SHBA, Britani ndihmë Australisë për të prodhuar nëndetëse bërthamore

Presidenti Biden duke folur gjatë takimit virtual me kryeministrat e Britanisë dhe Australisë (15 shtator 2021)

Shtetet e Bashkuara dhe Britania do të ndihmojnë Australinë të zhvillojë një flotë nëndetësesh me energji bërthamore, tha të mërkurën Presidenti amerikan Joe Biden, ndërsa udhëheqësit e të tre vendeve njoftuan një partneritet të ri trepalësh të sigurisë të fokusuar në rajonin Indo-Paqësor.

"Ne duhet të jemi në gjendje të trajtojmë si mjedisin aktual strategjik në rajon, ashtu edhe se si ai mund të evoluojë", tha Presidenti Biden. "Sepse e ardhmja e secilit prej kombeve tona, dhe me të vërtetë e botës, varet nga një rajon Indo-Paqësor i lirë, i hapur, dhe i begatë në dekadat në vazhdim".

Treshja do të njihet me shkurtimin AUKUS.

Presidenti Biden, Kryeministri australian Scott Morrison dhe Kryeministri britanik Boris Johnson theksuan se këto nëndetëse me energji bërthamore nuk do të mbajnë armë bërthamore.

"Më lejoni të jem i qartë, Australia nuk po kërkon të marrë armë bërthamore ose të krijojë një aftësi bërthamore civile", tha zoti Morrison, duke folur virtualisht në Shtëpinë e Bardhë, së bashku me homologët e tij amerikanë dhe britanikë. "Dhe ne do të vazhdojmë të përmbushim të gjitha detyrimet tona të mospërhapjes bërthamore".

Një zyrtar i lartë i administratës Biden, i cili informoi gazetarët para njoftimit, caktoi një afat kohor prej 18 muajsh që të tre vendet të punojnë së bashku për të identifikuar rrugën optimale për prodhimin e nëndetëseve.

Zoti Johnson tha se vendi i tij do të luajë një rol të rëndësishëm në shkëmbimin e njohurive me Australinë, një ish-koloni britanike që mbetet pjesë e Commonwealth-it, një organizatë e udhëhequr nga Mbretëresha Elizabeth II.

Kjo marrëveshje, tha ai, "do të mbështetet në ekspertizën që Britania e Madhe, ka fituar gjatë brezave që datojnë nga lëshimi i nëndetëses së parë bërthamore të Marinës Mbretërore mbi 60 vjet më parë".

Partneriteti i ri do të lejojë që të tre vendet të ndajnë informacion dhe ekspertizë më lehtë në fushat kryesore teknologjike të tilla si inteligjenca artificiale, teknologjia kibernetike, teknologjitë kuantike, sistemet nënujore dhe aftësitë e goditjeve me rreze të gjatë.

"Kjo nismë ka të bëjë me sigurimin që secili prej nesh të ketë një aftësi moderne, aftësitë më moderne që na duhen për të manovruar dhe për t'u mbrojtur ndaj kërcënimeve që zhvillohen me shpejtësi", tha Presidenti Biden.

Një përgjigje ndaj Kinës

Edhe pse asnjë nga tre udhëheqësit nuk e përmendi Kinën në komentet e tyre të mërkurën, analistët e shohin këtë si një lëvizje tjetër të aleatëve perëndimorë për të reaguar ndaj rritjes së Pekinit në fushat ushtarake dhe teknologjike.

"Tashmë është e qartë nga konteksti se përgatitja për një mjedis lufte me intensitet të lartë - dhe kjo është ajo që bën një nëndetëse - ka me të vërtetë vetëm një kundërshtar potencial të qartë në atë ekuacion", tha Euan Graham, bashkëpunëtor i lartë për sigurinë e Azi-Paqësorit në Zyrën në Singapor të Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike.

Marrëveshja, e nënshkruar nga vendet që tashmë mbajnë lidhje të ngushta, është një shenjë e qartë e synimit të Uashingtonit për të mbetur një fuqi dominuese dhe stabilizuese në rajon.

"SHBA efektivisht është e gatshme të ndajë pothuajse gjithçka që ka", tha Julian Ku, një profesor i Universitetit Hofstra i cili fokusohet në mosmarrëveshjet dhe ligjin ndërkombëtar. "Ajo e ngre, atë që tashmë është një aleancë shumë e thellë, në një nivel tjetër".

Flota e re, të cilën një zyrtar i administratës Biden e përshkroi se kishte karakteristikat e "fshehtësisë, shpejtësisë, manovrimit, mbijetesës", do të ketë një gamë më të gjerë dhe mund të qëndrojë nën sipërfaqe për periudha të gjata.

"Taktikisht, kjo do t'i japë Canberra-s një mjet operacional për të ruajtur fuqinë luftarake nënujore për një kohëzgjatje shumë më të gjatë në Paqësorin Perëndimor, në krahasim me nëndetësen aktuale me naftë të Australisë", tha Eric Sayers, një studiues jorezident në Institutin Amerikan të Ndërmarrjeve, i cili fokusohet në politikat e sigurisë në rajonin Azi-Paqësor.

Marina kineze ka një flotë prej 60 nëndetësesh, e cila përfshin gjashtë nëndetëse sulmuese me energji bërthamore.

Deri në këtë njoftim, Australia kishte qenë në bisedime me kompaninë franceze Naval Group për të ndërtuar deri në 12 nëndetëse bërthamore të me projektim francez. Ky program u vlerësua të kushtojë deri në 70 miliardë dollarë.

Presidenti Biden vuri në dukje se kjo është një përpjekje shumëpalëshe dhe se treshja mirëpret ndihmën nga aleatët e vjetër. "Shtetet e Bashkuara mezi presin të punojnë ngushtë me Francën dhe vendet e tjera kryesore në të ardhmen", tha ai.