SHBA: Marrëdhëniet mes zezakëve dhe hebrenjve

  • Adam Fillips

SHBA: Marrëdhëniet mes zezakëve dhe hebrenjve

Shkurti është muaji i historisë së zezakëve në Shtetet e Bashkuara, një periudhë për të kujtuar sfidat dhe fitoret e afrikano-amerikanëve dhe për të nxjerrë në pah kontributin e tyre tek amerikanët e të gjitha racave dhe grupeve etnike. Historikisht, marrëdhëniet mes zezakëve dhe hebrenjve kanë qënë të ndërlikuara, por edhe të dobishme, madje kohët e fundit ato kanë qënë më të tendosurat. Tani një variete e re muzikore eksploron të përbashkëtat e tyre.

Kjo është Cantor Magda Fishman duke kënduar një melodi hebraike, që e dëgjoje në Evropën Lindore para Holokaustit dhe sot në disa sinagoge amerikane.

Audienca e dëgjon atë në fillim të shfaqjes muzikore Soul2Soul, e realizuar nga Theatri Kombëtar Jidish Folksbenu. Jidish është gjuha hebre dhe me bazë në Gjermani e hebrenjve të Evropës Lindore.

Kjo shfaqje eksploron aspektet e përbashkëta si dhe frymën e përbashkët mes traditave muzikore hebre dhe afrikano-amerikane. Artisti Tony Perry interpreton një melodi nga tradita afrikano-amerikane.

Drejtori i theatrit Folksbenu, Zalmun Mlotek krijoi varietenë Soul2Soul. Ai thotë se si afrikano-amerikanët edhe hebrenjtë kanë përjetuar shekuj shtypjeje. Kur ai dëgjoi Tony Perry dhe partnerin e tij, Elmore James gjatë provave duke kënduar këngë spirituale afrikano-amerikane dhe këngë folklorike hebre rreth sfidave të tyre…

“Ndjeva një shans të mirë për të ndërtuar një urë mes komunitetit hebre dhe atij afrikano-amerikan. Nuk ka rrugë më të mirë për t’ia arritur kësaj se sa përmes muzikës”.

Drejtori Mlotek u ekspozua ndaj frymëzimeve afrikano-amerikane gjatë periudhës së lëvizjes për të drejtat civile në vitet 1960-të. Shumë hebre-amerikanë u solidarizuan me betejën e afrikano-amerikanëve për barazi, e cila shpesh përdori pjesë spirituale si hymne. Shumë prej pjesëve spirituale datonin nga ditët e skllavërisë dhe bazoheshin në histori të biblës hebraike.

Zoti Mlotek thotë se kur ishte këshilltar në një kamp veror të majtë hebraik, kampistët shpesh këndonin këngë, si për shembull “Oh Freedom” dhe pjesë të tjera spirituale, si kjo këngë e përfshirë në shfaqje.

“Ky është një kamp i krijuar nga të mbijetuarit e Holokaustit, të cilët donin që fëmijët e tyre jo vetëm të mësonin gjuhën jidish, por edhe të jetonin në bazë të vlerave hebraike të drejtësisë shoqërore, të kujdeseshin për të tjerët, të kishin respekt për të tjerët dhe të jetonin në tolerancë me popuj të tjerë. Ne zgjoheshim nga gjumi çdo mëngjes dhe këndonim këngë të lëvizjes për të drejtat civile me të njëjtin pasion si këngët jidish".

Elmore James i jep meritë regjistrimeve jidish të viteve 1930-të të këngëtarit të madh afrikano-amerikan, Paul Robeson si një influencë e hershme për të si dhe kulturës hebre me të cilën ai u ekspozua.

“Historia e një populli nuk matet me vuajtjet e tij, por si i kapërcen ky popull vuajtjet. Mendoj se kultura afrikano-amerikane dhe kultura hebre kanë këtë aspekt të përbashkët: Lufta kundër të pamundurës, aspekt ky i jetës së përditshme. Mendoj se këto dy grupe kanë krijuar një formë arti të bazuar në këtë aspekt”.

Ai thotë se miqtë e tij hebre hapën për të shtëpitë dhe zemrat e tyre.

"Ndjeva ngrotësinë dhe pranimin e tyre. Ishte shumë e lehtë për mua që të hapja zemrën time me ata njerëz, sepse ata hapën zemrën e tyre me mua”.

Zemra e njeriut ndjehet qartë në zhanrin muzikor afrikano-amerikan blues. Cantor Magda Fishman kryeson një interpretim blues të një kënge klasike jidish.

Muzika e hebrenjve dhe afrikano-amerikanëve është kombinuar shpesh në hibride si për shembull në stilin jidish të këngëtarit afrikano-amerikan të xhezit, Cab Calloway në këngën e tij të sukseshme në vitin 1939 rreth një rrobaqepsi të varfër.

“Soul2Soul” krijoi versionin e tij jidish të këngës “It’s a Wonderful World,” e bërë popullore nga këngëtari i madh afrikano-amerikan i xhezit, Louis Armstrong.

Shfaqja “Soul2Soul” arrin kulmin me një interpretim më 4 prill, përvjetori i vrasjes së Dr. Martin Luther Kingut. Më pas, Theatri Kombëtar Jidish Folksbinu shpreson të fillojë një turne ndërkombëtar.