Gjermania ka përgënjeshtruar njoftimet se po punon për të krijuar një sistem satelitor spiun me Shtetet e Bashkuara. Qendra gjermane e aeronautikës tha sot se ekziston një program satelitor, por ai nuk është as sekret, as nuk ka synime spiunazhi.
Sot gazeta e përditshme norvegjeze “Aftenposten” botoi një artikull bazuar në informacione që thotë se ishin marrë nga komunikime diplomatike. Në bazë të gazetës, komunikimet tregojnë se Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania po punonin për sistemin e përbashkët për synime spiunazhi.
Sipas Aftenposten, në telegramet e dërguara nga Ambasada amerikane në Berlin thuhet se satelitët do të futen në operim brenda vitit 2013. Për shkak të natyrës së debatueshme të programit, zyrtarët amerikanë dhe gjermanë synonin t’i paraqisnin ato në publik si një projekt civil me synime ambjentaliste.
Në realitet, thuhet se në telegramët flitej se projekti ishte nën kontrollin e plotë të shërbimit gjerman të zbulimit dhe të qendrës gjermane të hapësirës. Telegramët e dërguar në periudhën shkurt 2009 deri në shkurt të 2010-ës po ashtu japin hollësi se si një numër vendesh janë përpjekur ta ndalojnë projektin, në veçanti Franca.