SHBA: Buxheti, çështja kryesore në rendin e ditës së Kongresit të ri

  • Majkëll Bouman

SHBA: Buxheti, çështja kryesore në rendin e ditës së Kongresit të ri

Disa ditë para se Republikanët të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, frontet e betejave partiake janë përcaktuar lidhur me të ardhmen fiskale të Amerikës. Republikanët do të shtojnë numrin e tyre në të dyja dhomat e Kongresit dhe thonë se kanë një mesazh të thjeshtë për Kongresin e ri që mblidhet nga fundi i kësaj jave.

"Mos bë shpenzime për të cilat nuk ke para”.

Kështu u shpreh kongresistja republikane nga Minesota, Mishell Bahman në programin televiziv të CBS-it Face The Nation, duke i vënë theksin deficitit buxhetor amerikan prej një trilion dollarësh dhe deficitit kombëtar amerikan që ka dalë jashtë kontrollit. Një nga betejat e para për buxhetin në vitin 2011 do të përqendrohet nëse të ngrihet kufiri i deficitit me qëllim që të financohen huatë federale. Kongresisti i zgjedhur Majk Kelli nga Pensilvania thotë se Kongresi duhet të jetë më kursimtar.

"Ngritja e kufirit të borxhit, për mendimin tim, është një akt krejtësisht i papërgjigjshëm. Ne kemi shpenzuar për një kohë të gjatë paratë që nuk i kemi, duke thënë se s'ka gjë, se do të ngremë taksat dhe do t’i gjejmë të ardhurat diku”.

Pamundësia për të ngritur kufirin e borxhit mund të shkaktojë që qeveria të mos ketë më para dhe kështu të mos përmbushë detyrimet e saj ndaj të huajve që kanë blerë obligacione amerikane. Administrata Obama thotë se një situatë e tillë do të shkaktonte një krizë të rëndë financiare nëpër botë.

Kryekëshilltari i Presidentit Obama për ekonominë, Austan Gulsbi, thotë se deficiti federal duhet ulur, por jo në një mënyrë që do të rëndonte mbi rimëkëmbjen delikate të ekonomisë ose të pengonte rritjen ekonomike në të ardhmen.

"Nëse do të kufizoheshin investimet e rëndësishme që duhen bërë për rritjen ekonomike, ky do të ishte gabim. Patjetër që përballimi i sfidës buxhtore për vendin është i rëndësishëm, por kjo është krejt ndyshe nga deklaratat se ne duhet të shtrëngojmë rripin në mes të periudhës së daljs nga recesioni më i rëndë që nga viti 1929".

Gulsbi i bëri këto komente në programin e kanalit televiziv ABC, This Week. Demokratët do të vazhdojnë të kontrollojnë Senatin e Shteteve të Bashkuara, megjithëse me një shumicë të reduktuar krahasuar me vitin e kaluar, si dhe Shtëpinë e Bardhë. Kjo do ta bëjë të vështirë për republikatë e sapo zgjedhur të zbatojnë premtimet e fushatës, si për shembull të prapsojnë reformën e kujdesit shëndetësor të Presidentit Obama.

Por republikanët mund të mos mbështesin shpenzimet federale në nivelet që kërkojnë demokratët. Bllokimi në këtë çështje mund të shkaktojë mbylljen e qeverisë siç ndodhi në 1995, kur presidenti demokrat Bill Klinton ndeshi një Kongres të kontrolluar nga republikanët në mandatin e tij të parë .