Rrjeti mediatik CBS tha të premten se po hetonte akuzat për ngacmime seksuale nga Les Moonves, shefi ekzekutiv 68-vjeçar i kompanisë. Akuzat u publikuan të detajuara në faqen e internetit të revistës The New Yorker, në një artikull të shkruar nga Ronan Farrow.
Farrow fitoi një çmim Pulitzer vitin e kaluar për një artikull në të njëjtën revistë, për akuzat seksuale ndaj producentit të njohur të Hollivudit Harvey Weinstein. Në artikullin e tij të fundit, Farrow tha se kishte intervistuar gjashtë gra që thonin se ishin ngacmuar seksualisht nga Moonves midis viteve 1980 dhe 2000.
Të gjitha ato, shkruan Farrow, vazhdojnë të kenë frikë se “duke folur do të bëhen shënjestër për hakmarrje nga Moonves, i cili njihet në industri për aftësinë e tij për të ndihmuar, ose shkatërruar karriera”.
Moonves tha në një deklaratë të botuar në The New Yorker: “Unë e kuptoj se ka pasur raste dhjetëra vjet më parë kur i kam vënë në siklet disa gra. Ato janë gabime dhe më vjen keq për to ...Unë kurrë nuk kam keqpërdorur pozicionin tim për të dëmtuar, apo penguar karrierën e askujt...”
Farrow tha se 30 punonjës të tanishëm dhe të mëparshëm të CBS-it i thanë atij se akuzat për sjellje të keqe në CBS përfshijnë jo vetëm Moonves, por gjithashtu edhe pjesëtarë të rëndësishëm të korporatës, duke përfshirë CBS News dhe 60 Minutes, një nga programet më të respektuara të rrjetit.
Gruaja e Les Moonves, një producente në CBS TV, Julie Chen, shkroi në Twitter: “... Leslie është një njeri i mirë dhe një baba i dashur, një burrë i përkushtuar dhe një udhëheqës frymëzyes. Unë e mbështes plotësisht burrin tim dhe qëndroj pas tij dhe deklaratës së tij”.