SHBA: Kriza e borxhit me pasoja të shumta

Presidenti amerikan Barak Obama tha se ai pret që Kongresi të rrisë kufirin e huamarrjes së vendit para afatit në mesin e tetorit, duke siguruar që Shtetet e Bashkuara të mund të shlyejnë detyrimet financiare.

Në një intervistë rreth një game të gjerë çështjesh dhënë agjencisë së lajmeve Associated Press, zoti Obama shprehet se ai pret që Kongresi ta rrisë tavanin e borxhit të vendit prej16,7 trilionë dollarësh në mënyrë që Shtetet e Bashkuara të mund të marrin hua më shumë para.

Ndërsa zyrtarët në Uashington mbeten të preokupuar me mbylljen e qeverisë, shumë ekspertë janë më të shqetësuar rreth kërcënimit të një krize tjetër. Departameni amerikan i Thesarit thotë se më 17 tetor qeveria do të mbetet pa fonde për të paguar detyrimet, nëqoftëse Presidenti Barak Obama dhe Kongresi nuk bien dakord që qeveria të marrë hua më shumë para. Kjo krizë do të ndikonte tek huamarrësit, huadhënësit dhe investitorët nëpër botë.

Pesë vjet më parë, në fillim të Recesionit të Madh, investitorët nxituan të shisnin aksionet, duke shkaktuar rënin e vlerës së tyre. Sot, pensionistët dhe investitorët, si Paxton Baker shpresojnë të shmangin një tjetër rënie nëse qeveria dështon në përmbushjen e detyrimeve të saj.

“Unë jam pensionist federal. Unë varem nga qeveria për marrjen e pagesës muajore, dhe nëse ata nuk e bëjnë këtë, do të mbetet që unë të paguhem muajin tjetër”.

Baker është anëtar i një klubi investitorësh. Ai dhe kolegët e tij kanë në plan të përballojnë pasigurinë duke investuar në aksionet për një periudhë afatgjatë.

“Me siguri që do të ketë ndikim tek investimet, por ne mendojmë se aksionet do të vazhdojnë të jenë një variant i mirë për të investuar paratë”.

Sheila Cheek është këshilltare në firmën e investimeve Edward Jones. Ajo u thotë klientëve që të shikojnë perspektivën afatgjatë.

“Mund të duhet kohë ose mund të jetë një burim i shpejtë. Por investimet me afat të gjatë ndihmojnë për të përballuar pasiguritë në afat të shkurtër”.

Sipas një raporti të Departamentit të Thesarit, thuhet se mospagimi i detyrimeve qeveritare do të ngrinte tregun e kredisë, do të zhvleftësonte dollarin, do të sillte ngritjen e interesave dhe ndoshta do të shkaktonte një recesion tjetër. Një situatë e tillë do t’i largonte investitorët nga Shtetet e Bashkuara, argumenton ekonomisti Stan Collender.

“Gjithçka që ata dinë është se kjo ekonomi e fortë, ky sistem i fortë ekonomik, duket se po tronditet, gjë që të bën të humbasësh besimin. Kjo do të thotë se nëse ata mbështeten në paratë që do t’u ripaguhen në kohën e duhur, ata mund të thonë se nuk ia vlen të rrezikosh”.

Për të shmangur krizën, Kongresi duhet të pranojë ngritjen e nivelit të borxhit. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, dhe republikanë të tjerë po këmbëngulin që demokratët të bëjnë lëshime në shpenzimet për kujdesin shëndetësor.

"Nuk besoj se ne nuk do të jemi në gjendje të paguajmë borxhet. Nuk është mirë për vendin. Por pas 55 vjet shpenzimesh më të shumta se sa fitimet, diçka duhet shqyrtuar”.

Presidenti Obama thotë se as që do ta diskutojë kujdesin shëndetësor.

"Nuk do të ketë negociata lidhur me të. Populli amerian nuk duhet të mbajë peshën e lojrave politike”.

Dëmi që do të sillte mospagimi i borxhit do të zgjaste shumë kohë, thotë Joseph Minarik i Komisionit për Zhvillimin Ekonomik.

"Ka shumë të ngjarë që kjo të prekë perceptimin e udhëheqësve për thesarin amerikan për një kohë të gjatë. Nëse besimi humbet, është shumë vështirë të rifitohet”.

Minarik dhe të tjerë po u bëjnë thirrje udhëheqësve të vendit të shmangin krizën.

"Mos e bëni këtë”.

Ndërkaq, Paxton Baker dhe investitorë të tjerë po punojnëpër të mbrojtur pasuritë e tyre nëse qeveria i zhgënjen ata.