SHBA mbështesin krijimin e zonës së ndalim-fluturimeve mbi Libi

  • Meredith Buel

SHBA mbështesin krijimin e zonës së ndalim-fluturimeve mbi Libi

Libia shpalli një armëpushim të menjëhershëm dhe tha se është gati të hapë kanalet e dialogut me kryengritësit e opozitës. Fuqitë botërore do ta shqyrtojnë njoftimin e Libisë në një takim emergjent nesër në Paris, ku do të jenë të pranishëm përfaqësues të OKB-së, Lidhjes Arabe dhe Bashkimit Evropian. Sipas agjencisë franceze të lajmeve, AFP shefja e politikës së jashtme të BE-së, Katherin Ashton tha se blloku me 27 vende anëtare po shqyrton hollësitë e armëpushimit të Libisë. Njoftimi i Libisë u bë pas hyrjes në fuqi të një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të zbatuar zonën e ndalim-qarkullimit mbi atë vend, e cila u mbështet edhe nga Shtetet e Bashkuara.

Trupat libiane besnike të Moamar Gadafit vazhdojnë marshimin drejt lindjes në bazën e kryengritësve në Bengazi. Madje udhëheqësit e opozitës paralajmërojnë për një "gjenocid" të civilëve, që mund të gjenden në mes të të shtënave të zjarrit.

Mundësia e një rrethimi të përgjakshëm të Bengazit me sa duket nxiti administratën Obama të mbështeste një rezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e cila do t’i jepte komunitetit ndërkombëtar disa alternativa për të ndihmuar kryengritësit libianë.

Ambasadorja amerikane në OKB, Susan Rice, thotë se Uashingtoni është i gatshëm të shqyrtojë masa të tjera.

"Shtetet e Bashkuara besojnë se duhet të jemi gati për operacione matanë zbatimit të zonës së ndalim-qarkullimit, ndërsa situata në teren ndryshon dhe zona e ndalim-qarkullimit shoqërohet me kufizime për sa i përket civilëve, që ndodhen në rrezik të menjëhershëm".

Megjithëse administrata Obama nuk ka bërë thirrje për përdorimin e forcave amerikane të këmbësorisë në Libi, Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton e bëri të qartë dje se një zonë e ndalim-qarkullimit në Libi ka të ngjarë të përfshirë edhe sulme nga toka.

"Po zhvillohet diskutime shumë intensive, por duhet pranuar se ekspertët ushtarake në gjithë botën e dinë se zona e ndalim-qarkullimit kërkon operacione për mbrojtjen e aeroplanëve dhe pilotëve, përfshirë këtu edhe bombardimin e objektivave si sistemi mbrojtës libian".

Avancimi i shpejtë i forcave të qeverisë libiane ka shtuar presionin ndaj administratës Obama për të mbështetur ndërhyrjen ushtarake.

Nënsekretari i Shtetit, William Burns paralajmëroi ligjvënësit amerikanë rreth rreziqeve nëse Moamar Gadafi mposht forcat kryengritëse në Libi.

"Ekziston rreziku që ai të përdorë forma terroriste dhe të ekstremit të dhunshëm, rreziku i trazirave, që ai mund të ndihmojë të krijojë gjetkë në rajon në këtë moment tepër kritik".

Shumë anëtarë të Kongresi, si demokrati John Kerry, kryetar i Komisionit të Senatit për marrëdhëniet me jashtë, thonë se komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë tani.

"Format e vjetra të mosndëshkimit për udhëheqësit autokratë nuk qëndrojnë më, por koha po mbaron për popullin libian. Bota duhet të përgjigjet menjëherë".

Zona e ndalim-qarkullimit mbi Libi mbështetet nga Lidhja Arabe dhe zyrtarët amerikanë thonë se qeveritë arabe duhet të luajnë një rol qendror në çdo hap ushtarak kundër Libisë.