Sipas një raporti të grupit të biznesit Partneriteti për Qytetin e Nju Jorkut, rreth një e treta e 240'000 bizneseve të vogla të qytetit nuk do të mund të hapen më kurrë pasi të ketë mbaruar pandemia e koronavirusit. Midis tyre ka biznese të vogla në pronësi të grave. Zëri i Amerikës bisedoi me sipërmarrëse gra në lidhje me përpjekjet e tyre për të mbijetuar në këtë kohë pandemie.
Maia Acquaviva nuk e vizitoi restorantin e saj që kur u detyrua ta mbyllte në mars për shkak të pandemisë. Për më shumë se shtatë vjet restoranti i saj ka qenë si shtëpi e dytë për të.
“Gjyshja ime e quante shtëpinë e saj ‘oda sahli ’që do të thotë shtëpi prej druri, që zakonisht ndërtohen në male”, thotë ajo.
Njerëzit vinin këtu pikërisht për të gjetur ndjesinë dhe shijen e shtëpisë. “Oda House” ishte restoranti i parë në Manhattan që prezantoi njujorkezët me kuzhinën gjeorgjiane.
"Askush nuk besonte se një restorant gjeorgjian do të ishte kaq i suksesshëm. Njerëzit nuk e dinë se ku është Gjeorgjia, dhe ju mendoni se do të mund të shisni kaçapuri, çakapuli dhe khinkali?", thotë zonja Acquaviva.
Restoranti u kishte mbijetuar shumë sfida, por përballimi i pandemisë ishte shumë i vështirë. Megjithëse pronari i ndërtesës i ofroi zonjës Acquaviva një zbritje për qiranë, puna vetëm për porositë me telefonë nuk ishte e mjaftueshme. Restoranti “Oda House” u detyrua të mbyllej, si shumë restorante të tjera të zonës.
“Vetëm në këtë bllok ka tetë lokale të boshatisura. Njerëzit nuk duan të merren me biznesin e restoranteve këto ditë", thotë zonja Acquaviva.
Rreth 3,000 biznese të vogla në pronësi familjare thuhet se janë detyruar të mbyllen që nga marsi, kur restorantet në qytetin e Nju Jorkut u detyruan të mbylleshin për shkak të pandemisë. Pronarët e bizneseve të vogla shpresonin se do t'i mbijetonin goditjes financiare. Pavarësisht nga lehtësimi që ofroi një paketë federale stimuluese, shumë prej tyre nuk mbijetuan.
Sipas shifrave të Departamentit të Punës në Nju Jork, bizneset e vogla punësojnë më shumë se 3 milionë njerëz, rreth gjysma e fuqisë punëtore të qytetit.
“Bank Street”, libraria më e vjetër për fëmijë në qytetin e Nju Jorkut u mbyll për shkak të pandemisë.
"Ne kemi qenë gjithmonë vendi ku fëmijët mund të vinin pas shkollës dhe të uleshin e të bënin detyrat e shtëpisë. Ata mund të vinin edhe të shtunën në mëngjes për leximin e tregimeve, historive, dhe të mësonin së bashku me mësuesit e tyre për rëndësinë e librave", tha Caitlyn Morrissey, Menaxhere e librarisë “Bank Street”.
Për disa breza të banorëve të Nju Jorkut, kjo ishte një librari e preferuar. Gjatë gjithë këtyre viteve biznesi menaxhohej nga gratë. Menaxheret e dyqanit thonë se punonjësit nuk mund të angazhoheshin më me lexuesit e vegjel për të shitur libra për fëmijë.
"Tani klientët po porosisin libra nga ne dhe po kërkojnë që t’ua dërgojmë me postë ose thonë,"ne nuk jetojmë në qytet, u larguam në fillim të pandemisë dhe nuk do të kthehemi", thotë zonja Morrissey.
Lalita Kumut shpreson se nuk do të detyrohet të largohet. Pas tre dekadave të shitjes së parfumeve në dyqanin e saj në Manhatan, ajo thotë se kërkesat ranë që kur filloi pandemia.
“Shitjet ranë 90 për qind. Deri më tani, pothuaj askush nuk po hyn në dyqan, ndoshta një person në ditë. Ka raste kur nuk vjen asnjë klient”, tha Lalita Kumut, pronare e dyqanit “New York Fragrance Shop”.
Zonja Kamut thotë se pa ndihmë nga qyteti, dyqani i saj ndoshta nuk do të mbijetojë. Ndërkohë, ajo shpreson se një vaksinë e sigurt dhe e besueshme do të vijë në kohë për të shpëtuar njujorkezët dhe bizneset e tyre.