Sekretarja Klinton takohet me Presidenten Jahjaga dhe Kryeministrin Thaçi

  • Zëri Amerikës

Sekretarja Klinton takohet me Presidenten Jahjaga dhe Kryeministrin Thaçi

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton zhvilloi mbrëmë një takim me Presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga dhe Kryeministrin Hashim Thaçi.

Sipas një zyrtari të lartë të Departamentit të Shtetit, Sekretarja Klinton përsëriti mbështetjen e fuqishme dhe të vazhdueshme amerikane për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Takimi u përqendrua në situatën aktuale në Kosovë ku Shtetet e Bashkuara po mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes Serbisë dhe Kosovës.

Zyrtari i lartë tha se Amerika mbështet marrëveshjet e fundit të arritura me ndërmjetësinë e Bashkimit Evropian ku përfshihen një seri çështjesh, mes të cilave edhe tregtia mes dy vendeve ku EULEX-i do të luajë një rol të rëndësishëm në funksionimin e doganave.

Shtetet e Bashkuara besojnë se kjo do të ishte në interesin e madh të dy vendeve. Ajo nuk është një çështje politike apo çështje statusi, tha zyrtari amerikan. Synimi është mirëqenia dhe zbatimi i ligjit në të gjithë Kosovën. Ndaj ne jemi të zhgënjyer, shtoi diplomati i lartë, që marrëveshja nuk është zbatuar ende.

Sekretarja Klinton shprehu mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për vazhdimin e reformave politike dhe ekonomike në Kosovë. Përfundimisht, mirëqenia do të varet se sa mirë e ndërton ky vend demokracinë dhe ekonominë e vet. Kjo do të ndihmojë në lehtësimin e asaj që ne të gjithë duam të shohim, dhe që është një Kosovë jo vetëm e njohur dhe e sigurtë, por që ecën e patundur drejt integrimit evropian, tha zyrtari i lartë amerikan.

Zyrtari i lartë tha se në takimin mes Sekretares Klinton dhe udhëheqësve të Kosovës nuk kishte patur diskutime rajonale, por shtoi se Uashingtoni nuk mbështet bisedime apo mendime mbi copëtimin e Kosovës. Diskutimi ishte kryesisht i përqendruar mbi Kosovën dhe veçanërisht tek sfidat e marrëdhënieve me Serbinë në mënyrë që të dy këto vende të ecin përpara, përfundoi zyrtari amerikan.