SHBA: Brigjet perëndimore janë përfshirë nga shira të mëdha dhe dëborë

  • Zamira Edwards

SHBA: Brigjet perëndimore janë përfshirë nga shira të mëdha dhe dëborë

Brigjet përëndimore të Shteteve të Bashkuara janë përfshirë nga shira të mëdha dhe dëborë dhe pritet që stuhitë të përfshijnë këtë pjesë të vendit gjatë kësaj jave.

Ajri i lagësht që vjenë nga brigjet e Paqësorit solli reshje të mëdha dëbore në rajonet malore, përfshirë reshje bore me trashësi prej tre metrash në një vendpushim dimëror në verilindje të Kalifornisë.

Sistemet e alarmit për stuhi dimërore janë lëshuar në disa shtete, ndërkohë që disa rajone në Kaliforninë jugore po ndeshen me përmbytje dhe shira të mëdha.

Ka patur rrëshqitje dheu dhe përmbytje afër qytetit të Los Angeles. Reshjet e shiut arritën deri në pesë centimetra në këtë rajon që zakonisht ka mot të thatë, duke thyer rekordet dhjetëra vjeçare. Reshjet e shiut do të vashdojnë në jug të Kalifornisë deri të mërkurën.