Sfidat për kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara

Ndërsa fillon një muaj i ri dhe shtohen shtetet amerikane që po rihapin bizneset, Presidenti Donald Trump dhe kandidati për president Joe Biden po shohin përpara dhe po planifikojnë se si të zhvillojnë fushatën elektorale për zgjedhjet e nëntorit. Sidoqoftë, secili prej tyre përballet me sfida që duhet të tejkalohen për të fituar presidencën.

Mes protestave dhe presioneve për të hapur ekonominë edhe kur vazhdojnë rastet e të infektuarve dhe viktimave nga COVID-19, më shumë shtete po hapin ngadalë bizneset.

Mike DeWine

"Është një balancim. Duhet ta rikthejmë ekonominë. Por gjithashtu duhet të vazhdojmë të mbrojmë njerëzit", thotë Mike DeWine, guvernatori i shtetit Ohio.

Për herë të parë pas disa javësh, Presidenti Donald Trump njoftoi planet për të udhëtuar në Arizona dhe Ohio, dy shtete të rëndësishme për të në zgjedhjet presidenciale.

Kjo vjen në një kohë kur kandidati presidencial Joe Biden kryeson në anketime në disa shtete kyçe.

Menaxhimi nga Presidenti Trump i krizës së COVID-19, veçanërisht disa nga komentet e tij të së kaluarës gjatë konferencave për shtyp, kanë ngjallur polemika.

Tom Perez

"Kujt mund t'i besojmë të na nxjerrë nga kjo rrëmujë? Ky president ka qenë vazhdimisht i paaftë në menaxhimin e këtij koronavirusi”, tha Tom Perez, kryetar i Komitetit Kombëtar Demokrat.

Republikanët janë përqendruar në historikun e presidentit me ekonominë.

Ronna McDaniel

"Votuesit aprovojnë menaxhimin nga presidenti të ekonomisë përpara pandemisë. Dhe ata e pranojnë se ai do të jetë udhëheqësi për të rivendosur ekonominë ndërsa dalim nga kjo situatë", thotë Ronna McDaniel, Kryetare e Komitetit Kombëtar Republikan.

Ndërsa fushata Trump punon për të përmirësuar shifrat e tij në anketime,

Joe Biden po përballet gjithashtu me një sfidë - një ish-punonjëse e zyrës së tij në Senat po e akuzon atë për një sulm seksual të ndodhur gati 30 vjet më parë, të cilin zoti Biden e ka mohuar.

"Kjo nuk ndodhi. Ai e mohon me forcë”, thotë zoti Perez.

Ekziston ende edhe pengesa e pandemisë me të cilën duhet të përballen të dyja fushatat, në një kohë distancimi shoqëror. Pyetja është se kur mund të ndodhin përsëri mbledhje të mëdha njerëzish.

"Nuk do t'i rrezikojmë votuesit; ta dini se do të veprojmë vetëm kur të jetë e përshtatshme", tha zoti Perez.

"Shpresoj që do të jemi në gjendje të bëjmë disa mitingje të stilit të vjetër me 25 mijë persona, ku të gjithë do të gëzojnë sepse ata e duan vendin tonë", tha Presidenti Trump.

Tani për tani, kjo është ende një shpresë, pasi secili kandidat vazhdon të bëjë fushatë në mënyrë elektronike... në botën virtuale.