Debat i ashpër në Senat për shefin e Pentagonit

Konfirmimi i kandidatit të Presidentit Barak Obama për postin e sekretarit amerikan të Mbrojtjes është i pasigurt pas një debati konfrontues në Komisionin e Senatit për Frocat e Armatosura. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Majkëll Bouman, na informon se ish senatori republikan, Çak Hegëll, u pyet për orë të tëra dhe disa herë ashpër prej ish kolegëve të tij.

Nëse qëllimi i Çak Hegëllit ishte të fitonte mbështejen e ligjvënësve republikanë, shkëmbimi i tij me Senatorin Xhon Mekein u duk konfrontues.

Mekein e pyeti disa herë atë nëse ishte penduar për kundërshtimin që Hegëll i kishte bërë shtimit të trupave amerikane në Irak në vitin 2007.

“Pyetja është: a ishe në pozita të drejta apo të gabuara. Kjo është një pyetje fare e drejtpërdrejtë”.

Hegëll iu shmang përgjigjes.

“Nuk do të të përgjigjem me ‘po ose jo’. Mendoj se çështja është shumë më e komplikuar se kaq. Siç e kam thënë tashmë, do t’ia lë historisë ta gjykojë qendrimin tim”.

Mekein u hodh edhe një herë në sulm.

“Mendoj se historia e ka gjykuar këtë çështje, zotëri. Dhe ti je në anën e gabuar të historisë. Refuzimi tënd për t’u përgjegjur nëse ke qënë në pozita të drejta apo të gabuara ndikon në gjykimin tim nëse unë do të votoj pro ose kundër konfirmimit tënd”.

Hegëll u vu gjithashtu në pozita mbrojtëse lidhur me votimet e tij në të kaluarën dhe deklaratat për programin bërthamor të Iranit, mbështetjen e Iranit për terrorizmin ndërkombëtar, ndikimin e Izraelit në politikën e Shteteve të Bashkuara dhe për domosdoshmërinë e arsenalit bërthamor të Amerikës. Hegëll shprehu vazhdimisht mbështetjen e tij për politikat e Presidentit Obama, pavarësisht nga deklaratat apo veprimet e tij në të kaluarën.

“Përgjigjet e mia janë të ditura për shumë çështje. Por asnjë votë e veçantë, asnjë citim individual, asnjë deklaratë individuale nuk më përcaktojnë mua”.

Senatori republikan, Xhejms Inhofe, nuk mbeti i kënaqur nga kjo përgjigje.

“Rekordi i Sentorit Hegëll është tepër shqetësues dhe ndjeshëm i shmangur nga vija kryesore. Shumë shpesh duket se ai ka mbajtur një qendrim për t’u bërë lëshime armiqve tanë, ndërkohë që ka qënë kritik për miqtë tanë”.

Hegëll e hodhi poshtë akuzën.

“Pikpamja ime e përgjithëshme për botën nuk ka ndryshuar, dhe kjo është se Amerika ka dhe duhet të ketë një ushtri të fuqishme, ne duhet të kemi rol udhëheqës në komunitetin ndërkombëtar për të përballuar kërcënimet dhe sfidat sëbashku”.

Debati nuk ishte tërësisht armiqësor. Senatori demokrat, Karl Levin, vuri në dukje shërbimin e zotit Hegëll si ushtar në Luftën e Vietnamit.

“Do të ishte një mesazh pozitiv për ushtarët, marinarët, aviatorët dhe marinsat që janë të stacionuar nëpër botë dhe në kushte të vështira që ta dinë se një prej tyre mban postin më të lartë në Departamentin e Mbrojtjes, dhe se ai ka mbështetjen e tyre”.

Hegëll duket se ka mbështetjen e senatorëve demokratë, të cilët kanë shumicën në Senat. Por atij do t’i duhen të paktën pesë vota nga republikanët për të fituar konfirminim, nëse ndonjë senator do të përdorë një manovës procedurale për të detyruar votimin me tre të pestat për emërimin e rij. Çak Hegëll do të zëvendësojë sekretarin e Mbrojtjes, Leon Paneta nëse konfirmohet.