Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të mërkurën se fuqitë perëndimore nuk duan të flasin se kujt i takon Kosova dhe e trajtojnë atë si çështje të mbyllur. Ai i bëri këto komente pas takimeve që ka zhvilluar ditëve të fundit në Shtetet e Bashkuara, në një vizitë private gjatë së cilës është takuar edhe sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.
Ai i tha televizionit shtetëror serb se gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara ka zhvilluar takime të vështira lidhur me çështjen e Kosovës
"Jam i kënaqur me punën dhe përpjekjen tonë, por nuk jam i kënaqur me rezultatet. Kam shpresuar për mirëkuptim më të madh. Nuk jam i kënaqur me atë që kam arritur. Prej një kohe të gjatë po flasim për të ardhmen e Serbisë, për Kosovën... Po përpiqemi të gjejmë zgjidhje kompromisi, por pala shqiptare po e bën punën e vet, e bashkësia ndërkombëtare të vetën. Nuk jam i kënaqur, sepse vendet perëndimore qëndrojnë fuqishëm në mbështetjen dhe ruajtjen e pavarësisë Kosovës“, tha ai.
Presidenti serb ka paralajmëruar mundësinë që në muajin prill të paraqesë një platformë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por për këtë tha ai, ka nevojë edhe për mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare.
"Megjithatë, Perëndimi nuk dëshiron në asnjë mënyrë të flasë për atë se kujt i takon Kosova”, tha ai duke nënvizuar se Serbia po paguan çmimin e vendimeve të gabuara të së kaluarës, përfshirë edhe ngritjen e çështjes së pavarësisë së Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila ka pohuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar.
Ai ritheksoi se Serbia është e gatshme për kompromise por jo "edhe të sakrifikojë interesat e saj", ndërsa hodhi poshtë pohimet se ka zhvilluar takime private me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, apo të ketë biseduar me të për "ndarjen e Kosovës", një pohim i hedhur nga forcat opozitare në Serbi por edhe nga disa medie evropiane.
Për të premten në Bruksel është paralajmëruar takimi i radhës ndërmjet presidentit serb dhe presidentit të Kosovës në kuadër të bisedimeve për ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Presidenti serb tha se moti i lig që ka përfshirë Shtetet e Bashkuara mund ta pengojë këtë takim.
Takimi i fundit ndërmjet tyre është mbajtur në Bruksel më 20 shtator të vitit 2017 në New York, më ndërmjetësimin e zonjës Mogherini, në dritën e zotimeve të bëra në dy takime që u zhvilluan në korrik dhe në fund të muajit gusht në Bruksel, kur ata ishin pajtuar për një fazë të re të bisedimeve ndërmjet të dyja palëve, përtej çështjeve teknike.
Vitin e kaluar presidenti serb hapi një dialog të brendshëm serb për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, pavarësinë e së cilës ajo vazhdon ta kundërshtojë, por është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të afrimit më strukturat evropiane.
Ai është zotuar të vazhdojë rrugën evropiane por edhe të ruajë lidhjet me aleatin e saj Rusinë, një dëshirë e nacionalistëve serbë që nuk pajtohen me pavarësinë e Kosovës. Kosova mbetet çështja kryesore në bisedimet e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kjo është ritheksuar edhe në fillim të muajit shkurt, kur Komisioni Evropian shpalosi Strategjinë për Zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor, që është një nga zhvillimet e rëndësishme për rajonin gjatë këtij viti. Në muajin prill, Komisioni Evropian do të publikojë raportin e përparimit të këtyre vendeve, ndërsa në muajin maj në Sofje, pritet të mbahet takimi i lartë i vendeve të Ballkanit Perëndimor. Strategjia e zgjerimit do të diskutohet më pas në qershor në takimin e nivelit të lartë të Bashkimit Evropian, ndërsa në korrik në Londër do të mbahet takimi i radhës i vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Këto zhvillime shihen si një përpjekje e ripërtërirë e Bashkimit Evropian për një qasje ndryshe ndaj rajonit të trazuar për shkak të rritjes së ndikimit rus, krizës së emigracionit, rrëshqitjes së Turqisë drejt autoritarizmit dhe synimit për të forcuar integrimin evropian pas largimit të Britanisë në vitin 2019.