhe lufta e vazhdueshme kundër drogave.
Lufta e Shteteve të Bashkuara kundër drogave mbushi 50 vjet, por viktimat vazhdojnë të shtohen. Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve njoftoi shifrën rekord të 93 mijë amerikanëve që vdiqën nga mbidoza gjatë 2020-tës.
Your browser doesn’t support HTML5
Shumë narkotikë të paligjshëm futen kontrabandë nga kartelet e Amerikës Latine. Në krye të operacioneve ushtarake kundër sindikatave të krimit është Admirali Craig Faller, kreu i Komandës Jugore të Shteteve të Bashkuara. Ai zhvilloi një bisedë ekskluzive me Zërin e Amerikës gjatë udhëtimit rishtazi në Panama.
“Duhet ruajtur presioni ndaj këtyre organizatave dhe ne kemi arritje. Por kur shikon dhjetëra mijëra të vdekur në Shtetet e Bashkuara dhe ndikimin këtu në vendet partnere, si dhe për nxitjen e emigracionit të paligjshëm... Duhet bërë më shumë”, thotë Admirali Faller.
Gjatë vitit 2020, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët ndalën më shumë drogë se viti i mëparshëm, por qindra tonë me kokainën e kapur gjatë operacioneve të anti-drogës, janë vetëm një pjesë e asaj që hyn në territorin amerikan.
Dhe këto kartele nuk sjellin rrënim vetëm nëpërmjet narkotikëve.
“Ka kontrabandë njerëzish, miniera të paligjshme, pastrim parash. Çdo lloj biznesi të paligjshëm që mund t’u japë pushtet. Dhe në shumë raste ata zotërojnë territore. Janë gjithashtu vrasës të urryer. Ky është rajoni më i dhunshëm i botës dhe ne duhet të luajmë rolin tonë duke bashkëpunuar (me vendet partnere)”, thotë Admirali Faller.
Të dhënat më të fundit për mbidozat vijnë ndërsa mbi 1 milionë persona në Amerikën Latine kanë vdekur nga COVID-19. Amerika Latine dhe Karaibet kanë vetëm 10% të popullsisë së botës, por kanë mbi 30% të vdekjeve të regjistruara nga COVID-19.
“Po hasin në sfida më të mëdha tani, krahasuar me situatën një vit më parë”, thotë Daniel Erikson, Zv.Ndihmës Sekretar i Mbrojtjes për hemisferën perëndimore.
Në intervistën e tij të parë që nga marrja e detyrës, zoti Erickson i tha Zërit të Amerikës së Shtetet e Bashkuara kanë dërguar tashmë në rajon mbi 20 milionë doza vaksinash, dhe të tjera dërgesa do të vijojnë.
Ndërsa pandemia rritet, varfëria dhe pasiguria shton numrat rekord të emigrantëve drejt kufirit SHBA-Meksikë, në veçanti nga vendet e Amerikës Qendrore të mbiquajtura Trekëndëshi Verior: Guatemala, Hondurasi dhe El Salvadori.
Ndalimet në kufi kanë arritur nivelin më të lartë në dy dekada dhe mund të arrijnë në 2 milionë për këtë vit.
“Është e vështirë për disa njerëz në rajon që të shikojnë një të ardhme në vendet e tyre, kështu që shfrytëzojnë mundësinë për të ardhur në Shtetet e Bashkuara. Këtë mundësi po e shfrytëzojnë edhe kontrabandistët, së bashku me qëndrimin e ri dhe retorikën e administratës së re”, thotë Ryan Berg, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
A po i rikoncepton administrata amerikane politikat e saj?
“Nuk do ta quaja rikonceptim, por më tepër një rindërtim politikash. Puna që administrata po bën tani për të inkurajuar zhvillimin në Trekëndëshin Verior shihet vërtet si hapi i parë i një procesi afatgjatë, i cili mund të ndihmojë në trajtimin e situatës së emigracionit, në mënyrë që mos të rishfaqet sërish e tillë”, thotë zoti Berg.
Administrata e Presidentit Biden njoftoi rishtazi 4 miliardë dollarë ndihma për Guatemalën, Hondurasin, dhe El Salvadorin. Por ekspertët thonë se përpjekjet e mëparshme të Shteteve të Bashkuara për ndihmë nuk kanë arritur deri tek njerëzit që kanë më shumë nevojë, për shkak të korrupsionit dhe dhunës në rajon.