Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç, tha të martën se propozimi zyrtar i Beogradit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës është kufiri ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.
Ai i bëri këto komente në Beograd gjatë punimeve të një konference mbi të ardhmen e Evropës dhe Ballkanit, duke theksuar se “çështja se ku do të shtrihej vija ndarëse nuk është përcaktuar” dhe se kjo ide e hedhur nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç, nuk është përpunuar gjatë bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Your browser doesn’t support HTML5
"Kur ai (Aleksandër Vuçiç) filloi të fliste për këtë, për vënien e kufirit, të gjithë u hodhën në sulm kundër tij. Deri tash kanë ekzistuar vetëm dy mundësi; ose Kosova është krahinë, ose është e pavarur. Për asgjë tjetër nuk është folur”, tha ai, duke nënvizuar se kjo është mundësia më e mirë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
I pyetur më pas gjatë ditës për këtë qëndrim të ministrit të Jashtëm, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, theksoi se një ide të tillë e kishte dhënë para dy vjetësh.
Mundësia që kufijtë e Kosovës dhe Serbisë të bëhen pjesë e një procesi bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, është hedhur në verën e vitit të kaluar nga presidenti serb, Alëksandër Vuçic dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Derisa presidenti serb flet për vënie kufiri, duke nënkuptuar shkëputjen e veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe dhe bashkimin me Serbinë, presidenti Thaçi angazhohet për “korrigjimin e kufijve”.
Në fillim të muajit shkurt ai tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se “do ishte shumë e logjikshme përfshirja e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në territorin e Republikës së Kosovës, duke mos i cenuar në asnjë rrethanë resurset e shtetit të Kosovës, as Gazivodën, as veriun e Mitrovicës, as Trepçën dhe as hapësirat e tjera”.
Idetë për prekje kufijsh kanë nxitur kundërshtime në Kosovë ku ndër më të zëshmit është kryeministri Ramush Haradinaj, i cili hedh poshtë çdo mundësi të tillë.
Idetë kanë nxitur reagime të ndara edhe në skenën ndërkombëtare. Gjermania prin si kundërshtare e ideve të tilla që sipas saj mund të nxisin reagime zinxhirore në rajonin e Ballkanit, që ende nuk është ripërtërirë nga luftërat e përgjakshme të fundit të shekullit të kaluar.
Shtetet e Bashkuara thonë se të dyja palët duhet të arrijnë një marrëveshje normalizimi e cila “në thelb duhet të ketë njohjen e ndërsjellë”.
Por, procesi i bisedimeve që do të çonin tek një marrëveshje është pezulluar për shkak se Beogradi kushtëzon vazhdimin e tyre me heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe që qeveria e Kosovës i vendosi në nëntor të vitit të kaluar.