Shumë organizata myslimano-amerikane janë të shqetësuara se seancat e Kongresit që po mbahen në Uashington mund të krijojnë një stereotip për komunitetin e tyre si burim të radikalizmit mysliman në Shtetet e Bashkuara. Një nga këto organizata, Këshilli i Organizatave Islamike të zonës së Çikagos po zhvillon të ashtuquajturën “Ditë të Veprimit Mysliman” në shtetin qendror të Ilinoit për të demonstruar se këto stereotipe janë të gabuara dhe se qytetarët myslimanë janë amerikanë si gjithë të tjerët.
Mbi 1 mijë e 200 amerikanë myslimanë nga shteti i Ilinoit u mblodhën në Springfild për t’u dërguar një mesazh ligjvënësve të shtetit.
“Ne jemi pjesë e këtij komuniteti, nuk jemi ‘të tjerë’. Ne jemi amerikanë”.
Ahlam Jbara ndihmoi për organizimin e Ditës së Veprimit Mysliman, viti i tretë i këtij aktiviteti.
“Ne shqetësohemi për të njëjtat çështje si gjithë të tjerët. Ne jemi si gjithë të tjerët. Jemi të angazhuar dhe interesohemi për sistemin politik dhe zërat tanë do të dëgjohen”.
Ky mesazh u dëgjua edhe nga ligjvënës të shtetit si Uilliam Bërns, një përfaqësues nga Çikago, i cili tani mban vendin e legjislaturës që dikur e kishte Presidenti Barak Obama.
“Ata ndihmojnë për të mos lejuar krijimin e stereotipeve në komunitet dhe për të treguar se shumica dërrmuese e myslimanëve në Shtetet e Bashkuara dhe në këtë shtet, janë qytetarë të mirë që paguajnë taksat, dhe që kërkojnë të njëjtat gjëra si edhe qytetarët e tjerë: shkolla të mira, kujdes shëndetësor, rrugë të mira dhe qeverisje të mirë”.
Aktiviteti i Springfildit përkon me seancat në Uashington që përqendrohen tek ai që disa e konsiderojnë radikalizim të disa anëtarëve të komunitetit myslimano-amerikan. Seanca drejtohet nga anëtari i Kongresit nga Nju Jorku, Pitër King që ka thënë se myslimano-amerikanët nuk po bëjnë të gjitha përpjekjet për të ndihmuar organet e rendit për të hetuar terrorizmin. Një studim i Universitetit Duke dhe Universitetit të Karolinës së Veriut tregon se myslimano-amerikanët kanë qenë burimi më i madh i informacioneve që ka çuar në arrestime në rastet e terrorizmit në Shtetet e Bashkuara.
Drejtori i zyrës së Çikagos së Këshillit për marrëdhëniet amerikano-islamike, Ahmed Rehab i dënon seancat në Uashington dhe veçanërisht anëtarin e Kongresit King.
“Politikanë të papërgjegjshëm si Piter King, dhe më vjen keq ta quaj kështu, por ky është mendimi im për të, thonë se komuniteti mysliman në Amerikë po radikalizohet dhe se ne nuk po bëjmë sa ç’duhet për t’i bërë ballë elementëve të radikalizuar në mesin tonë. Në fakt, ne po i kundërshtojmë dhe kjo që po bëjmë sot në Springfild është rruga se si ne e realizojmë një gjë të tillë”.
Organizatorët e Ditës së Veprimit Mysliman shpresojnë që kjo ngjarje e përvitshme do të ngjallë një interes për qeverisjen e shtetit mes të rinjve që marrin pjesë dhe t’i inkurajojë ata që përfshihen në politikë.