Briana Mariah, themeluese e agjencisë "Ne flasim", beson se modelet duhet të jenë një pasqyrim i botës që na rrethon, ndaj dhe agjencia e saj gjen dhe reklamon një grup unik e të larmishëm njerëzish. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Karina Bafradzhian njofton nga Uashingtoni.
Your browser doesn’t support HTML5
Gjatë dekadave të fundit, bota e modelëve është zgjeruar duke përfshirë njerëz të moshave, racave dhe e përmasave të ndryshme trupore. Por për Briana Mariah, themeluese e agjencisë “Ne Flasim”, kompanitë që operojnë në këtë fushë, nuk e kanë përqafuar mjaftueshëm diversitetin. Ndaj në vitin 2012 ajo hapi një agjenci të sajën, pavarësisht skepticizmit.
"Kur fillova, kujtoj shumë mirë reagimin e një kolegeje e cila më tha: "kjo nuk do të funksionojë. Bordi juaj është gjithandej dhe askund, tejet i shpërndarë, ekzistojnë tashmë agjenci për modele të të gjitha përmasave. Por unë vazhdova të bëj atë që po bëja dhe thashë: Kjo nuk është një agjenci për përmasa të mëdha trupore, kjo na bashkon e na bën të gëzojmë për njëra-tjetrën”, thotë Briana Mariah, themeluese e Agjencisë së Modeleve “Ne flasim”.
Sot ajo punon me mbi 130 modele të peshave të ndryshme trupore…të gjatësive, gjinisë e racave të ndryshme. Mes tyre ka modele me Sindromën Daun, nga ato me probleme të lëkurës dhe të gjitha kanë bërë përpara duke dalë në kopertinat e revistave, në reklama e pasarela, çka u ka dhënë zë çështjeve që lidhen me barazinë dhe të ndjerit pozitiv me trupin.
Modelja me qendër në Uashington, Danielle Sauter thotë se kjo është koha e duhur që diversiteti të institucionalizohet në industrinë e modës.
"Të kesh modele më të larmishme, në gjatësi, përmasa trupore, forma, gjini, apo të racave të ndryshme, është diçka që ka nisur të lulëzojë më shumë se kurrë!", thotë Danielle Sauter, modele.
Danielle Sauter thotë se janë rrjetet sociale ato që i kanë ndihmuar rekrutuesit të gjejnë modele të reja për fushatat reklamuese. Ajo thotë se falë blogut të saj në Instagram nisi karrierën duke iu bashkuar në vitin 2014 një agjencie modelesh në Uashington.
Por disa modele më tradicionale thonë se ato po kritikohen se po reklamojnë prishtmëri jorealiste. Vlada Roslyakova është një nga modelet më të njohura ruse në Perëndim.
"Kjo po krijon një problem të ri. Unë jam ashtu siç jam dhe njerëzit më kritikojnë se po i bëj të tjerët të ndihen të keq për trupin e tyre. Pra, unë jam fajtore thjesht sepse, jam ajo që jam! Kjo është një çështje komplekse dhe e ngarkuar e që sigurisht do të doja të kishte një lloj ekuilibri…”, thotë Vlada Roslyakova, modele
Disa sjellin si shembull vendimin e marrë nga marka popullore e të brendshmeve Victoria's Secret për të mos punuar më me modele që kanë qenë prej kohësh pjesë e agjencisë, të cilat njiheshin ndryshe si ‘engjëjt’ e saj.
“Mendoj se ata duhet të kishin bërë një gjë më gjithëpërfshirëse e t’i kishin mbajtur ato. Victoria’s Secret ka qenë gjithmonë shumë seksi…pse të mos jenë të gjithë njerëzit seksi? Shikoni Fenty-n për shembull, linjën e Rhianna-s… Ata kanë bërë një punë fantastike me të gjitha përmasat e gjinitë”, thotë Danielle Sauter, modele.
Modelet e agjencisë Victoria’s Secret tashmë variojnë nga aktorja Priyanka Chopra, tek futbollistja profesioniste Megan Rapinoe.
“Më pëlqen prirja për t’u interesuar rreth personalitetit të modeles. Nuk ka të bëjë më me pamjen e bukur të tyre. Tashmë njerëzit duan të dinë më shumë rreth tyre dhe kjo është e mrekullueshme!", thotë Vlada Roslyakova, modele.
Një industri në ndryshim, në një kohë që po ndryshon.