UASHINGTON - Komisioni i Senatit për Çështjet Bankare miratoi të martën të përzgjedhurën e Presidentit Donald Trump, znj. Judy Shelton për anëtare të bordit të guvernatorëve të Rezervës Federale, me një votim në linja partiake, duke kapërcyer pikëpyetjet e përhapura në lidhje me kualifikimet e saj për në Rezervën Federale.
Kryetari i Komisionit, Senatori Mike Crapo, republikan nga shteti Idaho, tha se zonja Shelton e kishte siguruar atë dhe senatorët e tjerë të Partisë Republikane se ajo e pranon pavarësinë e Rezervës Federale nga pjesa tjetër e qeverisë dhe gjithashtu mbështet sigurimin e depozitave bankare - politika të pranuara gjerësisht për të cilat ajo kishte hedhur dyshim më parë.
Crapo gjithashtu vuri në dukje komentet e zonjës Shelton gjatë një seance dëgjimore në shkurt se ajo nuk mbështet kthimin në standardin e arit, në të cilin vlera e dollarit është e lidhur me arin, edhe pse ajo e kishte mbrojtur këtë ide në të kaluarën. Në vend të kësaj, tha Senatori Crapo, zonja Shelton e konsideron standardin e arit si një temë të denjë për studim.
"Shumë janë përpjekur të karakterizojnë pikëpamjet e saj për standardin e arit ... si jashtë rrymës mbizotëruese dhe që e skualifikojnë për këtë pozicion", tha Senatori Crapo. "Unë nuk jam plotësisht dakord me këtë karakterizim".
Komisioni gjithashtu votoi të mbështesë emërimin e Christopher Waller-it, drejtor i kërkimeve në Bankën Federale të Rezervave të St. Louis, për të plotësuar një vend vakant në bordin e guvernatorëve të Rezervës Federale. Zoti Waller u miratua me 18 vota pro dhe 7 kundër, me të gjithë votat kundër nga demokratët.
Senatori Sherrod Brown nga Ohio, demokrati më i lartë në komision, tha se zonja Shelton ka lëvizur nga shumë pozicione të saj për t'ia përshtatur atyre të Presidentit Trump. Për shembull, zonja Shelton kritikoi Rezervën Federale për mbajtjen e normave afatshkurtra të interesit në gati zero nën Presidentin Barack Obama, por tani mbështet norma shumë të ulëta, siç ka kërkuar Presidenti Trump. Zonja Shelton gjithashtu ka mbështetur prej kohësh tregtinë e lirë dhe madje ka bërë thirrje për një bashkim të monedhave të Amerikës së Veriut.
"Ajo mbante qëndrim të fortë për normat e interesit dhe kundërshtoi tarifat ndaj Kinës - por tani që Presidenti Trump nuk i pëlqen ato gjëra, në mënyrë magjike, as asaj nuk i pëlqejnë," tha Senatori Brown.
Pikëpamjet jo-ortodokse të zonjës Shelton dhe kredencialet e debatueshme ngjallën kundërshtim të gjerë mes ekonomistëve dhe shumë ish-zyrtarëve të Rezervës Federale. Në një editorial të gazetës Wall Street Journal në 2009, ajo shkroi: "Le të kthehemi te standardi i arit".
Një zëdhënës për udhëheqësin e shumicës së Senatit Mitch McConnell nuk komentoi se kur Senati i plotë do të merrte në shqyrtim emërimet e zonjës Shelton dhe zotit Waller. Votimi mund të bëhet në çdo kohë këtë vit, madje edhe pas zgjedhjeve të nëntorit.