Më 12 dhjetor në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Rreth 30 subjekte politike me rreth 1 mijë e 300 kandidat janë regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje. Zëri Amerikës ka filluar një seri intervistash me udhëheqësit e disa prej partive politike. Në një intervistë për programin tonë, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala, flet për synimet e kësaj partie dhe vështirësitë që ka për shkak të mungesës së kryetarit të saj Ramush Haradinaj që ndodhet në Gjykatën e Hagës. Në intervistën dhënë korrespondenti tonë në Prishtinë, Besim Abazi, zoti Shala thotë se vendosja e sundimit të ligjit në gjithë Kosovën, është kusht edhe për rimëkëmbjen ekonomike të saj.
Zëri i Amerikës: Zoti Shala, partia juaj po hyn në zgjedhjet e 12 dhjetorit zgjedhje këto të jashtëzakonshme, më një situatë ndryshe nga partitë e tjera. Me kryetarin e munguar. A ndjeheni të dëmtuar nga ky fakt?
Blerim Shala: Po, si jo. Duhet të jemi të sinqertë, mungesa e Ramush Haradinajt, kryetarit tonë dhe besojmë, kryeministrit të ardhshëm të Kosovës, gjithsesi shprehet kudo qoftë. Ramushi nuk është vetëm lider politik i Aleancës, por është lider në çdo aspekt edhe në aspektin organizativ. Po, sidoqoftë, ne po përpiqemi sa të jetë e mundur ta kompensojmë, gjegjësisht ta shfrytëzojmë mungesën e tij, për të përçuar një mesazh edhe më të fuqishëm në mungesën e tij. Kemi bërë një koalicion sic e dini me listën “Dr. Ibrahim Rugova:, në krye me Ukë Rugovën, të birin e tij. Dhe duket që edhe pas prurjeve që i patëm prej deputetëve si Riza Smakaj, Naim Rrustemaj, Driton Tali, Rexhep Gjergji, një prej themeluesve të LDK-së, kemi krijuar një koalicion të mirëfilltë, një kualitet të ri, i cili, jemi të sigurt, do të shprehet edhe tek votuesi.
Zëri i Amerikës: Dhe cila është oferta juaj për votuesin. Përse duhet që ai t’u zgjedh tash pikërisht juve?
Blerim Shala: Para se gjithash se kemi qenë opozitë e mirëfilltë në tri vitet e kaluara. E dini fare mirë që ka pasur lëkundje, nuk dua të merrem me asnjë parti tjetër, por qëndrimi i Aleancës prej fillimit ka qenë fare i qartë, që kemi të bëjmë me një koalicion të paqëndrueshëm, një qeveri që s’funksionon, një qeveri e cila nuk ia ka sjellë Kosovës të mirën, veçmas pasi që u bë Kosova shtet, ku siç e dini, pritjet e qytetarëve të Kosovës kanë qenë tepër të mëdha. Së dyti, sepse kemi personalitet shumë të fuqishme në kuadër të listës, kemi kandidatin, për bindjen tonë më të mirë për kryeministër, zotin Haradinaj. Dhe së fundmi kemi një ofertë shumë konkrete sociale dhe ekonomike. Jemi shumë të vetëdijshëm që tash e tutje, qytetari i Kosovës, do ta mas cilësinë e qeverisjes, me kualitetin apo edhe me sasinë e kuletës së tij. Nëse ka para, nëse familja e tij jeton më mirë se më herët, nëse do të ketë perspektivë ekonomike për të dhe për gjithë shoqërinë kosovare, atëherë ai do të përcaktohet për një parti politike. Temat e mëdha kanë përfunduar. Kosova është bërë shtet. E kemi arritur lirinë që në vitin 1999. Tash e tutje gjithçka do të matet me ofertën që ua bëjmë qytetarëve, me kualitetin e jetës së tij.
Zëri i Amerikës: Cilat janë ato shtyllat kryesore në të cilat do ta mbështesni ju përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarit?
Blerim Shala: Shikoni. Çdo shoqëri bazohet në dy shtylla. Ne mund t’i kemi pesë, gjashtë, dhjetë, shkaku që të jemi, kinse më të pasur në ofertën tonë para qytetarëve. Objektive është se dy shtylla e mbajnë një shtet: sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik. Nëse nuk keni ligj e rend ne shtet, kot e keni, sepse siguria është nocioni themelor i politikës dhe i shtetit që nga koha antike e deri sot. Nëse keni pasiguri, jo stabilitet, qyshdo qoftë që shprehet ai jo stabilitet, nuk keni gjasa të thithni investime, nuk keni mundësi të rrisni buxhetin, t’i rritni rrogat, pra nuk keni mundësi fare të arrini në atë stadin e mirëqenies sociale. Sundimi i ligjit, jemi të sigurt që duhet të sendërtohet si në luftimin e korrupsionit, por sundimi i ligjit nënkupton edhe vendosjen e rendit e ligjit në veri apo kushtetutshmërinë në veri, respektimin e kushtetutës nga të gjithë ne, sepse e pamë se çfarë ndodhi në muajt e kaluar dhe thjeshtë një funksionim të mirëfilltë të ligjit gjithandej Kosovës. Kur kjo mbërrihet, atëherë zhvillimi ekonomik është i mundshëm dhe ne mund të arrijmë një rritje prej 7 deri në 8 për qind e cila do të krijonte një dinamikë të re politike dhe ekonomike e sociale madje në Kosovë.
Zëri i Amerikës: E përmendët edhe ju që sundimi i ligjit duhet të shtrihet edhe në veri dhe veriu i Kosovës, është tema kryesore kur flitet për sundimin e ligjit dhe sovranitetin e Kosovës. Si mendoni ju ta zgjidhni këtë problem?
Blerim Shala: Gjithsesi në partneritet me KFOR-in dhe EULEX-in. E keni parë edhe strategjinë për veriun e Kosovës, e cila u miratua në fillim të këtij viti, të cilën ne parimisht e kemi mbështetur, por ne kemi pasur problem me mungesën e mekanizmave për zbatimin e tij. Sa i përket, qëllimeve, përmbajtjes, analizës, ne kemi qenë në rregull. Ne jemi të bindur se dy temat kryesore sa i përket kërcënimit të stabilitetit në Kosovë, veriu dhe korrupsioni, nuk mund të luftohen suksesshëm vetëm prej nesh, por duhet një partneritet, ashtu edhe siç është paraparë në pakon e (Martti) Ahtisaarit, midis Prishtinës zyrtare, midis nesh, EULEX-it dhe KFOR-it. Në këtë mënyrë hap pas hapi ne mund të bëjmë ndryshime shumë të rëndësishme në veri Mendoj që gjendja në veri, parimisht është e ndryshueshme. Shikoni, dy vjet më parë, kush kishte mund të paramendoj që decentralizimi në këto pjesë të Kosovës sa i përket popullatës serbe do të realizohet në këtë mënyrë. Kështu që edhe veriu, pas gjithë këtyre zhvillimeve në këtë vit, sidomos pas vendimit të GJND-së të 22 korrikut, është temë e tjetër karakteri. Deri më 22 korrik, objektivisht ka ekzistuar rreziku, sepse Serbia e përçonte këtë mesazh ose të shkëmbimit të territoreve, ose të fitimit të një statusi të veçantë për veriun e Kosovës. Mendoj që tash, ky rrezik është lënë anash, por tutje në duhet të punojmë shumë më tepër për integrimin e veriut.
Zëri i Amerikës: A përjashtohet Beogradi në këtë mes? Kam parasysh faktin se pas zgjedhjeve Kosova duhet të hyjë në bisedime me Beogradin. A duhet të jetë edhe veriu pjesë e këtyre bisedimeve?
Blerim Shala: Jo, si territor, jo si problem politik. Veriu mund të jetë temë e bisedimeve në kuadër të implementimit të pakos së Ahtisaarit, si në segmentin e trashëgimisë kulturore, ashtu edhe në atë të decentralizimit, por assesi jo si temë politike, jo si çështje statusore. Integriteti territorial i Kosovës është definuar me pakon e Ahtisaarit dhe ne bisedimet me Beogradin, veçmas pas 22 korrikut dhe veçmas pas Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, i shohim pikërisht si bisedime siç iniciohej fillimisht nga zonja (Catherine) Ashton, si bisedime për krijimin e fqinjësisë së mirë midis dy shteteve që pretendojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian.
Zëri i Amerikës: Dhe a është vendi i gatshëm për një gjë të tillë?
Blerim Shala: Mendoj që po. Mendoj që ne duhet të bisedojmë me fqinjët, me të gjithë fqinjët t’i kemi raportet shumë të mira sepse ky në të vërtetë është kriter pa të cilin nuk bën nëse ne dëshirojmë edhe në paktin NATO të hyjmë. Ju e dini që nëse nuk i keni raportet e rregulluara me fqinjët, ju nuk mund të ëndërroni të hyni në paktin NATO. Kështu që ne duhet ta kemi si fuqi lëvizëse të gjithë politikanët e Kosovës pikërisht integrimin në BE dhe hyrjen në paktin NATO.
Zëri i Amerikës: Ndonëse është hipotetike, natyrshëm që në fushata para zgjedhjeve shtrohet edhe pyetja rreth koalicioneve të mundshme pas zgjedhjeve. Cilët mund të ishin partnerët tuaj të mundshëm?
Blerim Shala: Edhe nëse fitojmë, natyrisht, për shkak të sistemit politik e zgjedhor që ka Kosova, ju detyroheni të keni partneritet. Sa i përket koalicioneve me komunitetet pakicë, ato janë të domosdoshme si me komunitetin serb, ashtu edhe me komunitetet tjera. Ndërsa, sa i përket skenës politike të vendit, ne nuk e fshehin afërsinë tonë me partitë si motra nëse mund të them, apo me partitë që janë po ashtu të qendrës së djathtë, para së gjithash me LDK-në.
Zëri i Amerikës: Dhe përjashtohen të tjerët?
Blerim Shala: Absolutisht, absolutisht. Ne kemi qenë shumë të qartë sa i përket qeverisjes së keqe që ka ndodhur në tri vitet e kaluara dhe kjo duhet të sanksionohet.
Zëri i Amerikës: A mos është tepër i ngurtë ky qëndrim? Kam parasysh faktin se ju keni përsëritur se nuk hyni me PDK-në. Çka nëse votuesit e imponojnë një gjë të tillë. A mos qëndrim tepër i ngurtë ky?
Blerim Shala: Mendoj që është qëndrim parimor. Domethënë nuk është ky qëndrim i tri javëve të fundit, ky është qëndrim i tri viteve të fundit. Prej fillimit, prejse është bërë kjo qeveri ne i kemi pasur dyshimet tona, inicialisht dyshimet, pastaj edhe vlerësimet dhe analizat të cilat dolën të sakta, fatkeqësisht edhe në bazë të raporteve të instancave më të relevante ndërkombëtare që nuk mund të funksionojë qeveria PDK-LDK. Ashtu edhe doli. Kështu që kemi të bëjmë me një qëndrim parimor. Ne nuk kemi thënë kurrë që s’bëjmë koalicion me PDK-në, por kemi thënë se PDK-ja duhet të ndryshojë shumë dhe derisa është kjo PDK me kryeministrin Thaçi në krye, ne nuk shohim se çfarë ndryshimesh mund të ketë në PDK dhe ne absolutisht nuk shohim mundësinë që të bëjmë koalicion me një parti të tillë e cila është përgjegjësja kryesore për të gjitha dështimet e tri viteve të fundit.