Zyrtarët e Komitetit Olimpik të Kosovës, thanë se ekipi përfaqësues i boksit nuk po lejohet të hyjë në Serbi për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit, që mbahet në Beograd. Sipas tyre, për herë të tretë brenda dy ditësh, sportistëve të Kosovës po u ndalohet hyrja në Serbi.
Në një njoftim të Komitetit Olimpik të Kosovës thuhet se “ekipi tentoi të kalojë kufirin në Merdarë, por pas dy orë pritje në kufi dhe kontrollimi të detajshëm të makinës dhe veshjeve, policia serbe mori urdhërin nga Qeveria e Serbisë për të mos lejuar hyrjen në Serbi”.
Sipas Komitetit Olimpik, ekipi i boksit u nis për herë të tretë drejt Serbisë, me kërkesën e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe Shoqatës Ndërkombëtare të Boksit. “KOK (Komiteti Olimpik i Kosovës) dënon ashpër veprimin e Qeverisë së Serbisë, derisa do të kërkojë nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe organet tjera përkatëse të marrin masa ndaj Serbisë”, thuhet në reagim.
Autoritetet në Serbi nuk kanë dhënë ndonjë sqarim për këtë çështje.
Vendimi i autoriteteve serbe nxiti reagime të ashpra të autoriteteve në Kosovë sipas të cilëve ndalimi ishte i papranueshëm.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës tha se “qeveria së bashku me aleatët po punojnë shumë për të hequr barrikadat ilegale të Serbisë kundër konkurrencës së ndershme në kampionatin botëror”.
Ndërsa ministria e Kulturës dhe Rinisë e qeverisë së Kosovës tha se i ka dërguar letër autoriteteve në Serbi në shenjë proteste pas ndalimit të sportistëve në kufi.
“Me këtë veprim, Serbia si organizatore e Kampionatit Botëror të Boksit, kanë shkelur të drejtën e sportistëve dhe të drejtën e Federatës së Boksit të Kosovës, për pjesëmarrje në Kampionat, siç është e përcaktuar me rregullat e organizatave ndërkombëtare të sportit. Kërkojmë nga organet kompetente të shtetit të Serbisë të ndërmarrin masat e nevojshme dhe të reagojnë me shpejtësi në mënyrë që garuesit tanë të arrijnë në kohë për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror që do të zhvillohet nga 24 tetori deri më 6 nëntor”, thuhet në reagimin e ministrisë për Kulturë dhe Sport.
Federata e Boksit e Kosovës në vitin 2014 është anëtarësuar me të drejta të plota në Federatën Botërore të Boksit.
Nuk është hera e parë që tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ndikojnë në veprimtaritë sportive. Autoritetet serbe shpesh i këshillojnë sportistët e tyre që të bojkotojnë ceremonitë ku janë të përfshirë sportistët e Kosovës.
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Por, ajo është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovës në shkëmbim të integrimit në Bashkimin Evropian.