Përfaqësuesit e serbëve në veriun e Kosovës, filluan sot në mëngjes zbatimin e një plani për zhbllokimin e pjesshëm të rrugëve në atë zonë. Ata thanë se sipas këtij plani që u është dorëzuar edhe forcave paqeruajtëse të NATO-s, do të lejohet lëvizja e lirë e trupave të KFOR-it në njërën anë të rrugëve veriore. Sipas tyre ky plan pason kërkesën e presidentit të Serbisë Boris Tadiç, për të mundësuar lëvizjen e lire të misioneve ndërkombëtare. Por ata thanë se për lëvizjen e trupave të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit do të ketë diskutime të tjera dhe se një gjë e tillë do të kushtëzohet me garancitë që ata të mos transportojnë doganierët dhe policinë kufitare të Kosovës për në vendkalimet kufitare me Serbinë.
Tashmë janë mbushur tre muaj që kur serbët kanë ngritur barrikada në kundërshtim të vendosjes së personelit shqiptarë të doganave në vendkalimet me Serbinë.
Zyrtarë të forcave paqeruajtëse thanë se mënjanimi i pjesshëm i barrikadave është veprim i mirë, por ngulin këmbë për mënjanimin e plotë të barrikadave dhe vendosjen e plotë të lirisë së lëvizjes në veri për të gjithë. Edhe KFOR-i edhe EULEX-i, hedhin poshtë çdo kushtëzim për këtë çështje.
Forcat e NATO-s filluan javën e kaluar një aksion për zhbllokimin e rrugëve që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë. Mbi 20 veta pësuan plagë të lehta gjatë përplasjeve me protestuesit serbë të cilët nuk pajtohen me shtrirjen e autoritetit të Prishtinës në veri.
Situata aktuale në veriun e Kosovës ishte temë debatesh të rrepta në Parlamentin e Kosovës ku kryeministri Hashim Thaçi, ishte thirrur ne interpelancë me nismën e lëvizjes Vetëvendosje e cila e vlerëson situatën në veri më të keqe sesa në vitin 1999. Lëvizja Vetëvendosje kërkoi llogari për gjendjen në veriun e Kosovës, jo vetëm pas veprimeve të fundit për vendosjen e doganierëve dhe policisë kufitare në atë zonë, por që nga viti 1999.
Kryeministri Thaçi tha se fajtor kryesor për mosvënien nën kontroll të veriut në të kaluarën dhe mungesën e sundimit të ligjit në atë pjesë, ishte administrata e Misionit të Kombeve të Bashkuara që sipas tij nuk zbatoi mandatin për vendosjen e sundimit të ligjit dhe bëri ndarjen ‘de facto’ të serbëve ndaj bashkësive të tjera në Kosovë.
Ai bëri thirrje për mirëkuptim dhe bashkim të subjekteve politike kundruall çështjes së veriut të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje kërkon që institucionet e rendit të Kosovës të angazhohen vetë në heqjen e barrikadave në veri, të ndërpriten bisedimet me Serbinë dhe të shpallen të pavlefshme e të pazbatueshme marrëveshjet që janë arritur deri tash në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Komisioni Evropian hodhi më 12 tetor propozimin që Serbisë t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian por përparimi në bisedimet me Prishtinën është vënë si kusht për fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Serbisë.