SHBA: Nuk shqetësohemi për provat e Kinës me një avion të ri luftarak

  • Al Pessin

SHBA: Nuk shqetësohemi për provat e Kinës me një avion të ri luftarak

Ekspertët besojnë se fjala është për një avion të ndërtuar në mënyrë të tillë që të jetë i padiktueshëm nga radarët

Një zëdhënës i Departamentit të Mbrojtjes thotë se zyrtarët amerikanë nuk janë të shqetësuar rreth njoftimeve për provat që po kryen Kina me një avion të ri luftarak. Këto përparime teknologjike janë rrjedhojë e rritjes për dhjetëra vjet të shpenzimeve kineze për mbrojtjen.

Fotografitë e avionit të ri u botuan ditët e fundit në internet dhe ishin tema e një shkrimi në faqen e parë të gazetës Wall Street Journal. Sipas gazetës, ekspertët besojnë se fotografitë flasin për një avion të ndërtuar në mënyrë të tillë që të jetë i padiktueshëm nga radarët. Ky lloj mjeti fluturues njihet si “brezi i pestë” i aeroplanëve luftarakë. Shtetet e Bashkuara kanë bombardues të padiktueshëm dhe një brez avionësh luftarakë të padiktueshëm janë gati të vihen në përdorim. Kina nuk ka avionë të tillë.

Zëdhënësi i Pentagonit, koloneli Dejvid Lapan, thotë se fotografitë tregojnë për prova të kryera në pistë, gjatë të cilave avionët lëvizin me shpejtësi të madhe por nuk ngrihen në ajër. Sipas ekspertëve, prova të tilla zakonisht u paraprijnë atyre në ajër, por koloneli Lapan thotë se zyrtarët e Pentagonit nuk shqetësohen se kjo mund të paraqesë ndonjë rrezik të ri.

“Ne vlerësojmë se Kina do të mund të ketë avionë operacionalë të brezit të pestë në të ardhmen, ndoshta nga fundi i kësaj dekade”, thotë ai.

Lapan thotë se Kina ka akoma probleme me përsosjen e avionëve luftarakë të brezit të katërt. Raporti i përvitshëm i Pentagonit mbi ushtrinë kineze nuk përmend ndonjë zhvillim të avionëve të brezit të pestë, por zyrtarët amerikanë, duke përfshirë Sekretarin e Mbrojtjes Robert Gejts, i kanë përmendur ata në të kaluarën. Ndërsa koloneli Lapan thotë se fotografitë e reja nuk tregojnë se avioni është më afër fazës së dislokimit nga ç’kishin menduar zyrtarët amerikanë.

Por fotografitë tregojnë vetëm një nga përparimet ushtarake kineze për të cilët është njoftuar javëve të fundit, ndërkohë që thuhet edhe se Kina do të dislokojë në det një aeroplanmbajtëse të vjetër sovjetike që e kishte blerë më 1998.

Veç kësaj, në një intervistë për gazetën japoneze Asahi Shimbun javën e kaluar, kryeushtaraku amerikan në Paqësor, Admirali Robert Uillard, tha se një raketë kineze kundër anijeve ka arritur “aftësinë fillestare të veprimit”. Ajo mund të lëshohet nga toka, të arrijë në hapësirë e më pas të kthehet me shpejtësi për të goditur ndonjë anije në det. Raketa përmban mbushje të mjaftueshme për të fundosur edhe luftanijet më të mëdha amerikane.

Këto përparimet teknologjike janë rrjedhojë e rritjes për dhjetëra vjet të shpenzimeve kineze për mbrojtjen. Eksperti i çështjeve kineze, Din Çeng, pranë instutitit “Brookings”, thotë se aftësia ushtarake e Kinës sot e kalon së tepërmi forcën e vjetëruar dhe kryesisht tokësore, që kishte vendi para se të fillonin reformat ekonomike të viteve ‘80. Por zoti Çeng shton se ushtria kineze nuk ka arritur nivelin e forcave amerikane.

“Ushtria kineze është shumë e fuqishme. Megjithatë, duhet të kujtojmë se flota amerikane u përball me po aq kërcënime gjatë Luftës së Ftohtë. Tani na vijnë kërcënime të reja dhe ato nuk duhet të jenë të papritura. Dhe në vitet në vijim ato mund t’i japin mjedisit strategjik një tjetër trajtë nga ç’ka qenë në pesë apo dhjetë vjetët e fundit.”

Zoti Çeng thotë se edhe me rënien e tanishme ekonomike dhe me deficitet e thella buxhetore, Shtetet e Bashkuara mund të vazhdojnë të lënë prapa modernizimin ushtarak të Kinës, nëse udhëheqësit politikë e shohin këtë si përparësi.

Njoftimet për aftësitë e reja ushtarake të Kinës vijnë në një kohë kur ministri i jashtëm kinez erdhi në Uashington, në përgatitje të një vizite të Presidentit Hu Gjintao këtë muaj. Veç kësaj, Sekretari Gejts ndodhet në Pekin, vizita e parë në pesë vjet e një sekretari amerikan të mbrojtjes.