Prania amerikane në Afganistan

Shtëpia e Bardhë tha ditët e fundit se vendim për t’i tërhequr të gjithë trupat amerikane nga Afganistani pas vitit 2014, nuk është i pashmangshëm, por i mundshëm. Shumë ekspertë thonë që zyrtarët Amerikanë gjithnjë e më shumë po irritohen në negociatat e tyre me qeverinë e Afganistanit rreth vazhdimit të pranisë ushtarake amerikane pas 2014. Diplomati i lartë amerikan për Afganistanin i tha Kongresit se ai mendon që një marrëveshje do të arrihet dhe siç raporton korespondenti i Zërit të Amerikës, Kokab Farshori, disa ekspertë thonë që është në interesin e të dy qeverive për të shmangur tërheqjen e të gjithë trupave.

Afganistani vuajti nga një luftë e ashpër civile në vitet 1990. Ndërkohë që grupe të ndryshme afgane luftuan për kontrollin e vendit, analistët thonë që shtetet fqinje si Pakistani, India, dhe Irani, menduan që ishte në interesin e tyre kombëtar për të mbështetur një grup ose tjetrin.

Zoti Andrew Wilder, nga Instituti Amerikan i Paqes, mendon që “alternativa zero,” emri që i është dhënë mundësisë për tërheqjen e gjithë trupave amerikanë nga fundi i vitit të ardhshëm, mund ta rikthejë Afganistanin në situatën e mëparshme.

“Mendoj që ideja që ne do t’i tërheqim të gjithë trupat do të thellonte shqetësimet në rajon, që Afganistani mund t’i rikthehet luftës civile. Kjo do t’i shtyjë vendet fqinje që t’i rikthehen mbështetjes së grupeve të veçanta në Afganistan.”

Zoti Wilder thotë që një shqetësim tjetër është fakti që Shtetet e Bashkuara nuk kanë prani ushtarake në Pakistan, dhe paqëndrueshmëria në një vend do të ketë ndikim tek tjetri. Vitet e fundit, disa grupe terroriste kanë patur ndikim në Afganistan. Zoti Wilder thotë se tërheqja e të gjitha trupave nga Afganistan do të inkurajojë grupet militante në Pakistan.

“Shqetësimi më i madh do të ishte rreth grupit Taliban të Pakistanit. Ata mund të frymëzohen dhe të thonë shikoni çfarë ndodhi në Afganistan – atai mundën pushtuesit. Dhe kjo mund ta vëjë në lëvizje këtë grup dhe grupe të tjera militantësh në Pakistan.”

Ekspertët, si zonja Lisa Curtis, besojnë që vendet e rajonit po e ndjekim situatën me vëmendje, dhe që trupat amerikane ofrojnë mundësinë e stabilitetit.

“Nëse Shtetet e Bashkuara mund të premtojnë një prani të fuqishme atje, diku midis 10 deri në 20 mijë trupa, atëherë mendoj që do të krijohet një ndjenjë sigurie që situata në Afganistan mund të stabilizohet, dhe do të përforcojë shpresën që vende si Pakistani do t’i bashkohen përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje politike dhe mund të bashkëpunojnë në mënyrë më efikase.”

Por nëse ekspertët thonë që tërheqja e të gjithë trupave është një alternativë e rrezikshme, përse atëherë Shtëpia e Bardhë tha që është në konsiderim?

Disa analistë thonë që Shtëpia e Bardhë po e përdor atë si mjet negocimi, që nuk e ka për synim t’i tërheqë tëra trupat, por po përpiqet të detyrojë zotin Karzai të jetë më i arsyeshëm në negociatat për marrëveshjen dypalëshe për sigurinë. Por unë mendoj që administrata e zotit Karzai dhe administrata e zotit Obama po përdorin taktika të gabuara.

Zonja Curtis thotë që perceptimi i një ndarjeje midis Kabulit dhe Uashingtonit do t’u shërbejë Talibanit dhe ekstremistëve të tjerë në rajon dhe do të jetë kundër interesave të dy vendeve. Ekspertët theksojnë që çfarëdo plani të zgjedhë Shtëpia e Bardhë, nuk duhet ta lërë popullin e Afganistanit të mendojnë se ata po braktisen nga komuniteti ndërkombëtar edhe kësaj rradhe.