SHBA, kritikët përshëndesin shfuqizimin e ligjit për homoseksualët në ushtri

  • Zëri Amerikës

SHBA, kritikët përshëndesin shfuqizimin e ligjit për homoseksualët në ushtri

Kritikët e politikës së shumëdebatuar të ushtrisë amerikane, “Don’t ask don’t tell”, “Mos pyet, Mos trego”, përshëndetën shfuqizimin nga senati të ligjit në fjalë.

Nënpresidenti Xho Bajden tha sot në një intervistë për televizionin se shfuqizimi i ligjit, i cili i ndalon homoseksualët të shërbejnë hapur në ushtrinë amerikane, i vë Shtetet e Bashkuara në një radhë me vendet e tjera aleate në botë. Ai tha se këtej e tutje Amerika nuk do t’i harxhojë kot aftësitë e personave që duan të shërbejnë në ushtri por që janë homoseksualë.

Dje, Senati votoi me 65 vota pro dhe 31 kundër shfuqizimin të politikës “Mos pyet, Mos trego”. Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi projektligjin në fillim të javës së kaluar.

Presidenti Barak Obama tha se pret që t’i paraqitet ligji për ta nënshkruar. Ai tha se ligji do të forcojë sigurimin kombëtar dhe njëkohësisht respekton barazinë mbi të cilën janë themeluar Shtetet e Bashkuara.

Rreth 14 mijë pjestarë të forcave ushtarake janë çmobilizuar në bazë të ligjit “Mos pyet, Mos trego”, që kur ai hyri në fuqi në vitin 1993.