SHBA: Departamenti i Drejtësisë mbron emërimin e z. Whitaker

Departamenti amerikan i Drejtësisë mbrojti të mërkurën ligjshmërinë e emërimit nga Presidenti Donald Trump, të Matthew Whitaker-it në detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm, emërim i cili anashkalon radhën që ndiqet normalisht në raste të tilla.

Nëpërmjet një dokumenti prej 20 faqesh që përmban një opinion ligjor të brendshëm, zyra e avokatit të agjencisë thotë se zoti Trump mund t’i "shmanget radhës së pasuesit" dhe të emërojë zotin Whitaker në vend të zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm Rod Rosenstein, i dyti në zinxhirin drejtues të Departamentit të Drejtësisë, pas shkarkimit nga presidenti javën e kaluar të zotit Jeff Sessions. 49-vjeçari Whitaker ka shërbyer si shef kabineti i zotit Sessions.

Zgjedhja e zotit Whitaker ka nxitur debate pasi ai ndryshe nga zoti Sessions, po mbikëqyr hetimin që po kryen Prokurori i Posaçëm Robert Mueller për lidhjet e mundshme mes njerëzve të fushatës së zotit Trump me Rusinë në vitin 2016 dhe nëse zoti Trump, në detyrën e presidentit, ka penguar drejtësinë duke u përpjekur të prishë hetimin.

Përpara se të bëhej zyrtari më i lartë i zbatimit të ligjit, zoti Whitaker e kishte kritikuar hetimin e zotit Mueller duke thënë se ai që mund ta zëvendësonte Prokurorin e Përgjithshëm, mund t’i shkaktonte probleme hetimit duke i prerë fondet dhe duke sjellë për pasojë “ndalimin e tij".

Kundërshtarët demokratë të zotit Trump dhe disa republikanë, kanë shprehur shqetësimin se zoti Whitaker do të përpiqet të minojë hetimin e zotit Mueller apo ta shkarkojë atë përpara se hetimi të përfundojë.

Zoti Sessions hoqi dorë nga mbikëqyrja e hetimit për Rusinë, sepse ai kishte qenë një mbështetës i fortë i zotit Trump gjatë fushatës zgjedhore dy vjet më parë dhe ishte takuar me ambasadorin e atëhershëm të Rusisë në Uashington gjatë muajve përpara zgjedhjeve. Ai ia delegoi mbikqyrjen e hetimit zëvendësit të tij, zotit Rosenstein.

Zoti Trump kishte kohë që ankohej për vendimin e zotit Sessions për të hequr dorë nga mbikëqyrja e hetimit. Ai ka thënë se kurrë nuk do ta kishte caktuar atë në detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm në qoftë se Sessions do të merrte këtë vendim. Vetë zoti Sessions ka thënë se rregullat e Departamentit të Drejtësisë i ndalojnë zyrtarët të përfshihen në çështje me të cilat ata kanë një konflikt interesi.

Opinioni i Departamentit të Drejtësisë që mbështet të drejtën e zotit Trump për të emëruar zotin Whitaker si Prokuror të Përgjithshëm nuk komenton lidhur me atë nëse zoti Whitaker do të largohet nga mbikëqyrja e zotit Mueller, për shkak të pikëpamjeve të tij mbi hetimin përpara se të bëhej pjesë e Departamentit të Drejtësisë më shumë se një vit më parë.

Ndërsa sipas ligjit amerikan duhet të ishte zoti Rosenstein që duhej të merrte detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm pas shkarkimit të zotin Sessions, në opinionin ligjor thuhej se zoti Trump mund të mbështetet në një statut të veçantë që lejon emërimet e përkohshme të zyrtarëve pa konfirmim nga Senati, siç do të kërkohej normalisht për kreun e një agjencie qeveritare. Në opinionin ligjor përmendeshin më shumë se 160 raste kur një president amerikan ka emëruar zyrtarë që nuk janë konfirmuar nga Senati, për të mbajtur përkohësisht pozita të nivelit të lartë.

Të martën shteti i Merilendit sfidoi ligjshmërinë e emërimit të zotit Whitaker, duke thënë se zoti Trump shkeli ligjin federal dhe se pozicioni i Prokurorit të Përgjithshëm i takon zotit Rosenstein, çka do të ishte rregulli normal për pasuesin në agjenci.

Prokurori i Përgjithshëm i Merilendit Brian Frosh, përfaqësues i demokratëve, tha se shteti e sfidon emërimin e zotit Whitaker mbi dy baza, duke pretenduar se rregullat e Departamentit të Drejtësisë kërkojnë që zoti Rosenstein të bëhet Prokuror i Përgjithshëm dhe se zoti Whitaker, si "zyrtari kryesor" i agjencisë, duhet të konfirmohet nga Senati.

"Statuti mbi pasuesin për Prokurorin e Përgjithshëm dhe Kushtetuta e mbrojnë vendin pikërisht nga ajo që ka bërë Presidenti Trump, të vendosë një person të njëanshëm, të pakualifikuar dhe të pakonfirmuar për të qenë zyrtari më i lartë i zbatimit të ligjit në vend, për të mbrojtur veten e jo sundimin e ligjit", thuhej në një deklaratë të zotit Frosh.