SHBA i bëjnë trysni Pakistanit të lirojë nga burgu një diplomat amerikan

  • Zëri Amerikës

SHBA i bëjnë trysni Pakistanit të lirojë nga burgu një diplomat amerikan

Shtetet e Bashkuara shkallëzuan të martën trysninë ndaj Pakistanit për të siguruar lirimin e një diplomati të përfshirë në një incident të shtënash ku gjeten vdekjen tre pakistanezë. Por Uashingtoni nuk beson se ky incident do të ndikojë në bisedimet e ardhshme midis Shteteve të Bashkuara, Pakistanit dhe Afganistanit.

Një zëdhenëse e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Islamabad i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara ende nuk e kanë pezulluar dialogun e nivelit të lartë me Pakistanin dhe shtoi se “asgjë nuk është anuluar”.

Edhe Ministria e Jashtme pakistaneze hodhi poshtë shqetësimet se ky rast po i minon lidhjet dypalëshe, duke thënë se ata janë “mjaft të pjekur për të lundruar nëpër vështërsi”.

Mirëpo disa ligjvënës amerikanë, të cilët sapo janë kthyer nga Paksitani kanë paralajmëruar se ndihmat e Uashingtonit për Islamabadin mund të rrezikohen nëse Pakistani nuk e liron diplomatin amerikan. Kongresisiti republikan John Kline tha se ai e ka bërë të qartë atje se do të ketë pasoja nëse shtetasi amerikan nuk lirohet.

Incidenti me armë ndodhi më 27 janar në qytetin verilindor Lahore. Zyrtarët amerikanë pohojnë se diplomati që sipas autoriteteve pakistaneze quhet Rejmond Dejvis hapi zjarr dhe vrau dy pakistanezë në vetëmbrojtje gjatë një orvatjeje për vjedhje. Pakistanezi i tretë gjeti vdekjen kur u godit nga një makinë e konsullatës, e cila kishte nxituar për në vendin e ngjarjes.