Shala: Serbia është në veri të Kosovës dhe jo strukturat paralele

Shala: Serbia është në veri të Kosovës dhe jo strukturat paralele

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se në veriun e Kosovës vepron shteti i Serbisë dhe jo vetëm strukturat paralele. Ai tha se çështja e veriut duhet të zgjidhet në kuadër të planit të krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari dhe duhet përjashtuar çdo model tjetër që do të dëmtonte funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, zoti Shala kritikon rrjedhën e bisedimeve Kosovë – Serbi që sipas tij nuk ishin të përgatitura si duhet.

Zëri i Amerikës: Zoti Shala, jemi në ditët e fundit të vitit 2011 dhe në këtë periudhë është e zakonshme që të bëhen bilance të zhvillimeve që e kanë karakterizuar atë. Si e vlerësoni ju këtë vit për Kosovën?

Blerim Shala: Mendoj që viti 2011 do të mbahet mend, ndoshta jo tash, por pas disa vitesh, si vit kur janë hapur, kur kanë dalë në sipërfaqe probleme të shumta që i ka Kosova brenda vetes dhe në raportet me faktorin ndërkombëtarë, gjë që e bënë këtë vit të mirë për bindjen time. Pse? Sepse shumë më mirë është që të shihen se cilat janë problemet reale që i ka Kosova sesa që ato të mbyllen apo të fshihen siç ka ndodhur me vite të tëra pas pavarësisë. Pra, ne prej korrikut të këtij viti është pa që e kemi problemin e veriut të Kosovës, që ai duhet të zgjidhet. Që Serbia është në veri të Kosovës dhe jo strukturat paralele dhe kjo tash ka marrë dhenë. E dini se çfarë ndodhi me politikën gjermane, me raportet e BE-së me Serbinë. Prandaj, është shumë mirë që përfundimisht ka nisë zgjidhja e problemit të veriut. Nën dy, kemi raportet Kosovë – BE. Tash po shihet se ato raporte janë të çrregulluara, nuk ekzistojnë në fakt. Gjithkush po flet për domosdoshmërinë e krijimit të raporteve kontraktuale. Kemi pasur deri tash do farë zgjidhjesh “hibride” si i quajmë ne. Po shihet se tash e tutje duhet të krijohen raporte të mirëfillta midis Brukselit dhe Prishtinës. Së treti kemi telashet evidente ekonomike dhe sociale që po ashtu e kanë kaptinën apo segmentin e raportit ndërmjet Kosovës dhe FMN-së. Prej marsit të këtij vitit u pa që ne e kemi mashtruar vetveten, kur i kemi rritë rrogat, kur kemi provuar ta instalojmë një paqe sociale sepse ajo paqe sociale bazohet në këmbë të qelqit. Së katërti, mendoj se politika e vendit është kah vlon. Jo për të mirë, thënë hapur. Është kah vlon në masë të madhe me një lloj dalldie patriotike, të them hapur, të panevojshme. Mendoj që Kosova tashmë është bërë shtet. Në duhet të fokusohemi në problemet reale, politike, ekonomike e sociale dhe qytetari prej nesh pret t’i zgjidhim problemet, t’i adresojmë telashet e tyre, frustrimet e tyre, e jo t’i mbulojmë të gjitha këto duke e valëvitur flamurin kuq e zi për çdo ditë, 24 orë në ditë.

Zëri i Amerikës: Por, nga të gjitha këto probleme që i numëruat, ajo që e nxori Kosovën këtë vit në kryetitujt e lajmeve botërore, ishte gjendja në veriun e saj. Si e shihni ju epilogun e situatës së atjeshme?

Blerim Shala: E thashë është bërë mirë që është hapur. Definitivisht janë shenjat që perëndimi, para së gjithash Washingtoni dhe Berlini do të merren shumë më tepër me këtë çështje. Është shumë mirë që është rikonfirmuar integriteti territorial i Kosovës, mos ndryshimi i kufijve. Madje, madje, për t’u habitur është që edhe vet presidenti i Serbisë para disa ditëve tha se ndarja më nuk është opsion, gjë që edhe në Beograd ka mbërri lajmi se nuk mund të ketë shkëmbim territoresh dhe ndryshim kufijsh. Megjithatë, integrimi i kësaj pjese të Kosovës në Kosovë, mbetet si temë apo si çështje që duhet të trajtohet në aspektin e sigurisë, në aspektin politik dhe atë ekonomik. Në aspektin e sigurisë, normalisht që prioritetet mbi të gjitha lidhen ne KFOR-n, me EULEX-in me faktorin ndërkombëtarë. Ne duhet të bëjmë maksimumin, por objektivisht ekziston një detyrim ndërkombëtarë i cili ndërlidhet me veriun, ndërsa në aspektin politik dhe ekonomik, ne mund të bëjmë shumë më tepër si Kosovë.

Zëri i Amerikës: Duke qenë e tillë çfarë është, situata në veri ka bërë që të hidhen shumë ide e propozime për zgjidhjen e saj, përfshirë edhe modele të ndryshme si ai i Tirolit, Irlandës, apo Gjermanive të pasluftës së dytë botërore. Si i gjykoni ju këto ide?

Blerim Shala: Po mendoj që tashmë e kamë thënë në një rast se shumica e atyre e që flasin për këto modele suplementare, nëse mund të them ashtu, nuk e kanë lexuar fare Ahtisaarin, nuk e dinë përmbajtjen e (planit) Ahtisaari. Ai ofron një gamë të drejtash me të vërtetë shumë të veçanta për serbët gjithandej Kosovës. Decentralizimi është alfa dhe omega e kësaj oferte, gjithsesi duke përfshirë aty edhe aneksin e pestë të dokumentit Ahtisaari që ka të bëjë me trashëgiminë religjioze dhe kulturore. Të gjitha janë aty. Nuk mund të ketë Ahtisaari plus, sepse në atë mënyrë pamundësohet funksionimi i shtetit të Kosovës, apo krijohet ajo çfarë presidenti Ahtisaari dhe Albert Rohan e patën kodifikuar si përbindësh administrativ, gjë që është Bosnja dhe Hercegovina. Kosova është shtet i vogël me 11 mijë kilometra katrorë. Duhet të jetë shtet funksional, duhet të jetë si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal, shtet i cili u ofron të mira qytetarëve të vet. Prandaj, opsioni i vetëm është plani Ahtisaari. Natyrisht, po them, duke dhënë një ofertë shtesë sa i përket anës ekonomike dhe sociale, sepse, objektivisht, ajo pjesë e Kosovës ka mbetur e neglizhuar prej pasluftës e tutje. Është pjesa më e pazhvilluar e Kosovës, ndërsa në vitet e 80-ta ishte pjesa më e zhvilluar e vendit. Kështu që, do të duhet një infuzion i madh financiar, por nga aspekti politik, objektivisht të gjitha çfarë duhen janë në pakon e Ahtisaarit.

Zëri i Amerikës: Zoti Shala, bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përshkuan këtë vit dhe sollën gjashtë marrëveshje për çështje të interesit të përbashkët. Si e vlerësoni rrjedhën e tyre të deritashme?

Blerim Shala: Ne e kemi thënë prej fillimit që derisa parimisht AAK është në favor të dialogut, kemi kërkuar që ai të përgatitet mirë, që të hapen temat që janë bosht për raportet Kosovë – Serbi dhe e kemi thënë troç që në mars të këtij vitit që me veriun duhet të fillohet. Pra, duhet të stabilizohet gjendja në veri, duhet të instalohet rendi e ligji dhe rendi kushtetues e pastaj mund të bisedojmë për tema teknike. Ne po e përfundojmë me veriun siç e patë. Dështimi i këtij dialogu teknik në korrik, solli 25 korrikut, intervenimin e njësive speciale dhe gjithë atë proces. Po shihet që nuk është përgatitur mirë. Mendoj që ideja e përbashkët e Brukselit, Prishtinës dhe Beogradit në këtë aspekt ka qenë që të simulohet një përparim. Por, përparimi matet në mënyrë shumë konkrete dhe po shihet që sillu mbështillu, në fund mbërrin në temën kryesore: a është Kosova shtet për Serbinë a jo? A kemi kufij Kosovë – Serbi a çka kemi? Dhe këtë po e sheh edhe Brukseli gjithnjë e më tepër. Prandaj, temat konkrete apo teknike, siç janë klasifikuar nga Prishtina, Brukseli dhe Beogradi, janë valide vetëm kur zgjidhet tema e madhe. Tema e madhe është raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si shtete të pavarura.

Zëri i Amerikës: Serbia dështoi të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian pikërisht për shkak të Kosovës, ndërsa Kosova mori zotimin për fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave dhe marrëdhëniet kontraktuale e tregtare me BE-në, si shpërblim për qasjen ndaj bisedimeve. A nuk e arsyetojnë këto përfshirjen në këtë proces?

Blerim Shala: Shikoni. Këtu ekziston një përzierje faktesh që bëhet mbase edhe qëllimisht apo ndoshta edhe rastësisht, mos të mendoj më të keqen, sepse procesi i liberalizimit të vizave do të duhej të ndodhte midis Kosovës dhe BE-së, pa marrë parasysh dialogun Prishtinë - Beograd. Sepse është një proces i cili tashmë është përmbyllur në gjithë Ballkanin perëndimorë. Ne jemi shteti i fundit që do të marrë liberalizimin e vizave. Apo raportet kontraktuale Kosovë-BE, nuk do të duhej të lidheshin me fatin e dialogut Prishtinë-Beograd. Ne jemi shtet i cili dëshiron fqinjësi të mirë me Serbinë. Anasjelltas është proces tjetër, sepse Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet, ka probleme evidente me praninë e saj në veri të Kosovës. Prandaj, suksesi i dialogut Kosovë-Serbi është në këtë kontekst i dobishëm për Serbinë, sepse dëshiron të provojë para perëndimit se është e zotuar për fqinjësi të mirë. Si mund të zotohesh për fqinjësi të mirë nëse nuk e njeh si fqinj Kosovën, ose nuk e njeh si shtet Kosovën? Kështu që mendoj se janë tema të ekzagjeruara. Tema si i tillë, po e them edhe njëherë, vetëm e ka synuar të simulojë një përparim në paqësimin dhe demokratizimin e rajonit, por kjo po shihet që nuk funksionon.

Zëri i Amerikës: Më lejoni të kthehem në skenën e brendshme politike. Ju thatë se po vlon në kuptimin negativ. A mund të jeni më të qartë?

Blerim Shala: Shikoni. Ndodhë në politike, ndodhë në shoqëri, zakonisht kur keni probleme tepër të mëdha, gjeni panevojshëm disa telashe krejt të imta me të cilat dëshironi ta humbni kohen, apo dëshironi ta fokusoni përqendrimin e juaj, në vend se të merreni, si thuhet në diplomaci, “me elefantin që është në dhomë”. Ju e keni elefantin në dhomë. Elefanti në dhomë është ekonomia e Kosovës që është absolutisht larg asaj që dëshirohet. Elefant në dhomë ka të bëjë me problemet e mëdha sociale, ka të bëjë me funksionimin e institucioneve demokratike. Ne e kemi demokracinë e brishtë, demokracinë e cila është dëmtuar objektivisht në vitet e kaluara, për të cilën gjë flasin të gjitha raportet ndërkombëtare. Kemi korrupsionin enorm. Kemi krimin e organizuar që po lulëzon në Kosovë. Dhe këto janë temat kryesore tash. Nuk është temë, për bindjen time, nuk besoj që e kam gabim, a është shqiptar më i madh Besimi apo Blerimi? A e ka flamurin katër metra Blerimi apo Besimi? Me të vërtetë janë tema me të cilat nuk zbulohet Amerika. Ne e kemi kryer këtë punë. Çështja kombëtare është zgjidhë në rastin e Kosovës me bërjen e shtetit të Kosovës. Kombi shqiptar në aspektin historik, ka bërë përparime që janë të papara në shekujt e fundit. Kemi shtetin e Kosovës, shtetin e Shqipërisë, faktorizimin e shqiptarëve në Maqedoni dhe në Mal të Zi. Natyrisht, kemi probleme evidente në Luginë të Preshevës, por në përgjithësi, nuk e shoh që receta për zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës është valëvitja e flamurit kuq e zi. Është valëvitja e planeve, programeve konkrete si të ecet përpara, ashtu që Kosova të bëhet pjesë përbërëse e paktit NATO dhe BE-së.

Zëri i Amerikës: Valëvitja e këtyre synimeve për partinë tuaj konkretisht, apo vështirësohet nga mungesa e kryetarit Ramush Haradinaj?

Blerim Shala: Gjithsesi. Ju e dini që tashmë janë bërë gati 18 muaj që mungon kryetari Haradinaj. Që nga viti 2005 i ka bërë 34 muaj mungesë, Faktikisht në masë të madhe ka qenë i parealizuar si lider i opozitës në vitet 2007 – 2011, me përjashtimin shumë të vogël prej 15-16 muajsh që na solli 18 përqindëshin e rezultatit në zgjedhjet e vitit 2009. Jo vetëm AAK, ta them krejt hapur, nuk besoj që e kam gabim, skena politike e Kosovës dëmtohet me mungesën e Ramush Haradinajt, sepse ai është një fuqi motorike, ai është një alternativë, ai është një opsion, i cili domosdoshmërisht e instalon garën politike në ketë skenë të varfër politike, sepse kur i keni disa liderë politikë që kanë peshën e ndikimit, gjithsesi skena bëhet më kualitative. Kjo nuk po ndodhë në mungesë të Ramush Haradinajt.

Zëri i Amerikës: Dhe për fund zoti Shala, a prisni që vitin e ardhshëm Kosova do të jetë më ndryshe?

Blerim Shala: Mendoj që do të jetë vit tepër i rëndësishëm sepse do të instalohet procesi i përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë. Veriu, do të shihet se çfarë do të ndodhë metë. Nuk besoj që do të zgjidhet në tërësi, por do të shihet drejtimi. Përfundimisht, kriza ekonomike e sociale do të marrë përmasa të tilla që domosdoshmërisht do të kërkojnë adresimin prej nesh dhe skena politike e Kosovës, përfundimisht do të nisë të profilizohet.